Bashkia e Tiranës vijon kontrollin e urbanëve, vendosen 46 gjoba

2 Shkurt 2016, 14:38Sociale TEMA

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme kontrollin e linjave të transportit urban, për ofrimin e shërbimit në përputhje me kushtet e vendosura nga Bashkia e Tiranës. Drejtoresha e Përgjithshme e AMK-së, Rudina Hoxha, në një prononcim për mediat, bëri të ditur se janë ngritur grupe kontrolli të cilat po punojnë me dy turne në terren, për të kontrolluar 12 linjat e transportit urban. Si rezultat i kësaj, ka pasur një përmirësim sidomos në respektimin e frekuencave në stacionet e autobusëve.

“Kontrolli është fokusuar në 10 kushtet e vendosura nga Bashkia e Tiranës. Janë kushte të cilat të gjitha shoqëritë e transportit që operojnë në territorin e Tiranës i kanë të mirëpërcaktuara në kontratat e tyre. Nga dita e djeshme deri në mesditën e sotme, inspektorët e AMK-së kanë vendosur 46 gjoba”, u shpreh Hoxha.

Ajo garantoi se për çdo shkelje të kushteve të vendosura janë marrë masat dhe gjobat përkatëse. “Në momentin e vendosjes së gjobës, inspektorët ua kanë komunikuar këto gjoba përfaqësuesve ligjorë të kompanive të transportit, me qëllim që t’u bëhet e ditur shkelja e vendosja e gjobës dhe njëkohësisht t’u lihen dhe afatet e caktuara, për të korrigjuar këto shkelje mbi bazën e sanksioneve të vendosura”, tha Hoxha.

Sanksionet e vendosura nga AMK janë të përcaktuara me nivelet përkatëse të tyre sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak të vitit 2012. “Pas gjithë kontrolleve që po bëhen, janë lënë afatet e caktuara dhe në rast se nuk janë respektuar afatet dhe korrigjimi i këtyre shkeljeve, fillon përshkallëzimi i gjobave me të gjitha nivelet e tyre. Bashkia e Tiranës është e vendosur në këtë monitorim”, deklaroi drejtoresha e AMK. Ajo tha se ky monitorim do të vijojë me këto ritme dhe rezultatet do të jenë transparente për opinionin publik.

Më poshtë do të gjeni pyetjet e mediave dhe përgjigjet e drejtoreshës së AMK gjatë prononcimit të sotëm, si dhe informacionin e plotë për kontrollet e ushtruara nga Bashkia e Tiranës për përmirësimin e cilësisë së transportit urban.

Gjatë dy ditëve janë vendosur këto 46 gjoba apo vetëm sot?

Jo, nga dita e djeshme, deri në mesditë janë vendosur 46 gjoba dhe janë lënë detyra për të gjitha shoqëritë e transportit, për korrigjimin e gjithë shkeljeve që janë hasur pas vendosjes së këtyre gjobave.

U janë vënë shoqërive apo individëve, faturinos apo shoferit?

Ne ua vendosim shoqërive, sepse kontrata është e lidhur me shoqërinë dhe ajo është e detyruar më pas të marrë masa për të korrigjuar e riparë marrëdhënien e tyre me faturinon dhe personelin. Ne bëjmë monitorimin dhe normalisht për të gjitha sanksionet dhe shkeljet që vëmë re, vendosim këto sanksione.

Në këto 46 gjoba, për çfarë është vënë më shumë?

Kryesisht janë prekur të gjitha pikat, por numrin më të madh të gjobave e mban kondicionimi dhe gjobat që kanë të bëjnë me komoditetin e linjave, autobusëve.

Cila nga shoqëritë ishte më problematike?

Të gjithë këtë informacion e keni të pasqyruar. Për sa i përket kondicionimit janë vendosur 9 gjoba, të cilat janë vërejtur më shumë te linja e Saukut dhe Uzina Traktori.

Koha e lëvizjes, si ka qenë?

