Kunati publikon ekspertizën për videon e Klosit

13 Mars 2016, 18:29Antena TEMA

Pas publikimit të një video e cila u bë popullore në rrjet, ku një qytetar nga Klosi i drejtohet Bashës në sfond me thirrjen “fytyrë e poshtër”, Kunati publikoi një ekspertizë që hedh poshtë videon si montazh, dhe zbulon të vërtetën që duhet të thoshte qytetari nga Klosi. Në një urdhër të brendshëm për zyrën e shtypit të PD, Kunati jep dhe udhëzimet e mëposhtëme:

“Udhëzim për hedhjen poshtë të ekspertizës.

Drejtuar: Mediave të Zenit, të Lulit, të Sandrit etj.

Në një video të shpërndarë nga disa media të Fugës, duket sikur një qytetar i thotë Lulit në Klos, “fytyrë e poshtër”. Kjo ka lënduar mijëra demokratë anembanë Shqipërisë, si një goditje e rëndë për të ardhmen politike të Lulit.

Këtij sulmi duhet t’i përgjigjemi dhëmb për dhëmbë, duke e hedhur poshtë këtë video si montazh dhe duke dhënë argumentat tona, përse kjo nuk mund të jetë e vërtetë.

Së pari, që videoja është montazh, kjo është e sigurtë, pasi personit i dëgjohet më shumë zëri se sa i duket fytyra. Nga ana tjetër, këto media janë të famshme për videomontazhe, dhe këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë.

Së dyti, nuk ka asnjë mundësi që Lulit  t’i thotë dikush “fytyrë e poshtër”. Lulit mund t’i thonë “i pafytyrë”, por jo fytyrë e poshtër, pasi për hir të së vërtetës, që nga koha e Enver Hoxhës, asnjë politikan nuk është aq i bukur sa Luli. Bile unë mbaj mend kur na kërkoi dorën e motrës, babi sa e pa, tha:

-Do ta pranojmë dhëndër këtë djalë se ngjaka me shokun Enver.

Nëse do t’i kishin thënë “i pafytyrë”, do të kishte qenë e diskutueshme, por shprehja “fytyrë e poshtër” është tërësisht jo e vërtetë dhe nuk i shkon në mendje askujt, kur shikon fytyrën ëngjëllore të Lulit.

Së treti, nga ana fonetike, në Klos askush nuk thotë “fytyrë e poshtër”. Kjo është shprehje tipike si nga anët tona nga Labëria, ndaj dyshojmë se është montuar në zyrat e qeverisë. Në Klos i thonë “surrat i shpif”. Po të jetë nga zona përreth, ose nga Burreli, mund t’i thonë “fytyrë e shpajfme”. Në Martanesh i thonë “Çe ke atë fytyrë or taj”. Pra nuk ka asnjë shans që t’i thonë “fytyrë e poshtër”. Shprehja “fytyrë e poshtër”, është tërësisht labçe dhe nuk ka lidhje fare me Veriun.

Së katërti, dhe kontektsi kur ai ka bërtitur fytyrë e poshtër,  është kur Luli ecën në rrugë dhe nuk po e kthen kokën, as majtas, as djathtas, pra nuk ka si t’i shikojë fytyrën askush, përveç atyre që janë përpara. I vetmi shans është që kameramani të jetë grindur me dike duke filmuar, dhe të ketë bërtitur fytyrë e poshtër, dhe ky zë është mbivendosur në pamjet e Lulit. Nëse ka ndodh kjo, atëhere duhet parë se cili kameraman ka filmuar. Sipas gjithë gjasave, nëse është kështu, i bie të jetë ndonjë kameraman i “Klanit”, pasi ata e kanë inat Lulin këto kohë, ngaqë nuk ja shtoi sheshin e ndërtimit me 3 metra Sandrit, dhe ata mund t’ia kenë çuar Fugës.

Me këto argmumente, të cilat do t’i thojë në selinë e PD dhe zëdhënësja e re e PD, duhet të bombardojmë opinionin publik, pasi është një goditje që i jepet Lulit para vizitës në SHBA, me qëllim që të prishë imazhin e tij atje, duke menduar se po presin një “fytyrë të poshtër”.

Shënim: Porosi mediave të Zenit. Fjalën çështje ta shkruajnë me “ç” si çekani, jo me “q” si qeni”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje