Prokuroria e Tiranës ka zbuluar një nga rastet flagrante të vjedhjes së fondeve me anë të manipulimit të fotove të aktiviteteve sociale në Ministrinë e drejtuar nga Spiro Ksera.
Ndër provat e Prokurorisë kundër ish ministrit të Punës Spiro Ksera, akuzuar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, janë dhe këto dy foto të siguruara nga ReportTv, njëra është origjinale dhe tjetra e falsifikuar nga punonjësit e Kserës.
Sipas organit të akuzës ministria ka manipuluar me photoshop foton e një aktiviteti të zhvilluar nga PNUD në Shqipëri, duke e shitur si foto të një aktiviteti të zhvilluar nga ministria, për të cilin është marrë edhe fond, por që nuk është zhvilluar kurrë. Pra ministria mjaftohej vetëm me një foto të përpunuar për të justifikuar paratë që merrte nga buxheti i shtetit për zhvillimin e aktiviteteve me rëndësi sociale për komunitete të ndryshme në vendin tonë.
Konkretisht bëhet fjalë për një foto të 11 prillit të vitit 2013 që paraqet një aktivitet për komunitetin rom të financuar nga PNUD në Shqipëri, në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Romëve. “Me romët për Romët” është aktiviteti i financuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara PNUD.
Ish-vartësit e ministrit të qeverisë “Berisha 2”, ish-shefi i kabinetit Kleves Bitro në bashkëpunim me të tjerë kanë marrë të njëjtën foto, e kanë përpunuar përmes programit “Photoshop” dhe e kanë vendosur në dosjen e një tjetër aktiviteti për romët “Kapërceni Paragjykimet, Njihni Romët”. Nga buxheti i shtetit është paguar për këtë aktivitet, por paratë kanë shkuar në xhepat e ish-zyrtarëve, të cilët i “realizonin” këto aktivitete vetëm në dukje, pra duke manipuluar fotot.
Fotot janë ndër 30 provat që Prokuroria disponon ndaj ish-ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale Spiro Kserës dhe 7 personave të tjerë nën hetim, mes tyre dhe 2 gra.
Ksera u arrestua mbrëmjen e së premtes në një lokal në fshatin Dervican ku ai jeton, ndërsa një ditë më parë (31 janar) Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-ministrin, dhe Artevis Menen, një ish-punonjës i ministrisë së tij i arrestuar po të premten.
Ndërkohë, në kërkim rezultojnë ende tre persona.
E felliqe minoritetin grekoallvanos me ne krie janullen more i paudhe !