Luli informon deputetët për vizitën në SHBA

24 Mars 2016, 21:03Antena TEMA

Luli kishte punuar dje gjithë natën që të bënte një paraqitje pikante të vizitës së tij në SHBA dhe premtimit që i kishte dhënë Departamentit Amerikan të Shtetit për votimin e reformës në drejtësi. Fjalimi ishte rreth tre faqe dhe Luli e nisi mbledhjen e grupit parlamentar qysh në orën 9, me qëllim që t’i ngelej kohë.

Doktori, që ja pa letrat në duar, e pyeti se përse do fliste.

-Ja, do flas për këtë vizitën në SHBA, i tha Luli, dhe mesazhet që më dhanë politikanët e SHBA për gjendjen në Shqipëri.

-Dëgjo, nuk kemi kohë, i tha Doktori. Duhet me u mobilizu, se Kuvendi po shkel Kushtetutën, nuk po dorëzon Rakip Sulin. Unë Rakip Sulin nuk e fal. Jo unë, po asnjë demokrat shqiptar. Me siguri këtë të kanë thënë dhe në SHBA…

Luli u mek pak dhe i hodhi një sy letrave. Ishte shumë larg qëndrimit të Doktorit dhe nuk e modifikonte dot live.

-Ke të drejtë Doktor, i tha, situatë e rëndë shumë.

-Jam i sigurtë zotëri, se SHBA nuk e toleron Rakip Sulin dhe për SHBA, çështja e Rakip Sulit është më e rëndësishme se reforma në drejtësi.

-Ke të drejtë Doktor, por unë kur isha në Departament të…

-E di, mos ma thuaj, e di shumë mirë. Ata nuk e falin Rakip Sulin….

Luli nuk foli më, por i fshehu letrat e fjalimit në dosje.

Filloi mbledhja e grupit parlamentar.

-Sot do të desha t’iu informoj për vizitën në SHBA, tha Luli, por koha nuk premton. Kështu që duhet të flasim një herë se çfarë do bëjmë sot në Kuvend. Siç e dini, Edi Rama dhe kriminelët që e rrethojnë, duan të mbrojnë Rakip Sulin, por ne nuk do ta lejojmë kurrë këtë. Prandaj sot në Kuvend, duhet të bllokojmë gjithçka, që të mos zhvillohet seanca. Pas kësaj unë do t’iu informoj për vizitën në SHBA.

Pasi mbaroi seanca plenare, u mblodh sërish grupi parlamentar.

Luli nxorri fjalimin e ri që kishte përgatitur.

“Të nderuar deputetë!

Më lejoni t’iu sjell mbështetjen e SHBA dhe presidentit Obama, sekretarit Kerry dhe asistentes së ndihmës zëvendës sekretares së Shtetit Nuland, për qëndresën tuaj shembullore në Kuvend. Vij nga SHBA më i bindur se kurrë se kësaj bande kriminale nuk i duhet hapur rruga pa dorëzuar kriminelin Rakip Suli. Në çdo takim që shkova, kudo që mora porosi, këdo që përshëndeta, të gjithë kishin vetëm një amanet: Lereni reformën në drejtësi, po shikoni punën e Rakip Sulit. Këtë mesazh mora dhe tek shoqata patriotike “Vatra” e shqiptarëve në SHBA dhe tek lobi greko- himarjot, që përfaqëson patriotët grek në SHBA. Të gjitha palët ishin njëzëri kundër reformës në drejtësi dhe pro dënimit një orë e më parë të Rakip Sulit”.

Duartrokitje të forta në sallë….

Ed Halimi i afrohet Rulit dhe i thotë:

-Çfarë gjeniu është Doktori. Edhe pa e ditur fare se çi kishin thënë Lulit në SHBA, e nisi aksionin dhe qenka në një vijë me amerikanët.

-Ore leri amerikanët ti, i tha Ruli, se e gjejnë vetë vijën, po shiko veten, rri në një vijë me Doktorin, se si ka nisur puna, pas Rakip Sulit ti e ke radhën për armik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje