Saki: Jam interist, politika vodhi Milanin

2 Prill 2016, 11:40Sport TEMA

Shtatëdhjetë vite “alla Saki”. Edhe pse mund të ketë lindur në 1 prill, futbolli i tij ishte gjithçka tjetër përveçse një gënjeshtër, përkundrazi, ai ishte intensiv, agresiv, gjithherë duke vrapuar në mënyrën e duhur, në presing, edhe atëherë kur kundërshtari mund të ishte “fati”.Arrigo Saki është i bërë kështu. 70 vite futbolli të luajtur “në të gjithë fushën”, pikërisht ashtu siç ai e koncepton këtë lojë.

Saki, kur u bë futbolli pjesë e jetës suaj?

Momenti i saktë ishte vera e vitit 1954. Isha me pushime me prindërit e mi, në det. Në stabilimentin ku ne akomodoheshim kishin vendosur një televizor, një ndër të paktit në atë kohë, ku transmetohej një ndeshje e Botërorit. Unë lashë çadrën dhe u rehatova përpara televizorit. Madje, duke qenë shumë i vogël, babai më uli sipër tavolinës në mënyrë që të shihja më qartë. Që nga ajo periudhë nisa të isha i fiksuar.

Cilët kanë qenë idhujt e tu?

Skuadrat e preferuara: Reali i Madridit, Hungaria dhe Brazili. Ndërsa lojtarët: Di Stefano, Skiafino, Pele.

Cili ka qenë roli juaj si futbollist?

E nisa si anësor i djathtë, pastaj u spostova më në qendër në mesfushë, mbrojtës i djathtë dhe më pas në… stol. Nuk isha një lojtar për t’u vlerësuar.

Karakteristikat tuaja teknike cilat kanë qenë?

Vrapoja shumë, kisha rezistencë dhe shumë grintë.

Po talent?

E lëmë fare këtë përgjigje…

Për cilën skuadër bënit tifozllëk?

Për Interin. Disa kohë më parë, Masimo Morati më dhuroi një medalje ari të kohëve kur në krye të zikaltërve qëndronte babai i tij. Unë e falënderova dhe i thashë: “Unë stërvita Milanin, por nuk jam një i penduar. Kini kujdes, ata janë më të rrezikshmit”.

 Ishit i zoti në shkollë?

Çfarë flisni… Jo vetëm nuk bëja detyrat, por as nuk studioja, madje shpeshherë nuk shkoja as në shkollë. Isha i zoti vetëm në histori dhe gjeografi, të mbrojtura me notën 9.

Çfarë djali ishit?

Nuk isha një mendjemadh, por isha shumë i gjallë.

Po me vajzat, sa i shkathët ishit?

Jo… Isha shumë i ndrojtur. Por, me kalimin e kohës, mësova dhe unë. Ju mbetët i mahnitur në rrugët e Amsterdamit.

Kur e zbuluat futbollin holandez?

Në fund të viteve ’70. Drejtoja dyqanin e këpucëve të babait tim, isha në Holandë për punë. Pikërisht atëherë u dashurova me futbollin total.

Çfarë ju mahniste?

Fakti që protagoniste ishte skuadra, jo individi. Të shihje ndeshjet e Ajaksit ishte njësoj si të shkojë në një koncert. Një muzikë harmonike.

Në 1973 nisët të stërvisnit Fusinjanon, në kategorinë e dytë. E kujtoni debutimin?

Në transfertë kundër Sant’Albertos. Ne, një vit më parë, kishim arritur të mbijetonim në javën e fundit të kampionatit dhe nuk kishim asnjë parà për të investuar. Madje, Sant’Alberto ishte i favorizuar, përveçse na kishin marrë edhe lojtarin më të zotin që kishim: e paguanin 60 mijë lireta në muaj.

Por e dini si përfundoi?

Fituam ne 2-0 dhe një prej drejtuesve m’u drejtua dhe më tha: “Arrigo, më jep një shuplakë që të kuptoj se nuk po ëndërroj”. Dhe atë vit fituam titullin.