Ditën e djeshme janë matur disa herë në ditë frekuencat dhe normalisht një pjesë e mirë e linjave i kanë respektuar ato. Kjo vjen si rrjedhojë e faktit që këto linja kanë pasur në terren numrin e përcaktuar në kontratë të autobusëve. Pra, që të respektohen oraret e nisjes dhe mbërritjes duhet pasur parasysh që linjat duhet të kenë në terren të gjithë numrin e përcaktuar të autobusëve për të përmbushur këto kritere.

Informacion për kontrollet e ushtruara nga Bashkia e Tiranës lidhur me cilësinë e shërbimit në autobusët e transportit urban nga data 1.2.2016 – 2.2.2016 (deri në ora 11.00 sot):

Gjithashtu, janë vendosur gjoba edhe për mosrespektim të kushteve të kontratës të shërbimit (këtu vlera e gjobës është më e lartë dhe shkon deri në 100.000 lekë të reja), si dhe 6 gjoba për mosplotësim komoditeti, si sedilje dhe dysheme e dëmtuara, xhama të thyer etj. (Linja problematike Unaza dhe Sauku)

GJITHSEJ: 46 gjoba me vlerë 386.000 lekë (të reja).

Ndërkohë, AMK-ja është në proces monitorimi edhe përsa i përket tregtimit të aboneve nga operatorët, pasi ka pasur ankesa nga qytetarët lidhur me abonetë e studentëve.

8 komente në “Bashkia e Tiranës vijon kontrollin e urbanëve, vendosen 46 gjoba”

  1. popolo di tirana says:

    Ky eshte versioni 2.0 i Partneritetit Publik-Privat :
    Privatet rrisin cmimet per qytetaret, Pushteti merr pjesen e vet nepermjet gjobave.
    Bukuri !

    1. WEB says:

      Me se normale !cfare kujtuan keta se ja hodhen duke rritur cmimin me ata autobuze rrjepacake ?E rrite bileten ? mire ! tani futi ato autobuzat ne vitin 2016 dhe nxirri nga mesjeta ashtu sic i kane katandisur ,cfare menduan te kursenin do ta lene brenda nje muaji

  2. Andi says:

    Po linjen e yzberishtit e keni pare ??? Ata punojne pa abone , vetem me lek dhe jane skandaloz , zhul, dhe per kondicioner sbehet fjale fare.

    1. Qytetari says:

      Fajin e kane edhe banoret e Yzberishtit qe nuk ankohen dhe nuk organizohen qe te protestojne per kete linje skandaloze ne te cilan eshte rritur vetem cmimi i biletes dhe asgje tjeter. Turp

  3. Prudentino says:

    Ato autobuat e atij trimit te LSI-se si furik pule nga shkolla e Baletiti deri tek depot e ujit i keni pare ndonje here apo meqe jane te Likes jane ok?
    Shikoni dhe ato parkimet e Elez Gjizes qe i ka rrethu me kangjella dhe zinxhire vendet e parkimit ne mes te rruges. Kontrolloni dhe ate policin Karaj te Rajonit nr 1 se po ben namin duke ” gjobit” klubet rivale dhe taksite per llogari te nje mikut te tij te ri .

  4. aqifi says:

    Tirana e re ta shpif per oraret dhe ecjen shume ngadale dhe mesa shoh une nuk jane gjobitur

  5. ZZZZZZZZZZZZZ...... says:

    SI MUNDE TE RITET CMIMI PA U RRITE EDHE CILESIA.AUTOBUZET TE NJEJTE ,PISLLIKU,AMORTIZIMI,PA KONDICIONER, VONESAT, VJETERSIA , ,ETJJJJ….AASGJE SKA NDRYSHUAR

  6. titi says:

    Kerkoni ne menyre urgjente qe te vendosen ne cdo stacion te te gjitha linjave tabelat me informacion mbi orarin e levizjes, sipas kohes kur niset nga stacioni perkates. Kjo eshte elementare per nje transport urban normal.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje