Për herë të parë në një studio televizive në cilësinë e anëtares së Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Vasilika Hysi, ka zbuluar qëndrimet e ambasadorëve Donald Lu e Romana Vlahutin pas dyerve të mbylluara të Komisionit që miratoi pa opozitën draftin final.
Vasilika Hysi: Ambasadorja Vlahutin vlerësoi të gjithë proçesin, kërkoi që kjo reformë të miratohet para se Parlamenti të mbyllë sesionin e tij për shkak të pushimeve verore por njëkohësisht edhe një çështje që ka mbetur e diskutueshme ajo beson se mund të zgjidhet. Ndërsa Ambasadori amerikan vetëm dy fjalë tha: Faleminderit për të gjithë punën që keni bërë dhe e dyta, ne mbështesim 100% draftin që kemi në dorë.
Hysi tha se drafti final ka 8 risi dhe pasqyron, mes të tjerave dhe kërkesa të opozitës.
Vasilika Hysi: Ky draft pasqyron të gjitha diskutimet që kemi bërë mazhorancë-opozitë, pra politika, në Komisionin e Reformës në Drejtësi. Pasqyron të gjitha mendimet, përmirësimet që kemi sjellë.
Vendet e Rezervuara janë kushti i opozitës për të votuar reformën në drejtësi, por për Vasilika Hysin, si përfaqësuese e mazhorancës por akoma më shumë si juriste, kjo formulë do sillte kapjen më të madhe të gjyqësorit.
Vasilika Hysi: Juridikisht, profesionalisht, kjo është kapja më e madhe që i bëhet gjyqësorit. Ne sot gjyqtarët i zgjedhim me 36 vota dhe në këto 8 vjet të gjithë gjyqtarët janë zgjedhur me votat e mazhorancës që ka qenë në atë kohë dhe që sot është në opozitë, këtë lloj nuk e quajnë kapje. Kapje quajnë tani që do të zgjidhet me 2/3. Kjo është kapja më e shëmtuar që i bëhet gjyqësorit.
Shtegu i konsensusit mbetet i hapur, por Hysi kërkon që PD të tregohet e sinqertë.
Vasilika Hysi: Në çdo moment ata janë të mirëpritur të sjellin një propozim, por një propozim që nuk e kap gjyqësorin. Nëse nuk e do le ta thotë troç, është shumë më mirë, vetëm nuk duhet të luajë më as me integritetin e një pjese të mirë të deputetëve në Komision dhe Parlament, por mbi të gjitha me interesat e Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë.
Hysi vlerësoi punën e ekspertëve të nivelit të lartë dhe atyre ndërkombëtarë për reformën në drejtësi.