Pas publikimit të fotos nga gazeta TemA, ku shikohet se Edi Rama ka pasur një takim me gratë protestuese të PD dhe një bashkëbisedim të nxehtë me Pamelën, kjo e fundit u detyrua t’i bëjë një raport Kunatit për incidentin e ndodhur dhe t’i shpjegojë se si e mposhtën Edi Ramën.
“E di që jeni shqetësuar nga ato që kanë botuar gazetat, sikur unë flirtoj me Edi Ramën, por e vërteta e asaj foto është shumë ndryshe. Edi Rama kërkoi leje të afrohej tek tavolina, pasi u sigurua nga Garda që nuk kishim letra të lagura me vete dhe nuk kishim vezë. Kolegia ime nga Peqini kishte marrë bukë me vezë të ziera dhe djathë me vete, por ja kishte marrë roja i Gardës vezën dhe kishte vetëm bukë e djathtë në çantë. Kështu që nuk kishim mjete për ta sulmuar.
Në këto kushte vendosëm ta sulmojmë në mënyrë verbale.
Sapo ai u afrua, unë e paralajmërove se nëse më thërret dhe një herë Pamela, do ta ketë punën pisk. Ai u detyrua të tërhiqej dhe më tha “e pranoj kërkesën tuaj, edhe pse në mendje do të kem si Pamela, do ta them emrin ndryshe”. Gjunjëzimi i tij erdhi si pasojë e forcës sonë dhe dobësisë së atij. Kur u afrua, atij i dridheshin duart dhe i hidhte sytë sa nga unë, aq dhe nga kolegia ime seksi nga Peqini, por në fund u dorëzua dhe u përqëndrua vetëm tek unë. Kur e pashë që e mposhta, vendosa t’ia numëroj të gjitha.
-Po mirë mo, si s’të vjen zor, i thashë, se jemi dhe miq, të kam ardh në shtëpi, kam pirë një kafe, si ma bën atë në sy të publikut.
-Po hë mo dhe ti, më tha, sa shpejt mërzitesh, vetëm se s’të kam fol një herë në parlament se nuk e kisha mendjen.
-Jo, mendjen e kishe, se të pashë që shikoje nga Majlinda, i thashë.
Aty ngeli ai, s’kishte çfarë të thoshte, dhe tha “jo, po shikoja nga Jozefina, të bëja xheloz Doktorin”.
Nejse, në fund u detyrua ta pranonte se më kishte shmangur një ditë me qëllim, duke mos më hedh sytë në Kuvend dhe këtë e pagoi shtrenjtë me një protestë para Kryeministrisë.
-Guxo bëje prapë, i thashë, dhe sillu si garip, se e di vet çfarë të pret.
-Të betohem që do sillem mire, më tha, nuk e përsëris më.
E rëndësishme ishte se gjatë gjithë bisedës, ai u tregua i përunjur me ne dhe në fund i çarmatosur tërësisht, u dorëzua dhe tha “telefonin tim e keni, po keni ndonjë hall më shkruani”.
Kolegia ime nga Peqini u çudit shumë nga fjalori i tij dhe tha e çuditur, “ua, mos na bën agjente ky moj, po i shkruam”.
-Jo jo, i thashë unë, mos ça kokë, se ashtu do kishin dalë agjente gjysma e grave të PD.
Pas kësaj, Rama iku me bisht në shalë, dhe ne e fituam betejën me të. Kur Rama iku, arriti dhe Albina, që i merej fryma, se nxitoi sa e kishte marrë vesh.
-Ishte ai maskarai këtu, tha?
-Po, i thamë ne.
-Çfarë tha për mua, pyeti e egërsuar?
-E pranoi që e meritonte mitingun tek Kryeministria, i thashë.
-Ua, qenka njeri i arsyeshëm, tha. Si nuk e takova dhe unë!
Ideja është që ai tani është i përulur para nesh dhe ne mund t’i kërkojmë ç’të duam. Kjo mendoj se është fitorja jonë më e madhe si gra të PD.”