1 milionëshi i dytë!

21 Mars 2016, 20:23Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Basha- Fazlliç në historinë e Telekomit, Rrugës së Kombit dhe Megatek, dhe betejën elektorale kundër Olldashit.

E kisha harruar Damir Fazlliçin, dhe pse më shfaqej shpesh në bulevard, dy hapa para kunatit të Lulzim Bashës, i cili ndërronte vazhdimisht makina me mbi 100 mijë euro. Një ditë, në vitin 2006, aty nga fillimi, m’u shfaq përballë dhe më tregoi se kishte sjellë Tom Ridge si këshilltar të Berishës.

– Do t’i sjell dhe Klintonin, tha, nga fillimi i janarit 2007.

– Shumë mirë, i thashë, dhe u ndava me të.

Më tha diçka rreth një shkrimi që kisha bërë në gazetë për Telekomin.

-Je gabim , tha. Nuk është ashtu.

Në të vërtetë deri në atë moment nuk më kishte dalë emri i tij në atë histori, por kisha vetëm dyshime. E gjitha çfarë unë kisha, ishte një raport i brendshëm i sektorit antikorrupsion në Kryeministri, që e nxinte këtë histori. Miliona euro trafik transferoheshin përmes një kompanie të vogël telefonike, që ishte dhe kompani interneti në Shqipëri, e afërt me Berishën, që drejtohej nga një këshilltar i tij.

-Jam unë me disa miq amerikanë aty, tha.

U përpoqa të thellohesha në letrat që kisha, por fare papritur ishte marrë kthesa. Damiri dhe e dashura e tij në Uashington, kishin peshkuar një kompani amerikane, nën premtimet spektakolare të tij, si mik i Berishës, dhe i kishte bindur ata të parapaguanin për një politikan të rëndësishëm në Shqipëri, dhe pastaj punët do të shkonin vaj. Kontakti i vetëm në qeveri i Damirit, ishte Lulzim Basha dhe mburoja ishte Sali Berisha. Edhe pse dua të besoj se Berisha kishte filluar të zhytej në korrupsion, sërish është e vështirë që Fazlliç të ketë paguar direkt atë. Pista më e sigurt ishte Lulzim Basha, i cili në hije po përgatitej për zgjedhjet e 2007-s si kandidat për Bashkinë dhe se paratë ishin marrë me atë arsyetim.

Fazlliç ishte bërë aksioner në një kompani amerikane përmes një dege të tij në Qipro. BIRN zbuloi më vonë se kunati i Lulzim Bashës, kishte tërhequr një herë vetë 56 mijë euro nga kjo kompani, duke qenë administrator i kompanive të Fazlliçit, dhe se biznesi i tyre kishte filluar të ecte mirë.

Ajo që unë shikoja, ishte se afera e Telekomit po mbyllej papritur, edhe pse ishte nisur nga vetë Berisha.

Për hir të së vërtetës, unë dyshoja shumë tek drejtori i ri i ardhur me katapultë nga SHBA në krye të Telekomit, por pas aferës qëndronte vet Lulzim Basha.

“Ginn dhe Altavilla, dy ortakët e Fazlliçit, i thanë BIRN një vit më parë se se “ata morën bashkarisht një kredi një milion dollarëshe dhe ia transferuan paratë Fazlliçit në llogaritë e tij personale në bankën HSBC në SHBA, si dhe në ishullin e Xhersit, parajsë fiskale britanike”.

Pra, ashtu si një milionëshi i parë i zgjedhjeve për të cilin nuk ka më letra, dhe ky një milionëshi i dytë, për të cilin ka gjurmë, duket se ka shkuar të ndahet mes Bashës dhe Fazlliçit, me arsyetimin se Basha do të ishte kandidat i PD përballë Edi Ramës më 2007.

Mënyra se si po shuheshin zërat për korrupsionin në Telekom, ishte shumë dyshuese. Ja thashë këtë Sali Berishës në zyrë, pasi kisha botuar shkrimin e parë.

I ulur në një tryezë të ulët, në qoshen e zyrës afër dritares, që shikon mbi Bulevard, ai u ra papritur gjunjëve, u çua në këmbë pak nervoz, një shenjë kjo që dhe unë duhet të çohesha.

-Shiko, e di, tha, por kam frikë se ka bërë gabim auditi im. Duhet korrigjuar ai raport, se nuk është korrekt.

M’u desh t’i tregoj se drejtori i Telekomit ishte një person I dyshimtë në këtë histori

– Mos boto gjë, më tha, se po e kapa, do ta fus në burg. Por nuk më bëri shenjë të ikja.

I zënë ngushtë, mori telefonin dhe filloi të flasë anglisht. Po fliste me Damirin. Po i kërkonte atij “t’i binte ato letrat që i kishte premtuar për Telekomin”. Pas kësaj, biseda u mbyll dhe nuk mora vesh gjë se si do ta hetonte.

Damirin në të vërtetë fillova ta shikoj më shpesh me Shkëlzenin. Ky i fundit ishte bërë njëfarë drejtori Juridik në “Eagle Mobile”, kompania e fjetur celulare e Telekomit në atë kohë. Nuk e di çfarë ndodhi, por sulmet ndaj privatizimit të Telekomit u stopuan, dhe pas disa muajsh u lidh marrëveshja.

Po afronte nëntori dhe kandidati i PD për kryetar bashkie nuk ishte më në horizont.

Lulzim Basha ishte përgatitur të ishte kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës. Së paku, Berisha kishte lënë të kuptohej kjo publikisht. Me këtë madje kishte justifikuar dhe prishjen e “Zogut të Zi”. Kjo e fundit ishte një kombinim perfekt i një interesi thjesht personal të njeriut më të afërt të djalit të kryeministrit, shoferit të familjes Berisha, Fatos Skeja. Ai ishte aksioner tek pallati i madh tek “Zogu i Zi”, aty ku kalonte muri i mbikalimit. Kaq e thjeshtë ishte arsyeja. Në një rreth të ngushtë, Shkëlzeni ja kishte marrë përsipër prishjen, dhe Berisha e shfaqi aq papritur ambicjen për ta prishur mbikalimin, sa dhe Lulzim Basha u hutua.

Më mori në telefon Blendi Fevziu, i cili në atë kohë punonte si komentator tek gazeta “TemA”, dhe më tha se Basha ishte i shqetësuar, se Berisha i kishte kërkuar të prishte “Zogun e Zi”. Dhe i kishte kërkuar Fevziut “të ndikonte të mos bëhej kjo”.

Ajo çfarë kisha dëgjuar nga biseda mes Shkëlzenit, të zotit të pallatit dhe një shoku të tyre, po më vërtetohej.

-Nuk e di mire, i thashë Fevziut, por diçka kam dëgjuar.

-Është skandal, tha Fevziu. Dhe Basha ishte i trembur.

Vendosa ta pyes direkt Berishën në emisionin “Opinion”

– A mund ta na e shpjegosh thjesht, si të lindi ideja për ta prishur “Zogun e Zi”? T’u fiksua vetë, apo ta sugjeroi dikush, që është diçka e shëmtuar?

Pyetja ishte fare e thjeshtë. Ai u turbullua pak dhe sajoi diçka.

– S’e mbaj mend mirë, tha, më erdhi një letër në zyrë, më thoshte që ky është një turp…

Ishte krejt i paqartë. Dhe kur mbaroi emisioni, më tha me gjysëm konfidence:

-Po ti o zotëri, këtu pret të sqarohesh, nuk pyet dot në zyrë?

-Jo, jam i paqartë, i thashë, se nuk e kishit në program elektoral.

Iku disa hapa para, sikur nuk donte të dëgjonte më.

Po e bëj këtë kthim mbrapa, ndërkohë që po zgjidhej kandidatura e PD për zgjedhjet në Tiranë. Për shkak të heroizmit që i ishte bërë prishjes së “Zogut të Zi” prej Bashës, mendonim se ai do ishte kalorësi përballë Ramës. Bisedat filluan të ndërrojnë dhe Fazlliç ishte përditë e më shumë në zyrën e Berishës. Dalja e Bashës në zgjedhje e eliminonte atë nga skena dhe linte në mes projektin e “Rrugës së Kombit”, ku Fazlliç sërisht kishte ngulur kthetrat e veta.

Fazlliç po merrej me firmën konsulente, ndërsa kunati i Lulzim Bashës me nënkontraktorët shqiptarë. Konsulenti ndërkombëtar “Ecorys Netherland BV”, u gjend nga Holanda, andej nga vinte Basha dhe kunati i tij.

U bë një lëmsh i vërtetë, pasi aq shumë ishin nxituar në këtë çështje, sa vendimi i parë që mban datën 10 korrik 2006, ka caktuar si konsulente “Ecorys Group”, në një kohë kur në datën 14 qershor 2006 (qershor) me VKM 481, përmendet kjo shoqëri, e cila ka bërë propozimet për kriteret e klasifikimit të tenderit ndërkombëtar për rrugën Rrëshen-Kalimash, si firmë konsulente (pra, një muaj para caktimit me VKM, konsulenti “Ecorys Group” është përmendur në VKM nr. 481 si konsulente).

Ky skandal mund të mos tregojë thelbin e korrupsionit në atë rrugë, por thelbin e arrogancës dhe vendimeve të parapërgatitura nga dyshja Basha – Fazlliç. Ata ishin në kulmin e pazareve në një rrugë ku është varrosur praktikisht stabiliteti makrofinanciar i Shqipërisë.

Një kandidim i Bashës dhe një humbje e tij në zgjedhje  ishte një targjedi për ta. Sali Berisha pranoi skemën e tyre. Fare papritur ai bëri sikur s’e kishte vendosur kush do ishte kandidat dhe po shikonte përditë e më shumë nga Olldashi dhe Bamir Topi. Ky i fundit ja bëri të qartë se nuk ishte i gatshëm.

Atëhere Berisha nervoz, në një mbledhej Kryesie i kërcënoi prerë.

-Të gjithë duhet të jeni të gatshëm për kandidatë, tha. Nuk dua që askush të refuzojë nominimin ng partia. Këto janë rregulla. Ndryshe dëmtohet partia, pasi duket sikur nuk kemi kandidat.

Prozhektorët ishin drejtuar nga Sokol Olldashi, i cili nuk kishte pikën e dëshirës për të hyrë në atë garë. Deri në atë kohë ishte ministër i Brendshëm, kishte marrë një farë emri të mirë me arrestimin e disa bandave të lidhura me politikën dhe stabilizimin e rendit, përfshi dhe njerëz që kishin punuar për të në fushatë elektorale.

Berisha e thirri mënjanë dhe i tha se nuk kishte kandidat tjetër veç atij. Olldashi e pranoi pa hezitim para Berishës, por me dyshimin se po përdorej për t’u djegur.

Fazlliç u rishfaq në Tiranë. Tashmë, me dy a tri amerikanë të tjerë që i paraqiste po si konsulentë. Bombardimi ishte ekstrem. Sokol Olldashi u la në hije dhe fushatën e mori përsipër Sali Berisha. Ishte ajo që donte Edi Rama. Ai çdo ditë dilte i përgjigjej Berishës, kurse Eduard  Shalsi, Sokol Olldashit. Fazlliç dhe amerikanët e tij ngulnin këmbë se ishte në rregull.

Ndërkohë, brenda PD inati ndaj Olldashit ishte si valë zemërimi. Të gjithë e identifikonin atë gabimisht me pushtetin e Berishës, pa qenë askush. Ata që ishin realisht pushteti i tij, ishin po ashtu kundër Olldashit.

Nuk kam parë në asnjë fushatë elektorale aq shumë armiq nga një parti kundër kandidatit të tyre. Kishte kundër KOP-in në bllok, udhëhequr nga Basha, kundër në bllok votat e qytetarëve të vjetër të Tiranës, të identifikuar si mbështetës të zemëruar të Bamir Topit, i cili deri në atë kohë ishte lënë thuajse rrugëve pa asnjë pjesë në pushtet, kishte kundër njerëzit pa pushtet brenda PD, se mendonin që ky ishte i përkëdheluri i pushtetit.

Fazlliç ishte shumë i shqetësuar, pse unë isha shumë afër Olldashit. Mendonte se diçka po bënim që ai të fitonte. Dhe unë përpiqesha t’ia shtoja dyshimin sa herë më pyeste, edhe pse e shihja që ishte betejë e humbur. Sa herë më dilte para, më pyeste: “A do fitojmë?” Dhe unë i thosha, “po”..”po”…

Botimi në gazetën “Shekulli” e një liste personash në kërkim që ia atribuonin Olldashit, si miq të tij, ishte banal për ne që e dinim të vërtetën, por ndihmonte klimën kundër tij. E dija që mund ta kishte dërguar Geri Kokalari, se ai kishte lista të tilla në dispozicion. Por Kokëdhima më la të kuptoj se kishte ardhur nga dikush afër Berishës dhe larg Olldashit. Kokalari thjesht ishte përdorur si postier.

Olldashi humbi thellë dhe Fazlliç m’u zhduk nga sytë bashkë me amerikanët e tjerë. 1 milonëshi i dytë i tij i marrë gjoja për fushatë elektorale, tani po investohej në bizneset e përbashkëta me Lulzim Bashën dhe miqtë e tij. Humbja e Olldashit u hapte orekse të reja, pasi tani Basha mendonte se rrugën e kishte të hapur.

Dhe ja kishin vënë syrin ndërtimit të Megateku-t. Llazi Angjeli, një biznesmen nafte, ishte pengesë për ta, pasi kishte një pikë karburanti mu tek kthesa që duhet të futeshe tek toka ku ndërtohej Megatek. Dhe i kishin rënë shkurt. I kishin çuar një urdhër për prishje.

Llazar Angjeli, një kushëri i afërt i Filip Çakulit dhe pak më i largët me Anastas Angjelin, kishte tani një problem serioz. Po i prishnin një pikë karburanti në autostradë në dalje të rrugës për në Rinas. Ai thoshte se e kishte gjithçka me leje.

I shkova në zyrë me Mitro Çelën dhe Filip Çakulin. Shkuam të tre bashkë te Lulzim Basha. I shpjeguam problemin shkurt, me humorin e Filipit dhe brutalitetin tim. I thashë se Angjeli mendon se ti po ia prish politikisht. Nëse e ke politikisht, mos e bëj, se ti nuk ke qenë në Shqipëri, dhe nuk e di kush është ai biznesmen. I tregova se Sali Berisha në vitin 2004 kishte premtuar publikisht se nuk do ta prekte biznesin, pasi, siç kishte thënë ai, “nuk kemi punë me Llazi Angjelin, por me Anastas Angjelin”.

Basha u duk i prerë. “E ke gabim, tha. Nuk kam asgjë politikisht, por teknikisht. Dhe një thes me pambuk sikur të vësh atje, duhet hequr, e jo më karburanti. Është jashtë kondicioneve teknike, më besoni”.

Na e mbushi mendjen të treve që duhej prishur. Mua më mbajti më vete nga pas, si për t’u treguar dhe më konfident dhe po ashtu ma rimbushi mendjen që duhej prishur. Më la të kuptoj që është dhe pak politike.

-Nëse e ke politike, flas unë me Berishën, i thashë, mos e bëj!

– Jo jo, mos fol, tha, se është teknike, por ta thashë kot, se unë si njoh mirë këta.

Ia thamë me dhimbje Llazit. Një muaj më pas isha në Sarandë me Filipin, kur kamerieri na dërgoi nga një uiski falas.

– E keni nga Llazi, tha.

Përshëndetëm Llazin me zemër të thyer, se s’i kishim mbaruar punë. Por ai dukej i qeshur.

-Unë budallai desha të merrem me ju, tha. Ju jeni për të prishur punë. Unë ju nisa ju, ngaqë ka dalë fjala që këta të Doktorit nuk marrin lekë.

Ngelëm pak si të hutuar, derisa Llazi na tregoi se e kishte zgjidhur punën. Dhe karburanti në fakt, “edhe pse nuk është një thes pambuku”, siç tha Basha, është në vendin e duhur. Kunati i Lulzim Bashës dukej po ashtu më i krekosur rrugëve. Dhe me makinë të re po ashtu.

E gjitha çfarë kishte ndodhur, ishte se ata kishin detyruar Angjelin të bënte pazar, t’i lejonte të zbrisin për tek “Megateku” përmes tokës së tij dhe pastaj gjithçka ishte në rregull.

I zemëruar sa më s’ka, bëra telefonatën e fundit me Lulzim Bashën. I thashë se Angjelit nuk ja kishte prishur karburantin, ndryshe sa na tha ne se do ta prishte “dhe po të ishte thesë pambuku”.

-Po pra, tha, nuk ja prisha, a më thatë mos ja prish?!!

Nuk di pse më feksi fytyra e tij prej mashtruesi dhe në ekran të telefonit, qe athere ishte nje Nokia i vjeter.

8 komente në “1 milionëshi i dytë!”

  1. bonbon says:

    Ah sa te behet reforma ne drejtesi se pastaj ketyre politikaneve kriminele do tu…….. Nejse asgje ska per tu ndodhur hajduterve e vrasesve me kollare. Do behen perseri kryetare parlamenti,kryeministra e ministra. Rrofte Rrumpallistani.

  2. Anonim says:

    normal qe Saliu e ka fajin – sa ta mban djalin ne pune Lali Eri! palo gazetar

  3. Beniku says:

    Nuk kemi se s’komentojme! Jane te gjitha te ditura. Keto do te ndodhnin ,kur ram ne dore te njerezve te pa njohur ,te pa shkolluar si Azem Hajdari .,apo bukeshkale si Pashko e te tjere. POpulli e kuptoi po e kuptoi vone e duhet shume kohe per t’a larguar te keqen. Gjykatat po kane vdekur ……… Ndoshta kjo reforma e drejtesise do t’i shkundi,po nuk me ha buza kulac ,thote populli.

  4. hajduti says:

    Ja sa te kthehet nga Amerika dhe do te bashkohet me civilet e Liqenit sepse eshte parimor i madh.Po te hapet dheu eshte pak,kaq shume kane vjedhur sa nuk ka,por nuk ngopen ,duan ta mjelin akoma,ato dokrrat per demokracine,lirine,e perrallat e Fazllicit nuk i ha me njeri.Po ne burg kush hyn,A ka akuze direkte ne prokurori nga ndonje person apo shoqate apo parti?
    Fazllicit i lumte,edhe Bashes i lumte.edhe Rames i lumte,edhe Metes i lumte vetem neve nuk lane te lumtur.Na eshte bere zemerimi si leng qe rrjedh.Asgjekundi nuk ka drite.

  5. Paulsad says:

    Ballistat e Rinj .U be gabim qe ne 1945 nuk ju preh nga nje veshe ballistave qe te njiheshin gjithe jeten,kurse tani eshte Koha qe ballistave te rinj tu prehen te dy veshet.Imagjonoheni vicidolisti pa veshe sa I bukur do duket.

  6. Piro says:

    Ky eshte lulzim Basha dhe ujqrit e gruas. Mero, ke te drejte. po keto shkrime sot a vlejne kur pasuria e ketyre bicimve eshte prrallore dhe me ate gjunjezojne cilindo. Mjere vendi…

  7. Konica says:

    O meroooo po mjafton ta shikosh si e ka buzeqeshjen ky lulushi dhe e kupton qe eshte mashtrus genjeshtar frikacak servil hajdut me pak fjale I ben te gjitha..

  8. tomsojeri says:

    Mero ! Kam vite qe te ndjek dhe shkrimet ne kte gazet me kan mbajtur afer dhe vazhdimisht besnik i saj qe sapo hap kompiuterin mar shijen qe te fal lajmi,editoriali,blogu e ajo cka me intereson te di per sa ndodh ne Shqiperi ! Sa vjet u ben qe lexoj ktu por edhe te Dita realitetin e kesaj tradhtie personazhesh qe kan udhehequr Shqiperin ! Sa forc e sa kurajo ,sa paturpesira rrenqethese na esht dhen rasti te lexojm !!!! Dikur kur perbindeshi kishte pushtetin kishte dhe mundesin ti zhdukte gjurmet e krimit ndonese dukeshin si nje “permendore” diten per Diell ! Me doren e gjat dhe garden qe e rethonte ,hodhi sa deshi tym qe te fsheh faktet por ti bej edhe te pavler ato ! Vodhi sa deshi si deshi deri edhe voten duke na perplasur surratit se sa te dobet jemi ! Sot po lexojm fakte ,po ferkojm syt me cfar gangsterizmi esht udhehequr ky popull ! Po thuhen te verteta qe Eskobar do te kish zili qe humbi rastin ta kish konsulentin e par te tij se akoma do jetonte ! Cfar na mbetet te mendojm o Mero !!! Ky i qoft largu qe akoma vazhdon te mos i hyj gjemb ne kte germadh qe ndertoi me kte histori pa mbarim ,ku e ka forcen !!! Sa te dobet jemi ,sa pa gjak jemi,e ne fund te fundit cfar jemi !!!!!! Cfar duam ma e cfar presim ma !!! Cfar te tjera ka”thesi “yt pas atij te Izet Xaxhis! Si mundet te duartrokitet akoma e si mundet ti hec fjala ne partin qe drejtoi Shqiperin dhe esht pergjegjse per gjith cka lexojm sot, per ate qe e drejtoi qe diten e krijimit te saj ! Cfar do lexojm akoma ! Nuk ka prijes ne historin e cdo shteti qe vetem ka ber mrekullira pa mbeshtetjen e popullit ! Nuk ka popuul qe ne ditet e veshtira kur lengon nga varferia e padrejtesia ,nuk nxjerr nje prijes ta shpetoj e cliroj Ate ! Kemi shterur , nuk pkjell me “barku” i ktij kombi patriot qe te doj Atdheun e popullin e tij ! Nuk ka Avni Rustem qe te nderoj e te na bej krenar per emrin qe mbajm !……..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje