Antonio Conte marrëveshje me Chelsea

23 Shkurt 2016, 16:16Sport TEMA

Antonio conte drejt stolit të Chelsea. Sipas mediave italiane, trajneri është kandidati favorit në garën për stolin e bluve të Londrës. Madje, gazetat përtej Adriatikut shkojnë edhe më tej, duke folur për arritjen e një marrëveshje parimore ndërmjet teknikut të përfaqësueses së Italisë dhe pronarit të klubit anglez, Roman Abramovich.

Akordi ndërmjet palëve besohet se është arritur në vizitën e Conte-s në kryeqytetin anglez gjatë muajve të kaluar. Nëse marrëveshja për emërimin e trajnerit në Stamford Bridge është mbyllur, nuk përjashtohet mundësia që Abramovich ta zyrtarizojë Conten prej muajit mars.

Në periudhën e takimit me pronarin e Chelsea-t, ish-drejtuesi i stolit të Juventusit ka vëzhguar strukturat teknike të kompleksit stërvitor të ekipit. Kushtet e jashtëzakonshme të punës dhe mundësia për të nisur një projekt afatgjatë e kanë bërë entuziast Antonio Conte-n, që po përgatitet për një aventurë të re në Premier League-n angleze.

Në këtë mënyrë, drejtuesi i stolit të Italisë duket më i avantazhuar se Diego Simeone dhe Masimigliano Allegri, të cilët ishin dy alternativa të tjera për Chelsea-n.

Pavarësisht dyshimeve për gjuhën, me Conte-n që duhet të nisë menjëherë kurse të avancuara të anglishtes për të komunikuar me mediat dhe lojtarët, momentalisht ai është një prej teknikëve më të kërkuar në merkato.

Trajneri nuk ka ndërmend të vazhdojë punën në krye të Kombëtares italiane pas përfundimit të Euro 2016, ndërsa në një klub me financa solide si Chelsea ai mund të rigjejë stimujt për të synuar të tjerë suksese pas atyre me Juventusin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje