Artur Bardhi: Nuk di çfarë t’u them, se nuk do më besoni. Unë jam tip i urtë nga natyra dhe këto 23 vjet jeta më ka përplasur në vende të ndryshme. Kudo ku kam shkuar ma kanë vënë emrin njerëzit, se unë nuk flisja, kam qenë djalë i urtë. Siç ma kanë vënë, ashtu e kam pranuar, por emrin e vërtetë kurrë nuk e kam ndërruar. Pra, nuk është e vërtetë që kam katër emra, por që më kanë thirrë në katër emra. Unë këtë emër që kam pas kam në letra.
Në vend që të më vlerësoni si njeri që nuk prish qejf dhe pranoj çdo emër, më sulmoni.
Nard Ndoka: Unë jam i pagëzuar si Mark Ndoka, por kur u rrita kostatova që në Vaun e Dejës ishte një Mark Ndoka që talleshin gjithë njerëzit dhe tregonin barcaleta për të. Që atëhere vendosa ta ndryshoj emrin, e ta bëj Nard Ndoka.
Edi Rama: Unë e ndërrova nga inati i Doktorit, se filloi të më thërriste Edvin Rama.
Fatmir Mediu: Unë në të vërtetë mbiemrin e vërtetë kam Mehdihoxha, dhe nuk e kam ndërruar. Por e ka ndërruar babai im, se u martua në Fier dhe e bëri hasha fisi, se u fut dhëndërr brenda dhe e bëri Mehdiu. Në vitet 1999- 2005 unë pata një krizë me babain, nuk shkonim mirë dhe nga inati u ktheva tek mbiemri i gjyshit, pasi si Parti Republikane e kemi në program që rrënjët e atdheut janë tek familja. Dhe thashë ta provoj me mbiemër të gjyshit. Dhe në fakt na eci, se më 2005 erdhëm në pushtet. Pastaj u pajtova me babin dhe mora prapë mbiemrin e tij, Mehdiu.
Ilir Pjetri (Fufi): Unë kam një arsye të fortë. Kena qenë një here në Itali më 1996, ene na kapi policia krejt laçianëve ku ishim dhe na akuzoi se po vidhnim shpia. Ne s’kishim vjedh asnjë shpi. Lexoi emrin e parë Fufi, se kta italianët të lexojnë një herë mbiemrin. I dyti Fufi, i treti Fufi, i katërti Fufi… U nxeh ai prokurori dhe tha “Tutti Fufi dentro”. Ene e hëngra dhe unë. Që atëhere sa dola e bëra mbiemrin Pjetri, që mos ta ha kot sikur jam me mbiemër Fufi.
Ben Blushi: Unë i qëndroj idesë se njeriu duhet ta zgjedhë vet emrin e tij. Babai ma kish vënë Arben, se kur kam lindur unë sa kishte filluar revolucioni kulturor në vend, nën shembullin e Kinës. Kur e kuptova ç’kish ndodhur me emrin tim, e ndërrova, e bëra Ben.
Lulzim Basha: Unë e kam ndërruar dy herë. Një herë kur isha në Holandë dhe rrija me një mikun tim plak, dhe ai kishte qejf të më thërriste Lul. Pastaj e mora vesh që në holandisht, Lul i thonin penisit dhe u mërzita më atë plakun. Biles ai vdiq i mërzitur nga sherri me mua. Pastaj një vit që isha dixhej në Kosovë kam mbajt një emër më mysliman “Limi”. Kshu ma ngjiti me përkëdheli ai banakieri i klubit. Pastaj fillova në UNMIK dhe ata donin emrin e vërtetë. Ua thashë dhe nuk e kam ndërruar më.
Sali Berisha: Unë kam dy ditëlindje. Njëra ka qenë 1 korrik 1944 dhe tjetra 15 tetor 1944. E vërteta është se kam lindur më 1 korrik 1944 dhe kështu e kam pas në letra deri tek pasaporta e fundit. Por një herë kur do bëhesha sekretar partie në vitet 70, desha t’u bëja një suprizë shokëve dhe të festoja ditëlindjen e shokut Enver. Nga meraku që kisha, e bëra një ditë para. Pasi i ftova ata, u kujtova që ishte data 15 dhe jo 16 tetor. Atëhere u detyrova t’u them që e kam unë ditëlindjen sot. Po në atë festë kisha ftuar dhe Lilin dhe më mbeti kjo datë. Pastaj e shpjegoja që më ka regjistruar babai më 15 tetor se nuk zbriste dot në qytet dhe pas tre muajsh zbriti.
Bujar Nishani: Unë e kam pasur emrin Bujar Mehmeti. Por siç dihet, ndodhën ngjarjet e “Shkollës së Bashkuar” në vitin 1991 dhe unë mbrojta monumentin e shokut Enver. Në vitin 1992 desha të filloja punë në Ministri të Mbrojtjes. Sa fillova unë, Meksi nxorri një ligj të poshtër 24/1 që hiqte nga puna çdo enverist.
Më thotë Zhulali kemi problem me ty, të del emri tek busti. Si t’ia bëjmë?
-Të ndryshoj mbiemrin, i thashë?
-Mirë, tha.
-U mendova ça mbiemri të famshëm ka nga Gjirokastra, që nuk është enverist. Mu kujtua Omer Nishani. Atë vura. Po prindërit e mi dhe vëllai mbajnë mbiemrin e vjetër. Kjo është çështje personale.