Të mëdhatë e Serisë A ndezin merkaton

29 Dhjetor 2015, 16:01Sport TEMA

Ka lëvizje në merkaton e Serisë A, teksa të gjitha klubet e mëdha po bëjnë përpjekjet e tyre për të forcuar grupin aktual me të tjerë futbollistë cilësorë.

Nga Interi që kryeson klasfikimin e deri te  Milani që pozicionohet në vendin e 6-të kanë nisur tashmë nga puna.

Dy skuadrat që shikohen si favorite në garën për titull, zikaltërit dhe Juventusi kanë një objektiv të përbashkët në merkato dhe ai është Ezequiel Lavezzi.

Argjentinasi i Paris Saint Germain pëlqehet shumë nga trajneri i Interit Roberto Mancini dhe ky i fundit do të përpiqet ta bindë El Pochon të veshë fanellën zikaltër në miqësoren që dy klubet do të zhvillojnë këtë të Mërkurë në Doha të Katarit.

Problem për Interin mbetet paga e lartë që kërkon Lavezzi të cilit i përfundon kontrata me Parisin pas 6 muajsh. Ndërkohë nga ana tjetër Juventusi është i gatshëm ta presë deri në verë sulmuesin argjentinas.

Bardhezinjtë objektiv primar në merkato kanë blerjen e një mesfushori.

I preferuari i drejtuesve të Juventusit është Ilkay Gundogan por të pakta janë shanset që 25-vjecari turko-gjerman të transferohet te kampionët e Italisë në merkaton e Janarit, kështu që bardhezinjtë kanë hedhur sytë edhe nga portugezi i Monacos, Joao Moutinho dhe argjentinasi i Sevillas Ever Banega.

Ndërkohë nga Juvja mund të largohet Martin Caceres.

Mbrojtësit uruguain i përfundon kontrata në verë dhe për të ka shfaqur interes Interi.

Megjithatë në merkato nuk po lëvizin vetëm këto dy klube pasi edhe Napoli, Roma, Fiorentina e Milani po bëjnë tentativat e tyre.

Të kaltërit janë në kërkim të një mesfushori dhe i kanë hedhur sytë nga 23-vjecari i Azeta Alkmaar, Markus Henriksen.

Fiorentina nga ana e saj ka nevojë për një mbrojtës dhe drejtuesit vjollcë shikojnë si një alternativë shumë të mirë argjentinasin Lisandro Lopez që luan për Benficën.

Roma është në pole-position për të marrë nga Genoa Diego Perrotin kurse Milani ska ndërmend të heqë dorë nga Axel Witsel, edhe pse transferimi i mesfushorit belg te kuqezinjtë në merkaton e Janarit ngjason më shumë me një mision të pamundur./ SS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje