Disa ide për të shpëtuar Strazon në mbledhjen e PD

29 Mars 2016, 19:46Antena TEMA

Kryesia u PD u mblodh në një mbledhje urgjente për të diskutuar situatën pas krekosjes së Strazos me pistoletë në protestën e së hënës.

Siç e do puna, i pari e mori fjalën vetë Strazua.

“Unë dua t’i kërkoj ndjesë kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për shqetësimin që i kam shkaktuar dhe betohem se nuk do ta përsëris më.

Jam gati ta shlyej gabimin duke u rrahur sa herë të dojë për çështjen e dekriminalizimit. Por mbi të gjitha i kërkoj kësaj mbledhje, që nëse e do nevoja, mos më kurseni, se unë jam gati të vdes për këtë burrë.”

Ndjesa e Strazos u mirëprit. Pas tij e mori fjalën Ristani.

-Dëgjo, tha, se unë kam qenë avokat 15 vjet dhe e di mirë këtë punë. Në gjyq rëndësi ka prova, jo e vërteta. Ti do thuash ishte këllëf.

-Më vjen keq, tha Strazua, s’kam si them ishte këllëf, se do thonë gratë e PD, po ky del nga Liqeni në ditë proteste me këllëf në brez, dukem si njeri qejfi. Unë kisha dalë për luftë aty.

-Nuk thashë këllëf, d.m.th prezervativ, i tha Ristani, po këllëf celulari p.sh.

-Po unë kam Samsung Note 4, është i madh, tha Strazua, nuk ka as këllëfa për atë, vetëm mbrojtëse.

-Po hajd o burrë, se për elektoratin në fshat duhet kjo, tha Ristani. Aty akoma mbajnë telefona të vegjël me këllëfa.

-Dakord, thuaje ti, tha Strazua. Unë nuk pranoj gjallë. Unë kish dalë me vdek dje aty. Më lini o burra të vdes për kryetarin, s’dua gjë tjetër.

-Jo jo, tha Luli. Ka disiplinë partia. Unë do them qe fotoshop. Kaq. Nuk e pranojmë. Dhe herë tjetër duhet të jemi më të organizuar në këtë pikë. Pistoleta duhet të mbahet në trup.

-Kam dhe unë diçka, tha superdhëndri. Protesta duhet të jetë më e gjallë. P.sh, ka shumë rëndësi që të bëjmë nga një bluzë T-shirt, ku të shkruhet p.sh “Polic, zbato ligjin”! Dhe po e lexoi polici që e kemi shkruar parrullën, dhe po e shkeli ligjin, mban përgjegjësi pastaj.

-Jam shumë dakord, tha Ed Halimi. Bile duhet shtuar dhe ndonjë parrullë tjetër “Polic, mos na rrih”! ose “Larg duart nga Strazimiri”!

-O më lini të vdes për kryetarin, mos u bëni merak për mua. Vetëm çështja të fitojë, pa nuk e dua mandatin, shkoj vetë dhe në burg, tha Strazua.

-Një minute, tha Doktori. Strazimiri është tani kauza jonë. A do të vdesë, a do të rezistojë, punë e tij, por tani e tutje, s’do ketë reformë në drejtësi pa Strazimirin. Nëse ky vendos të vdesë, do të jetë heroi i kombit shqiptar dhe ata nuk kanë për ta parë as në ëndërr reformën në drejtësi.

-Unë desha me më dhënë leje me vdek për kryetarin, tha Strazua.

-Njësoj është, tha Doktori. Kryetari më ka kërkuar prej kohësh me vdek për mua, por i kam thënë se kam vetëm një interes madhor, reformën. Dikush duhet me vdek për reformën. Të përgëzoj!

-Kjo në fakt e zgjidh çështjen, tha Ruli. Nuk kanë si të të dënojnë pas kësaj. I nxjerrim huq kështu.

1 komente në “Disa ide për të shpëtuar Strazon në mbledhjen e PD”

  1. Azio says:

    Ha,ha,ha………..ha.
    Shume e forte.Ky shkrim eshte tamam ne realitetin e Strazimirit,ketij trimi donkishotjan.
    Bravo z.Mero.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje