U luajtën katër nga pesë ndeshjet e javës së 25-të të Superiores. Sfida përmbyllëse do të nisë në orën 17:00, në stadiumin e Korçës, mes Skënderbeut dhe Teutës. Fitore me shumë vlera ajo e Vllaznisë në Pukë, ndërkohë që Tërbuni dhe Bylis dalin duarbosh në këtë “stacion” të garës, duke humbur brenda në shtëpi.
Partizani nuk fal – Në “Adush Muça” ka triumfuar Partizani, falë dy golave të realizuar nga Vila dhe Trashi, në secilën pjesë loje. Me fat në zhbllokimin e shifrave skuadra e kuqe, sepse portieri Frashëri e ka grushtuar keq një top në zonën e vet, duke ia dhënë në formë asisti durrsakut, që me një goditje të diskutueshme, e ka dërguar në rrjetë. Goditje psikologjike për vendësit, ndërkohë që “demat” bëhen me krahë. Vihet re një tërheqje e Partizanit në mbrojtje të avantazhit, më tej, çka i lejon Bylisit të krijojë volum të madhe loje, të jetë ngacmues në portën e Hoxhës, por pa shënuar dot. Me fillimin e pjesës së dytë, vendësit hidhen totalisht në sulm, për të barazuar shifrat.
Por, nuk kalojnë tri minuta nga ky fraksion loje dhe Partizani dyfishon shifrat. Një “sllallom” mbresëlënës i Fejzullahut nga krahu i djathtë, që jep një pasim të përpiktë në zonën mallakastriote, ku Trashi vetëm duhet ta shtyjë topin në rrjetë. Një tjetër goditje për Bylisin, që, megjithatë, i shkarkon të gjitha bateritë, duke tronditur në një rast edhe traun e portës së të kuqve. Agostineli bën freskimin e formacionit, duke kryer zëvendësimet e duhura, me qëllim për të ruajtur ekuilibrat dhe rezultatin. Përfundimisht, ashtu si në fazën e parë, kryeqytetasit dalin me tri pikë nga kjo transfertë, ndërsa “qajnë” barazimin 1-1 në “Qemal Stafa”, në fazën e dytë.
“Poker” i Vllaznisë – Në Pukë ka shfryrë dufin e vet, në njëlloj derbi mbijetese, Vllaznia e Cungut. Me fat kuqeblutë, që kanë shënuar shpejt, që në minutën e 6-të, me anë të Çinarit. Kjo i ka qetësuar shkodranët, të cilët i janë imponuar skuadrës vendëse në tërësi. Katër gola i kanë dhënë tri pikë tepër të çmuara Vllaznisë, ndërkohë që pas Çinarit (7’), ka shënuar edhe dy herë të tjera Arenc Dibra (59’, 75’), dhe Dyca (88’). Referuar kronikës së lojës, duhet përmendur edhe fakti se Vllaznia ka humbur një penallti, në minutën e 48-të. Vrapi godet nga pika e bardhë, por topi përplaset në shtyllë. Vllaznia ngjitet në kuotën e 23 pikëve, duke lënë pas tri skuadra të tjera, Flamurtarin, Bylisin dhe Tërbunin.
Barazim në “Selman Stermasi” – Vlonjatët kanë marrë një barazim në “Selman Stermasi”. Loja e fortë dhe me mjaft mundësi nga të dyja skuadrat nuk është konkretizuar me gol në portat respektive. Ilion Lika ka bërë mrekullinë në disa raste, duke i mohuar Tiranës golin e epërsisë. Pjesa e dytë ka qenë një dialog i gjatë mes sulmeve të vendësve dhe mbrojtjes e portierit kuqezi. Stadiumi bosh, pa praninë e tifozëve bardheblu, që kanë protestuar për situatën në klub dhe humbjet radhazi të derbit me Partizanin, duket se ka pasur ndikimin e vet negativ te të besuarit e Dajës. Shto këtu edhe mungesat, misioni “fitore” për Tiranën ka qenë i pamundur. Shtyllat e Fukuit dhe Lushtakut shkojnë në drejtim të barazpeshës rezultative, që nuk kënaq sa duket asnjërën skuadër. Me 40 pikë, pas 25 javësh kampionat, skuadra më e titulluar në Shqipëri e sheh veten në vendin e pestë, duke lejuar që Teuta dhe Kukësi të jenë më të avantazhuar për zonën europiane.
Emini nderon Kukësin – Në Kukës ka vendosur Izair Emini. Lojtari i ardhur në merkaton e janarit te nënkampionët e vendit ka kurorëzuar përpjekjet e shumta të verilindorëve, teksa ka shënuar në portën kurbinase, në minutën e 73-të. Shqiptari nga Maqedonia ngjitet kësisoji në kuotën e 6 golave me kuksianët, duke u kthyer në njëlloj Pero Pejiçi në “Zeqir Ymeri”. Me këtë fitore, Kukësi parakalon durrsakët në vendin e tretë, në kuotën e 41 pikëve. Megjithatë, duhet pritur që Teuta të luajë në Korçë, për të mësuar përfundimisht nëse “djemtë e detit” do të afishohen si pauses të kuksianëve në klasifikim./ Telesport
Kategoria Superiore, java e 25-të
KUKËSI-LAÇI 1-0
Golat: Emini 73’
TËRBUNI-VLLAZNIA 0-4
Golat: Çinari 7’, Dibra 59’, 75’, Dyca 88’
TIRANA-FLAMURTARI 0-0
BYLIS-PARTIZANI 0-2 Golat: Vila 8’, Trashi 48’
Bravo e modhe per Partizonin dhe,Turp i modh per tironen. Vllaznia duhet ne superlige,kurse sa per Kukesin :bukur ja ka bo Laçionve.Ishallah fitojne Durrsaket dhe ta shohin pastaj kernackat.Keshtu hapet kampionati dhe te fitoi me i miri pastaj