Tre tezat e mëdha të Doktorit

5 Mars 2016, 20:53Antena TEMA

Doktori më në fund vendosi të shkojë tek “Zona e Lirë” në TV Klan për të bërë publike tre tezat e tij të mëdha për të ardhmen e demokracisë.

Teza e parë e Doktorit është nevoja për demokraci të brendshme në parti. Duke marrë shkas nga fërshëllimat ndaj Ben Blushit në Elbasan, Doktori bëri thirrje për revolta popullore kundër atyre që kanë fërshëllyer Ben Blushin. Sipas Doktorit, një akt i tillë, i paprecedentë në historinë e politikës shqiptare, do të hyjë në analet e historisë si “Pleniumi i Elbasanit” dhe do të njollosë përjetë demokracinë e brendshme në Partinë Socialiste. Nisur nga kjo, Doktori foli për kontrastin e thellë që ekziston mes PD dhe PS në këtë pikë.

-Po ju jap vetëm një shembull, tha Doktori. Tani Edi Rama është kryetar, dhe Lulzim Basha është kryetar. Shkon Ben Blushi si kundërshtar i Ramës, apo si kritik i tij më mirë të themi, dhe ngre disa çështje. I ngrihet gjithë salla i fërshëllen. Turp!

Merrni partinë tjetër, partinë time, partinë tonë d.m.th. Lulzim Basha është kryetar. Ngrihem unë si njeri i pakënaqur nga kryetari dhe bëj disa kritika. Gjithë salla më duartroket dhe fërshëllejnë Lulin. Kjo është demokracia mo zotëri, jo ata. Ata janë banditë, janë vrasës, janë kriminelë.

-I madh Doktori, i madh, ja preu Çani.

-Teza e dytë. Aleanca me Ilir Metën, ose jo. Ata që shtrojnë këtë pyetje janë provokatorë dhe duan të bëjnë diversion. Kjo pyetje është e parakohshme. Aleancat vendosen si rregull pas 1 prillit, kurse tani jemi në mars. Nga ana tjetër, aleancat pas zgjedhjeve vendosen gjatë muajve të verës. Kështu që pyetjet bëhen para për t’u djegur. Ne nuk duhet t’ia ekspozojmë kurrë armikut taktikën tonë. Këtë ja kam thënë dhe Bashës dhe ma ka pranue. Tani s’kam ç’u them më, me të pare, me të bërë.

-I madh Doktori, i madh. Fjolla, puthe pak, i tha Çani.

-Teza e tretë. Edi Ramës i ka ardhur koha për azil politik. Këtë e ka të sigurtë. E kam biseduar shpesh me Kaçin këtë tezë dhe ai thotë, se ajo që kemi bërë ndaj tij më 1993, që e detyruam të ikte azilant në Gjermani , ishte një ngatërresë personi, por ishte akt i drejtë. Njeriu që duhet të paguajë tamam si azilant është Edi Rama. Dhe këtë do ta ketë të sigurtë. Për këtë e garantojmë, pasi kur të vijmë në pushtet, ne do ndërtojmë shtet ligjor dhe ai zotëri në shtet ligjor, nuk duron dot, do iki në azil.

-I madh Doktori, i madh, tha Çani. Ulu dhe ti Angela në krah të Doktorit. Ka lezet kështu, në krah të Fjollës e Angelës. Do çmendet Karmina fare, se ajo s’ka asnjë foto me ty Doktoooor. I madh Doktori, i madh!

1 komente në “Tre tezat e mëdha të Doktorit”

  1. Goni says:

    Po kjo Karmina e ka keshtu emrin se eshte qeflie cari apo se eshte martuar me nje car se di a mund te ma thote kush…?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje