Një oficer policie i komisariatit Nr. 1 në Tiranë është arrestuar nga policia për shkak se ka përndjekur ish-të dashurën.
Prokuroria e Krujës bëri me dije se me kërkesë të saj, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë së “arrest me burg” për shtetasin Lumian Meta, me detyrë oficer i patrullës policore. Ai akuzohet se ka përndjekur shtetasen me iniciale S.B, gjithashtu efektive policie në Komisariatin e policisë së Krujës.
Vendimi i Gjykatës është zbatuar nga ana e oficerëve të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme.
Prokuroria nisi hetimet gjatë ditës së djeshme, ku ka rezultuar se i dyshuari nuk ka pranuar faktin e ndërprerjes së marrëdhënies intime me të dëmtuarën.
“Për këtë arsye, ai e ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në disa raste të përsëritura”, sqaron prokuroria.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i dyshuari dhe e dëmtuara kanë nisur lidhje dashurore në vitin 2014, gjatë studimeve në Akademinë e Policisë. Kjo lidhje ka vijuar deri në janar 2016. Në këtë kohë, e dëmtuara S.B. ka refuzuar të vijojë lidhjen intime, për shkak se, sipas saj, i dyshuari ushtronte dhunë sistematike.
Prej janarit 2016 e në vijim, i dyshuari e ka përndjekur, dhunuar dhe kërcënuar në mënyrë sistematike, me qëllim që lidhja e tyre të rifillonte. E dëmtuara nuk ka pranuar në asnjë rast dhe kjo sjellje e ka shndërruar në objekt dhune nga ish- i dashuri. Në disa raste, dhuna psikologjike ndaj të dëmtuarës ka ndodhur edhe në praninë e kolegëve të tjerë të policisë”, sqaron Prokuroria e Krujës.
Në këto kushte, Prokuroria e Krujës ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Lumian Meta ka konsumuar elementët e veprës penale “Përndjekja”. Për këtë arsye, nga ana e Prokurorisë së Krujës, u kërkua caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila u pranua nga Gjykata e Krujës dhe ai u arrestua mesditën e së mërkurës.