Bujar Leskaj: Në 4 vjet, 128 miliardë lekë dëm shtetit

1 Shkurt 2016, 11:01Kronika TEMA

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka mbajtur këtë të hënë analizën vjetore, duke prezantuar rezultatet e arritura. Në fjalën e tij, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj ka deklaruar se në 4 vitet e fundit janë zbuluar shkelje me vlerë 128 miliardë lekë.

“Në 4 vitet e fundit dëmi ekonomik është 8 herë më i madh se periudha parardhëse”, ka deklaruar Leskaj.

Ai ka nënvizuar se, në 4 vitet e fundit kallëzimet penale janë rritur me 3.2 herë, por sipas tij ka pasur një pandëshkueshmëri të zyrtarëve të akuzuar. “Shumë zyrtarë mbahen në administratë edhe pse kanë bërë shkelje”, ka thënë kreu i KLSH-së.

Duke u fokusuar tek sektori energjitik, Leskaj ka përmendur faktin se institucioni i tij ka kallëzuar një zyrtar të lartë të shtetit për situatën në CEZ, por më pas është bërë pre e sulmeve politike.

“Por, edhe pse jemi anatemuar nga segmente politike, ne i qëndrojmë konstatimeve tona në sektorin energjitik”, ka vijuar më tej Leskaj.

Ai ka nënvizuar se, KLSH ka gjetur mirëkuptimin dhe ka marrë mbështetje nga komisioni parlamentar i ekonomisë. “Në çdo auditim do të përpiqemi të mos politizohemi në aktivitetin tonë”, ka thënë më tej Leskaj.

I pranishëm në këtë analizë, kryeprokurori Adriatik Llalla ka vlerësuar rëndësinë e partneritetit mes KLSH-së dhe organit të akuzës. “KLSH është partneri ynë kryesor në luftën kundër krimit financiar. Në bazë të kallëzimit të KLSH u bë dhe arrestimi i ish-ministrit të Punës”, ka thënë Llalla.

Duke nënvizuar se, “duhet vënë para përgjegjësisë çdo zyrtar që abuzon me detyrën”, ai ka shtuar se, “prokuroria do të jetë përkrah KLSH-së në luftën kundër korrupsionit”.

Në të njëjtat linja, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka vënë në dukje se, nevoja për audite është e domosdoshme për çdo qeveri. “Ende nuk kemi hequr dorë nga parimet e drejtësisë popullore. Kemi ardhur në një pikë ku kemi më shumë të arrestuar sesa të dënuar. Rrjedhimisht, kemi shumë nevojë për auditim të performancës”, ka thënë Manjani.

Ndërsa kryetari i komisionit të ekonomisë, Erion Braçe ka deklaruar se nga viti 2015 ka një ligj që e forcon KLSH-në dhe ka shtuar se, është vet ky institucion që zgjedh auditorët, duke nënvizuar se nuk ka asnjë ndërhyrje. “Ajo që na bashkon është interesi publik, liria dhe konkurrenca në tregje”, është shprehur Braçe në fjalën e tij.

Të pranishëm në këtë event kanë qenë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe kreu i ILDKP-së, Ganaj, të cilët kanë vlerësuar se bashkëpunimi i institucioneve respektive me KLSH-në është i një rëndësie të veçantë.

“Bashkëpunimi mes BSH dhe KLSH-së ka qenë i frytshëm. Shpreh bindjen se KLSH do të vazhdojë të jetë në lartësinë e sfidave që kërkon koha”, ka thënë Sejko.

“Puna e KLSH është përmirësuar vit pas viti. Misioni i qeverisjes së mirë është kërkesa kryesore e qytetarëve”, ka thënë nga ana tjetër Ganaj.

3 komente në “Bujar Leskaj: Në 4 vjet, 128 miliardë lekë dëm shtetit”

  1. Kritiku says:

    Kur flitet per analize vjetore, behet fjale per nje vit dhe atij te shkuarit dhe jo e nje numer te madh vitesh. Çfare nenkupton Bujar Leskaj me 4 vjetet e fundit dhe cila eshte “periudha e meparshme”? Ketu kemi nje gabim trashanik qe ve ne dyshim seriozitetin e punes se KLSH-se. Flitet pa kuptim ne pergjithesi dhe asnjehere nuk flitet me fakte te sakta dhe me emra te perveçem.
    Na mbyten analfabetet funksionale!

  2. elona says:

    o Bujar pijaneci,po KLSH ka vajtur qe ne 2012 ne Min.Punes,dhe i ka marr ne pyetje mbi 20 punonjes dhe e ka pas dosjen e kopsitur qe ne fillim 2013.Cne u kujtove tani?Apo kshu rate dakord?Atij shume mire ja bete,po pse kaq vone ?Ku jane dosjet tjera ,se keni plote,pse nuk i zbardhni dhe ato?Apo si te jete rasti,kush te paguj me shume,atij s’i behet kallzimi?

  3. Victor says:

    KORRUPSIONI I ZYRTAREVE TE LARTE NE SHQIPERI NUK LUFTOHET ME PALLAVRA DHE ME PROKURORINE QE KEMI,POR,ME REFORMEN NE DREJTESI DHE VECANERISHT NE KTHIMIN E KONTROLLIT TE LARTE TE SHTETIT NE GJYKATEN E LLOGARIVE D.M.TH KONTROLLI I LARTE I SHTETIT TE JETE GJYKATE!
    D.M.TH TE KETE ATRIBUTET E GJYKATES FINANCUARE!
    KUR TA KEMI BERE KETE REFORME ATEHERE I VJEN FUBDI I TURPSHEM I TE GJITHE HAJDUTEVE ME KOLLARE QE KANE GRABITUR SHTETIN DHE SHQIPTARET NE KETO 25 VJET

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje