Juventus rekordesh në vitin 2016.
Pas problemeve të fillimit të sezonit, bardhezinjtë e morën veten në mënyrë të jashtëzakonshme, duke i kaluar edhe pritshmëritë.
Zonja e Vjetër u kthye në krye të Serisë A sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Paraqitjet në pjesën e parë të vitit 2016 janë të pabesueshme.
Në Europë, vetëm Barcelona ka mesatare të njëjtë pikësh si Juventusi.
Skuadra e Luis Enrique po marshon drejt titullit në Spanjë me një mesatare prej 2,83 pikësh në ndeshje, ndërsa të besuarit e Allegrit janë në kuotën e 2,82 pikëve.
Praktikisht e njëjta ecuri, edhe kur analizohet raporti i ndeshjeve të luajtura dhe fitoreve të regjistruara.
Katalanët kanë fituar 11 nga 12 ndeshjet e zhvilluara në La Liga, të cilave u shtohet një barazim.
Në total, Barça ka grumbulluar 34 pikë.
Juventusi në anën tjetër ka fituar 10 nga 11 ndeshjet e luajtura, duke barazuar vetëm me Bologna-n, për një total prej 31 pikësh.
Blaugranat dhe bardhezinjtë pozicionohen në majën e Europës në mënyra krejt të ndryshme.
Ecuria e Barcelonës lidhet me forcën e jashtëzakonshme në fazën sulmuese, me 38 gola të realizuar prej fillimit të vitit, përballë 22 të Juventusit.
Nga ana e tyre italianët kanë një mbrojtje hermetike, me vetëm një gol të pësuar, përballë 7 të spanjollëve.
Në vendin e tretë të renditjes speciale, pozicionohet Borussia Dortmund që mesatarisht ka grumbulluar 2,50 pikë për ndeshje, ndërsa në vendin e katërt ndodhet Napoli me 2,36 pikë./ SS