Pas deklaratës së Berishës se nuk ka asnjë lidhje me Ismail Mulletin dhe nuk e ka takuar atë, Pollo u bë keq. Më keq u bë nga shprehja , nëse ka bërë ndonjë gjë ndonjë ministri im, nuk mbaj përgjegjësi.
Kjo e tërboi fare. Ndaj u ul e i shkruajti një email Doktorit.
“I dashur Doktor!
Siç e di kemi kaq vite në paqe dhe nuk dua të bëhem prap bukëshkalë, por kjo që ke bërë sot më nervozoi shumë.
Deklarata jote se nuk e njeh Ilin dhe nuk e ke takuar kurrë, më kujtoi deklaratën tënde për Gërdecin që nuk e kishe njohur baxhanakun, dhe nuk e ke takuar kurrë.
Së pari, ti nuk ke pse trembesh, pasi Ilin nuk e ke baxhanak, pasi me sa di unë Tefta Zaka nuk ka motër. Argitën e ka si motër, por nuk janë motra biologjike, kështu që nuk të kap ligji.
Së dyti, dyshimet që lë mbi mua si ministër por dhe mbi Ritvanin, nuk janë serioze. Ne këto vite të kemi mbrojtur dhe nuk të kemi shitur në asnjë aferë. Ty herën e parë që të doli para një problem, na shite dhe na bëre dalje. Mendoj se duhet ta korrigjosh këtë deklaratë, pasi do të ballafaqojmë me gjëra të pakëndëshme.
Së treti, ti e di që me firmën time dhe tënde i kemi shitur Ilit në vitin 1997, pasurinë e PD, që ishte Lulishtja “Rinia” e quajtur “Tajvani”. Ja shitëm pa asnjë lek, se ashtu ishte puna. Ti e di që Ili ka qenë partner i “Shqiponjës” kompanisë së PD dhe biznesmeni më i afërt i PD. Mënyra si ti e bëra hasha, do na trembë biznesmenët e tjerë e do shkojnë të gjithë tek Rama të spiunojnë nderet që u kemi bërë dhe çfarë na kanë dhënë.
Së katërti, unë dhe kalamajtë e tu jemi ende të prekur nga fatkeqësia e falimentimit të bankave në Qipro, ku lamë jo pak nga kursimet tona, përmes këtyre kompanive “Offshore”. Nëse ti më shet mua për një gjë kaq të vogël, mos mendo se unë nuk i kam dy duar për një kokë. Unë shumë politikë nuk di të bëj, por fakse e emaile kam bërë gjithë jetën dhe po nisa prapë tani do të ta nxij jetën.
Pres të reflektosh dhe ti kërkosh ndjesë Ilit në rradhë të parë, mua dhe Ritvanit për këtë pabesi. Pas kësaj do flasim prapë.
Genci.