Kryeparlamentari Ilir Meta tha se LSI nuk ka asnjë mëdyshje për votimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ai ka thënë se të 19 votat e kësaj partie në Kuvend, do të jenë pro Byrosë.
Ndërsa lidhur me disa qendrime të dyzuara të shfaqura nga deputetët e LSI-së, Meta tha se qendrimet e LSI-së për reformat e mëdha, i mban ai dhe kryetari i grupit parlamentar.
“Tani besoj dhe shpresoj të ketë mbërritur drafti në Kuvend dhe të fillojmë menjëherë procedurat. Të nisë sa më shpejt nga puna, nuk shoh asnjë problem, nuk shoh asnjë shqetësim.
Sa herë që dikush nuk ka qejf të bëjë diçka, thotë e pengon LSI.
Ne e kemi votuar Byronë e Hetimit në Kuvend, e kemi hetuar edhe dje. Do të votojmë çdo reformë që i shërben transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar.
Opinionet që mund të japë një deputet apo një përfaqësues këtu apo atje, janë mjete të komunikimit demokrat. Ne nuk i ndalojmë deputetët.
Qëndrimet bazë të LSI sa i takon reformave të mëdha, i mban kryetari i saj dhe kryetari i grupit parlamentar. 19 votat tona do të jenë për reformat, me kusht që të jenë të certifikuara nga partnerët ndërkombëtarë”, tha Meta.
Lidhur me vizitën e sekretarit John Kerry në Tiranë, Meta tha:
“Pavarësisht asaj që do dëgjojë gjatë kësaj vizite, unë e siguroj se brenda pranverës do përmbyllim reformën në drejtësi. Të gjithë aktorët politikë mbështesin reformën në drejtësi, se pajtohen me faktin që ka nevojë për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë”.