Kunati sot kaloi një ditë të vështirë. Bashës i kishte ardhur një mesazh nga Pandi që në mëngjes, që duhet të takoheshin për një kafe, se bëhet Samiti i NATO-s në Tiranë, dhe Majko si euroatlantikas i vjetër, kërkonte dhe pjesmarrjen e PD.
Gjithë problemi ishte, se si Kunati duhet t’i merrte leje Doktorit për takim. Përveçse momenti ishte delikat, duhet që t’i jepej dhe siguri përse do flitej.
Fillimisht i kërkoi takim Doktorit, duke i thënë se ka disa zhvillime brenda PS.
Doktori e pranoi menjeherë.
-Pandi Majko i ka kërkuar një kafe Lulit, i tha Kunati. Si thua, ta pijë, që të turbullojë ca ujëra?
Doktori mblodhi buzët dhe nuk foli.
-Po çfarë ka ndodhur nga PS, e pyeti, se më the ka ndodhur diçka nga PS?
-Po ja, kjo që Pandi kërkon kafe me Lulin.
Doktori mblodhi prapë buzët.
-Mirë …dakord. E kuptova. Shiko… Luli ka shumë punë. Duhet të bëjë takime në rrethe, ka zgjedhjet në degë, janë shumë probleme. Nuk di a ka kohë.
-Po le ta takojë Doktor, se nuk i dihet ça muhabeti ka Pandi.
-Shiko zotëri, kur ka halle me PD, Pandi i zgjidh me mua, nuk i zgjidh me Lulin, por po ka ndonjë hall Luli ta zgjidhë me Pandin, më thuaj.
-Jo, nuk besoj, por po shkoi, çfarë t’i thotë?
-Nuk ndërhyj në punët e partisë. Është kryetar partie, e di vetë. Ai të flasë për çfarë të dojë. Por për disa gjëra nuk mund të flasë. Për reformën në drejtësi nuk mund të flasë me të, se është kompetencë e Ed Halimit. As për ligjin e dekriminalizimit nuk mund të flasë, se është kompetencë e Alibeaj. Nuk mund të flasë as për aferën e përgjimit, pasi ende nuk ka folur publikisht. Por është i lirë të flasë çfarë të dojë.
-Mirë Doktor, po qe se Pandi i thotë eja tek ky takimi i NATO-s që do bëhet pas ca ditësh, ça t’i thotë Luli?
-Jo, për atje kemi Arian Starovën, është ai kompetent nga koalicioni për këtë punë. Se pastaj duket sikur ka ndodhur diçka nga PD, jo nga PS. Të takohet, po mos të tregojë pse u takua. Ndryshe çoj Arianin në vend të tij.