Cili ishte personi që ju frymëzoi më shumë në atë periudhë?

Mjeshtri Alfredo Beleti, bibliotekari i Fusinjanos. Ai ishte gjithashtu një prej drejtuesve të skuadrës. Kur m’u desh një libër, unë ia kërkova, por ndërkohë ai m’u përgjigj. “Parà ne si klub nuk kemi, por jepi bluzën me numër 6 Ticios dhe ndërto gjithçka rreth këtij roli”. Mësova prej atyre fjalëve.

Përpara mendja, pastaj këmbët…

Futbolli lind nga mendja. Mikelanxhelo thoshte se tablotë pikturohen me mendje, duart janë thjesht një instrument. E njëjta gjë vlen edhe për futbollin. Viti 1982, Italia e Bearzotit fitoi Botërorin dhe ju, në atë botën tuaj të vogël, festonit titullin e të rinjve me Çezenën. Sapo kisha frekuentuar kursin në Koverçiano, e pagova me paratë e mia. Lojtarët e Çezenës më ndiqnin dhe besonin tek ajo çfarë unë thosha.

Keni bërë sherr ndonjëherë me një prej lojtarëve tuaj?

Sherre të vërteta jo, me përjashtim të një rasti, kur i vura duart në fyt njërit prej futbollistëve të mi.

Cili ishte ai?

Marko Rosi, kur stërvisja Parmën. Mendoni që në atë ndeshje edhe kishte shënuar, por nuk ishte impenjuar. Këtë ia thashë në sy, por ai m’u përgjigj keq dhe s’u përmbajta.

Po me Van Bastenin, kurrëasnjë mosmarrëveshje?

Është përfolur shumë, por e vërteta është që ne vlerësonim njëri-tjetrin. Pas një humbjeje, gazetarët shkuan te Marko dhe e pyetën se çfarë mendonte. Ai, i mësuar me shtypin holandez, vendosi të flasë hapur, duke nënvizuar se cili ishte futbolli ideal për të. Dhe, ditën tjetër, të gjitha gazetat nënvizonin: “Van Basten kundër Sakit”. E mora veçmas dhe i shpjegova si funksiononte në Itali marrëdhënia me shtypin. Të dielën që pasoi e mbajta në pankinë dhe i thashë: “Meqë kupton kaq shumë nga futbolli, sot qëndro pranë meje dhe kështu ndoshta më ndihmon…”.

 Po ai rast që e zëvendësuat sepse nuk impenjohej?

Ndodhi në Parma, në janar 1991. Po humbnim 2-0, unë isha i skualifikuar dhe i urdhërova ndihmësit tim, Galbiati, të zëvendësonte Van Bastenin. Marko më kërkoi arsyen dhe unë i thashë se po luante keq. Ai m’u përgjigj: “Kishte edhe të tjerë që po luanin keq, pse më zgjodhe mua?”. “Sepse të tjerët po vraponin, ti jo”, i thashë. Më kërkoi 15 ditë pushim për të menduar dhe unë ia akordova, por kaluan vetëm tri dhe ai kërkoi t’i bashkohej skuadrës, por unë nuk e pranova dhe i nënvizova se 15 ditët nuk kishin përfunduar.

Përse nuk e keni dashuruar kurrë futbollin italian?

Sepse mua më pëlqen të jem protagonist dhe që gjithmonë skuadrat e mia të kenë kontrollin e lojës. Në Parma, në mesin e viteve ’80 propozuat skema revolucionare. Kishim një skuadër shumë të re. Kërkoja shpejtësi dhe lëvizshmëri, presing dhe pozicion artificial jashtë loje. Dhe shumë kujdes. Në fund fituam kampionatin e Serisë C. Pas Parmës, u katapultuat në arenën madhështore. Po, por nëse unë arrita te Milani, duhet të falënderoj Parmën. Njerëz civilë, të edukuar. Po ju bëj një shembull: Në Serinë B humbëm sfidën kundër Kremonës. Unë isha i tërbuar, kthehem në qytet dhe vendos të bëj një shëtitje në sheshin “Garibaldi” për të menduar, kur papritur më rrethojnë një grup tifozësh. Mendova: “Tani do më rrjepin”. Ndërkohë, më morën në krahë dhe pavarësisht humbjes, më thanë se gjithsesi ishin dëfryer.

