Një nga lajmet më tronditëse që erdhi nga SHBA, ishte se Luli i kishte dhënë fjalën Institutit Republikan, që të marrë pjesë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Lajmi e gjeti në befasi Kunatin, i cili e ka këtë si tenderin më të rëndësishëm të mandatit katër vjeçar.
Sapo u bë publik lajmi, Kunati menjëherë u hodh në veprim.
Lajmi kishte shkaktuar trazira tek shumë deputetë që mendojnë se Luli mund t’i heqë qafe përmes Institutit Republikan.
Por Kunati i qetësoi duke u shpjeguar skemën. Ai u shpërndau një email, ku i sqaronte për procedurën që do ndiqet:
“Të dashur miq!
Instituti Republikan do të na ndihmojë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë që do të jenë të dekriminalizuar.
Për këtë, ne do të ngrejmë strukturat tona, që do bashkëpunojnë me Institutin Republikan.
Njeriu kyç mbetet Dr. Halimi. Ai është në krye të Komisionit të Dekriminalizimit.
Si një gjinekolog i vjetër prej 35 vitesh, ai ka mundësi t’i njohë kriminelët që në mitër.
Kështu, ai do të jetë filtri i parë, pasi mund të na japë me kujtesën e tij brilante, një ide se si ka qenë kandidati kur ishte ende në barkun e nënës. Nga përfytyrimi që ai do të japë për embrionin e kandidatëve kur ishin ende në bark të nënës, ne do të krijojmë një ide se çfarë karakteri ka deputeti.
Pastaj njeriu i dytë kyç mbetet koordinatorja për Marrëdhëniet Seksuale në PD. Ajo do të verifikojë se mos dikush nga kandidatët e rinj, ka bërë ndonjë gabim në adoleshencë, ka pas ndonjë të dashur, ose ka lënë shtatzënë ndonjë femër dhe nuk i njeh fëmijën. Të gjitha rekordet seksuale do të grumbullohen dhe do të përpunohen duke analizuar dhe tipin e martesave që duhet të bëjnë kandidatët, cilat janë mundësitë që ata të gjejnë nuse, ose burrë në familjet demokrate, dhe një lloj përshkallëzimi brenda familjave demokrate, se cilat janë më të pëlqyera. Për të rritur fuqinë e PD në Jug preferohen martesa mikse, për shembull burri tropojan, gruaja vlonjate, ose gruaja kuksiane, burri korçar etj. Ndërfutje të tilla do të ndihmojnë në homogjenizimin e PD dhe futjen e saj në rrugë natyrale në Jug.
Personi i tretë kyç i Komisionit do të jem unë. Me mua testi është shumë i thjeshtë. Unë dua të dëgjoj nga kandidatët, si do t’i përballojnë shpenzimet e fushatës dhe të lobimit dhe çfarë planesh kanë për të ardhmen. Që gara të mos jetë fallso, ata duhet të paguajnë një garanci rreth 100 mijë euro për të qenë të sigurtë në suksesin e tyre.
Njerëzit e sigurtë i paguajnë pa asnjë mëdyshje shuma të tilla. Ata që nuk i paguajnë, nuk janë të sigurtë tek vetja dhe mund të skualifikohen.
Kështu të dashur miq, Instituti Republikan do mbikqyrë këtë proces dhe do japë në fund mendimet e tij. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi në fund të fundit gjithçka është në dorë tonë.
I juaji, Kunati”