Kongresmeni Mediu përcolli në Aeroportin e Dallasit, Lulzim Bashën

18 Mars 2016, 18:58Antena TEMA

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përfundoi vizitën e tij tri ditore në Uashington. Ai u përcoll në Aeroportin e Dallasit,  nga kongresmeni Fatmir Mediu, i cili i uroi udhë të mbarë dhe suksese Bashës dhe delegacionit që e shoqëronte.

Gjatë vizitës tri ditore në SHBA, Lulzim Basha u prit dhe shoqërua nga kongresmeni Mediu në disa takime të rëndësishme. Zoti Mediu e shoqëroi fillimisht në një takim me kongresmenin Engëll, i cili për arsye shëndetësore nuk arriti ta mbajë mend me kë u takua. Të nesërmen zoti Mediu e shoqëroi zotin Basha në një takim shumë të rëndësishëm tek Shoqata e Atlantikut në Uashington. Pas takimit, Mediu e shoqëroi Bashën tek një kodër ku rrijnë disa miq të tij priftërinj të “Mëngjesit të Lutjeve”, të cilët i dhanë fjalën se do ta takojnë dhe me një kongresmen tjetër, që beson tek kisha e tyre.

Gjatë vizitës tek “Kodra e Priftërinjve”, Basha dhe delegacioni që e shoqëronte, u njohën me mjediset e kishës dhe vendin ku Mediu është pagëzuar duke hequr nga mbiemri i tij shtesën “hoxha”, pra nga Medihoxha, në Mediu. Pas kësaj, Zoti ja pranoi mëkatet dhe e pastroi atë. Me këtë rast, kongresmeni Mediu ftoi dhe delegacionin e Bashës të bënte një lutje të kapur sup më sup, me kokë të bashkuara në formën e një rrethi. Lutjen e lexoi kongresmeni Mediu, i cili tha” Zoti i madh që je lart në qiell. Largoji Shqipërisë fatin e keq që e ka zaptuar duke pasur në pushtet kriminelë, njerëz që vrasin fëmijë të pafajshëm për të fituar ca para, dhe që vjedhin tendera publik deri në 220 milion euro. Largoje krimin nga Shqipëria dhe na sill ne në pushtet, t’i ndriçojmë të ardhmen atij vendi.

Zoti ynë që je në qiell, prano lutjet tona, që ai vend të ndryshojë e të përparojë, duke na pranuar ne si udhëheqës të fatit të tij. Amin”

Pasi përfunduan lutjen, prifti kryesor pa që Strazua nuk e kishte hequr kapelen republike dhe kërkoi të përsëritej lutja, pasi mendimet e tij ishin penguar të shkonin lart në qiell.

Kur u përsërit për herë të dytë, kongresmeni Mediu nuk e mbante mend korrekt gjithë tekstin, por përsëriti vetëm pjesën ku thuhej të largojë nga pushteti ata që  kanë vrarë njerëz dhe kanë vjedhur lekë tenderash. Kjo i pëlqeu pa masë Bashës.

Ditën e fundit të vizitës, kongresmeni Mediu e la të lirë zotin Basha të bënte disa takime personale, siç ishte ai me zonjën Nuland, asistente e ndihmës zëvendës- sekeretares të Shtetit. Kongresmeni Mediu pastaj e shetiti zotin Basha në Uashington dhe e takoi me një shokun e vet nga Himara, i cili ka nja dy kongresmenë të lobit grek miq në Uashington. Basha u premtoi atyre se kur të vijë në pushtet, do t’ia marrë tokën Zamirit në Palasë dhe do t’ua kthejë atyre. Ata u gëzuan dhe i premtuan se nëse e realizon këtë, dhe ata do bisedojnë me zotin Dule, që ndoshta të jetë në koalicion me ta në zgjedhjet e ardhshme.

Në mbrëmje kongresmeni Mediu e shoqëroi zotin Basha deri në ambasadën e Shqipërisë në Uashington dhe e prezantoi aty me ambasadoren Luli dhe ambasadorin Lu. Duke hyrë mes të treve, Mediu filloi prezantimin në fillim, duke thënë:

– Ky është zoti Lu, kjo është zonja Luli, ky është zoti Luli. Të pranishmit kthenin kokën, sa nga zonja Luli, tek zoti Luli, për ta kuptuar për kë zonjë bëhej fjalë, dhe kush ishte kush.

Sot në mbrëmje, kongresmeni Mediu e shoqëroi deri në aeroport zotin Basha dhe delegacionin që e shoqëronte dhe u rikthye në Uashington. Duke hipur në avion, kongresmeni Mediu, ju lut t’i merrte në emër të tij një valixhe me rroba, se kishte bërë shumë shopping dhe kushtonte shumë ngarkesa mbi masën e lejuar. Zoti Basha  e pranoi me kënaqësi t’ia bëjë këtë shërbim, dhe e vendosi valixhen në emër të Strazos, ngaqë atë nuk e prek më njeri me dorë. Vizita përfundoi me sukses.

7 komente në “Kongresmeni Mediu përcolli në Aeroportin e Dallasit, Lulzim Bashën”

  1. majlinda says:

    i madh je Mero!

    1. Pilo Lala says:

      E bukur kjo.
      Vetem mungonte njoftimi nese Mediu shoqerohej nga Eli Fara, apo jo.
      Me ate takimin me Himarjotet, i ke legenosur fare.

  2. gita says:

    bravoooo! Me bukur nuk ka ku te veje.

  3. fate says:

    Me pas Kongresmuti Mediu pati nje takim te ngrohte dhe shume te perzemert me Eli Faren te ciles I dhuroi nje ore tjeter $70,000 per nder te demokracise Shqipetare

  4. bk says:

    Eshte Dulles jo Dallas

  5. nina says:

    haaaaaaaaaaaaa sa e forte kjo… Iku luli ne ShBA per mirqenien e popullit haaaaaaa lum ai popull qe e shoqeron PD… po ajo Tabaku cfar ka bere? e shoqeroj Lulin ne wc???? haaaaa

  6. bob says:

    I madh je Mero.
    Jo Dallas po Dulles.
    Besoj se do te lejosh komentin pas thenies”i madh”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje