E ardhmja e Mario Ballotelit duket larg Europës. Forma jo e mirë që sulmuesi i Milanit po kalon, ka bërë që për 25-vjecarin të projektohet vazhdimi i karrierës në një tjetër kontinent, sipas gjasave në Azi. Për sulmuesin interesohet ekipi nga Kina, Jiangsu Suning. Edhe pse në ligat e mëdha europiane askush nuk e dëshiron Balotellin, drejtuesit e klubit kinez janë të gatshëm t’i ofrojnë lojtarit një pagë stratosferike prej 15 milionë Eurosh në sezon. SuperMario u transferua te Milani gjatë merkatos së verës, pas këmbënguljes së trajnerit Sinisa Mihajlovic. Por, forma e dobët e shfaqur te kuqezinjtë ka bërë që drejtuesit e “Djallit” të mos ia rinovojnë huazimin edhe për një sezon tjetër.
Balotelli u largua nga Liverpooli drejt Milanit deri në fund të sezonit, por duket se lojtari nuk bën pjesë në projektin e trajnerit të “The Reds”, Jurgen Kloop për sezonin e ardhshëm. Paraqitjet larg pritshmërive, si në Premier League ashtu edhe në Serinë A, kanë bërë që sulmuesi të humbasë dhe vendin e titullarit te Kombëtarja italiane, duke rrezikuar të mbetet jashtë Kampionatit Europian, “Francë 2016”.