 Kur e takuat Berluskonin?

Me Parmën u ndeshëm kundër Milanit në miqësore dhe në Kupë. Luajtëm mirë. Berluskoni u habit. I kërkoi presidentit Çerezini që të më njihte personalisht dhe pasi u takuam, më tha: “Do të të ndjek gjatë të gjithë kampionatit”. Pastaj, më kërkoi te Milani.

 Kur zbarkuat në “Milanelo”, u ndiet i plotësuar?

Përkundrazi, ishte një fillim i ri. Duhet të tregoja se e meritoja rolin. Ndaj, fiksimi im për të bërë mirë ishte dyfish më i fortë.

Është e vërtetë që detyronit lojtarët e Milanit të shihnin Parmën e stërvitur prej jush?

Debutonim në kampionat kundër Pizës, skuadër me të cilën isha ndeshur në Serinë B. Ia tregova Barezit dhe të tjerëve se si luante Piza, ndonëse në lidhje me këtë çështje u lëshuan shumë thashetheme.

Barezi u nervozua…

Idiotësira! Askush nuk më sulmoi për këtë motiv. Në vitin e parë rrezikuat stolin, por Berluskoni ju shpë- toi. Më mbrojti përpara të gjithëve, i nënvizoi të gjithëve se unë isha pjesë e projektit dhe se pa mua nuk do të ecnim përpara. Kjo rezultoi decizive.

Ju kujtohet çfarë u thatë lojtarëve tuaj kur përgatiteshit të përballeshit me Maradonën, në një Milan-Napoli të janarit ’88?

Diçka të thjeshtë, gati fshatareske: “mos lejoni që t’i shkojë topi, ndryshe na dënon”. Mbrojtja dhe pozicioni artificial jashtë loje duhej të bëhej në mesfushë. Fituam 4-1.

Sa orë flinin përpara ndeshjeve?

Shumë pak. Isha i shqetë- suar, i menduar. Studioja strategji, çfarë duhej t’u thosha lojtarëve. Dhashë jetën për futbollin dhe ai më shpërbleu.

 Cili ishte burimi i stresit?

Frika se mos zhgënjeja personat që besonin tek unë.

Dhe si e menaxhonit atë?

Mundohesha ta shndërroja në një stimul.

Kundërshtari më i rrezikshëm që keni përballuar, përveç stresit?

Maradona. Unik, i papërsëritshëm, me një personalitet të frikshëm. Me Berluskonin patët një mosmarrëveshje, ai donte Borgin, ju Rajkardin. E binda, ndonëse edhe në atë rast Berluskoni tregoi se ishte inteligjent dhe largpamës. Rajkard ishte një lojtar thelbësor për Milanin tim.

Është e vërtetë se Berluskoni nuk e donte as Ançelotin te Milani?

Po. Më tha: “Nuk mund të blej një invalid, një lojtar që njëri gju i punon 20 për qind”. Ndërsa unë iu përgjigja: “Do të shqetësohesha nëse do t’i punonte truri në 20 për qind, jokëmbët”. Dhe Ançeloti m’u bashkua mua. Tokio 1989, finalja e Kupës Interkontinentale.

Milani juaj mund Nacional Medeli, përpara një feste të madhe në hotel, ndërsa ju…

Unë urdhërova një mbledhje skuadre, pasi pashë disa gjëra që nuk më kishin pëlqyer në fushë. Nuk toleroja kurrë, pasi kjo ishte forca dhe dobësia ime.

Vigjilja e gjysmëfinales së Kupës së Kampioneve kundër Realit, pranvera e vitit ’89. Çfarë ndodhi?

Stërvitje e ngjeshur, Albertini ndërhyn ashpër dhe Evani thyhet. Kisha mbetur pa një anësor të majtë, por, pasi bisedova me disa prej lojtarëve të mi, ata më shtynë, edhe pse jo të bindur për të zgjedhur Ançelotin. Ishte zgjedhja e duhur, sepse Karlo, duke u nisur nga e majta dhe duke synuar qendrën, shpërqendroi Realin dhe shënoi edhe golin e parë.

Në vitin e dytë te Milani humbët titullin për çështjen e monedhës së Alemaos. I nervozuar?

Shumë, por atëherë ishte pak e qartë. Gjithsesi, më vonë e kuptova se çfarë ndodhi, por më mirë të qëndroj i heshtur, sepse përndryshe më fusin në burg.

Asnjë indicie të vetme?

Le të themi që politika vendosi atë çështje.

Përse në natën e Marsejës, kur Milani braktisi fushën, ju nuk kundërshtuat?

Unë isha një nga njerëzit e klubit dhe bëra atë që drejtuesit vendosën.

Pas Milanit, kombëtarja. Dhe Italia përçahet mes atyre pro dhe kundër Sakit…

Më shihnin si njeriu i ardhur nga askundi. Kishte zili, por unë bëja sikur nuk e vija re. Ishte një periudhë intensive, ndieja një përgjegjësi të madhe.

Dhe Baxho ju quajti të çmendur kur e zëvendësuat. U nervozuat?

Jo, e kuptova që thjesht shfryu. Por pastaj, pa Baxhon në fushë, atë ndeshje me Norvegjinë e fituam.

Por kundër Nigerisë, ishim praktikisht jashtë Botërorit 1994 dhe Baxho na shpëtoi…

Na shpëtoi Okoça, nigeriani që kërkonte me ngulm të na driblonte dhe kështu humbte shpesh topin, përveçse grinta jonë dhe forca për të besuar deri në fund te fitorja. Pastaj, Musi ofroi atë krosim që Baxho e shtyu në rrjetë.

 Përse hodhët në fushë Baxhon në finale, nëse ai nuk ishte në formë?

Sepse mjekët dhe përgatitësit atletikë më thanë se mund të luante.

Është e vërtetë që me Baxhon, marrëdhëniet ishin të ngrira?

Idiotësi. E grumbullova edhe pse ai nuk po luante mirë me Juven. Kisha vajtur të shihja një ndeshje në Torino dhe në pushim të takimit fola me avokatin Anjeli, duke e pyetur se nëse do të ishte në vendin tim, kë do të merrte në Botëror. Ai m’u përgjigj: “Kohlerin dhe Mylerin, por ata janë gjermanë”.Po Baxhon i thashë? Më qeshi dhe nga ajo buzëqeshje kuptova shumë. Po Baxhos, në kombëtare, çfarë i thoshit? I tregoja se sa topa prekte te Juventusi dhe i shpjegova: “Nëse luan sipas mënyrës sime, në kombëtare do të prekësh dyfishin, por më pas pres që të bësh diferencën”.

Në vjeshtën e vitit 1996 ndodhi rikthimi juaj te Milani. Një gabim?

Po. I thashë Galianit se një i sëmurë nuk mund të kurohej me aspirinë. Ishte një vit i mbrapshtë. Po tek Atletiko e Madridit çfarë eksperience ishte? E mrekullueshme, aq sa mendova se nëse nuk do të kisha qenë italian, do kisha dashur të lindja në Spanjë. Një ambient fantastik, por unë nuk po ia dilja më. Isha i stresuar, bosh, prandaj u dorëhoqa dhe hoqa dorë nga një thes me parà.

Pastaj u rikthyet në vitin 2001, me Parmën. Përse?

Ishte sfida ime më e madhe, ndonëse për ata që më kishte dhuruar ai qytet, ishte një borxh që duhej t’ia ktheja. Anjeli ju inkurajonte… Më zgjoi në 7 të mëngjesit. Në atë periudhë shkruaja për “La Stampa”-n dhe bëja komentatorin për “Mediaset”. Punëdhënësit e mi ishin Anjeli dhe Berluskoni. Avokati më kërkoi një nder: “Mund të vazhdosh të shkruash për ne”? Iu përgjigja se nuk ishte më e mundur. Ai më kuptoi. Pastaj më telefonoi edhe Berluskoni dhe më inkurajoi.

Por eksperienca në Parma duroi vetëm një muaj. Çfarë ndodhi?

Drita u fik. Luajtëm në Verona, fituam, njerëzit ishin të lumtur, por unë nuk ndieja asnjë lloj emocione. Isha i copëtuar. Telefonova bashkëshorten dhe i thashë: “Xhovana, më kanë mbetur vetëm frutat për të ngrënë”. U largova nga Parma.

Çfarë nuk arrinit të menaxhonit në ato momente?

Stresin. Në atë periudhë nuk flija, mendoja vetëm për futbollin, i shkatërrova nervat. Duhej me çdo kusht të thosha boll. Si drejtues, fillimisht te Parma, pastaj te Reali i Madridit dhe në kombëtare, zbuluat një profesion të ri. E njihja, sepse në Çezena stërvisja të rinjtë, por isha edhe përgjegjës i sektorit të të rinjve.

Punë interesante të vësh në linja të njëjta të gjitha grupmoshat. Në çfarë ishit i fiksuar?

Nga bukuria dhe harmonia. Kur shoh një ndeshje kërkoj spektaklin, dëfrimin. Lojtarëve të mi u thosha gjithmonë: “Njerëzit vijnë t’ju shohin për të kaluar dy orë me ju larg problemeve. Mos e harroni”.

 Kush është trajneri më i mirë i të gjitha kohërave?

Ai që ka bërë lojtarët e tij të ndihen mirë. Kur mbërrita te Milani kishte 30 mijë të abonuar, ndërsa vitin tjetër mbi 60 mijë. Diçka do kem bërë apo jo?

Trajneri më i mirë i kohëve të sotme?

Ançeloti, Guardiola dhe Murinjo. Karlo është një mjeshtër në ndërtimin e marrëdhënieve. Pep një profesor në fushë, ndërsa Murinjo është karizmatik dhe fut gjithmonë ide inovative.

Nëse do kthehesha pas në kohë, çfarë do të kujtonit nga Saki si fëmijë?

Kur mësuesja më detyronte të bëja komentet e ndeshjeve.

Na e shpjegoni?

Isha një maniak i futbollit, jetoja që i vogël vetëm për të. Mësuesja ime e dinte këtë dhe më kërkonte që të ideoja një koment ndeshjeje. Më mjaftonte që të nisja, sepse më pas kisha forca të vazhdoja për orë të tëra.

Çfarë babai keni qenë?

I hutuar dhe i largët. Nuk kam qenë i zoti, e pranoj, sepse futbolli më mori edhe kohën që duhej t’u kushtoja vajzave të mia. Por fatmirësisht në krahë kisha një shenjtore si Xhovana, bashkëshortja ime, e cila më ka duruar më shumë seç do bënte kushdo tjetër.

Një këshillë që do të donit t’i jepnit një të riu që kërkon të luajë futboll?

Pikësëpari të studiojë, jo futbollin, librat, të shkojë në shkollë. Të kesh kulturë është cilë- sia kryesore e burrit, pastaj duhet shkuar në fushë. Po në fushë, çfarë i sugjeroni të bëjë? Të përdorë kokën përpara këmbëve. E thjeshtë, apo jo?!

Ka një Saki në qarkullim?

Shpresoj që jo. Jo për mua, por për atë. Futbolli më thau totalisht nga brenda.

Në moshën 70-vjeçare ndiheni një burrë fatlum?

Fatlum sepse kam bërë punën që më pëlqente, e cila më ka lejuar të jetoj mirë. Por kam punuar ama dhe shumë madje!/ Solli në shqip: Panorama Sport

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje