Europa nuk do të jetë më kurrë njësoj. Një proçes që është ndërtuar me kujdes për më shumë se 40 vjet me rradhë, ka pësuar një thyerje të menjëhershme.
Britanikët votuan dje që të dalin nga Bashkimi Europian.
Të paktën 51.7% e britanikëve kanë votuar për Ikjen dhe 48.3% për Qendrimin. Numërimi ende vijon përmbysja duket e pamundur.
Se çfarë do të thotë kjo votë do të kërkojë kohë që të kuptohet. Po në vijim po rradhis disa gjëra që më vijnë shpejt në mendje për një portret që do të vijojë të plotësohet në ditët e javët që do të vijnë.
Mirë vendosëm, po si do të ikim?
Bashkimi Europian e ka shtruar qartë rrugën e anëtarësimit, ndonëse me dredha e ulje e ngjitje, të cilat po i mëson mirë shteti shqiptar ndërsa djersitet aty i vonuar.
Nga ana tjetër, dalja është diçka që nuk është provuar kurrë.
Së pari atë nuk mund ta vendosë populli me ligj, por deputetët, të cilët kanë qenë masivisht kundër daljes. Nëse vendosin që jo, elita politike në Londër mund ta ndalojë atë që disa e quajnë çmenduri, po vështirë se britanikët do të refuzonin vullnetin e popullit. Sidomos pas një fushate e debate kaq publik.
Kryeministri Cameron mund të japë dorëheqjen sot, madje mund të ketë edhe zgjedhje të reja. Konservatorët janë të ndarë për këtë punë.
Kryeministri britanik do të jetë njeriu që do të negociojë daljen nga institucionet e përbashkëta. Po a është ai njeriu i duhur.
Disa e përshkruajnë si njeriu më i urryer i natës në Britani. Ata që donin të dilnin nga BE e fajësojnë që nuk u bë me ta. Ata që donin të rrinin në BE tani e shajnë se mund ta kishte shmangur referendumin, por e propozoi që të fitonte shumicën e partisë së tij dhe të bëhej kryeministër.
Disa ekspertë kanë paralajmëruar se do të duhen vite për të bërë shkëputjen e plotë nga BE. Rinegocijimi i një marrëdhënie të re mes ish-anëtrit rebel dhe Bashkimit të ofenduar nuk do jetë i lehtë.
Për britanikët më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër do të ketë marrëdhëniet me tregun e përbashkët. Braktisja e këtij tregu ishte çfarë i bënte të ngurronin. Ekonomia angleze ka përfituar shumë nga heqja e tarifave në tregëtinë me kontinentin. Një raport i ri nuk do të jetë i lehtë. Ndonëse sipas argumentit të Largimtarëve tregu europian ka po aq nevojë për britanikët sa ata për europianët.
A do të ketë më Mbretëri të Bashkuar?
Një shprehje e re tani është Mbretëria e Pabashkuar. Portreti është i qartë. Anglia ka votuar fuqimisht për të dalë nga BE. Skocia ka votuar fuqimisht për të qendruar në BE.
Udhëheqësit skocezë e kanë thënë copë se nuk dalin nga BE dhe nëse anglezët i detyrojnë që të dalin, ata do të dalin nga Mbretëria.
Skocia sapo e pati referendumin ku fitoi propozimi për të qendruar në Mbretëri. Por kushtet tani ndërrojnë dhe skocezët po ankohen se janë detyruar të votojnë pa e ditur që po i nxjerrin jashtë Europe.
Ndërkohë Shin Fein, një emër që nuk dilte më prej dy dekadash në lajmet botërore, ka deklaruar se Irlanda e Veriut tani duhet të bëjë një referendum që të bashkohet me Irlandën. A do të cënohet paqja përsëri aty?
Uellsi shihet si tradhëtari më i madh duke anuar papritmas nga Ikja prej BE-së. Çfarë do të ndodhë me uellsianët, nëse skocezët dhe irlandezo-veriorët largohen?
Në fund të fundit është thënë disa herë se referendum për daljen nga BE ka qenë në thelb ngritja e nacionalizmit anglez. Anglia do të rishfaqet në hartën e botës, për ta mbyllur të plotë ciklin e jashtëzakonshëm historik që e pa në majat e veta si sundimtare të mbarë botës.
Kjo votë pra mund të mos ketë thyer vetëm BE-në por edhe MB-në.
A do të ketë më Bashkim Europian?
BE do të vijojë të ketë 27 vende anëtare, por pa Britanikët nuk do të jetë më kurrë njësoj. Madje ka rrezik që të fillojë një farë shpërbërje.
Partitë euroskeptike nuk kanë qenë kurrë më të forta se kaq. Dhe dalja e Mbretërisë së Bashkuar do t’u japë energji të re si dhe nuk është çudi që tani të përqafojnë edhe ato me ngulm daljen nga BE.
Sa të shqetësuara mund të jenë vendet si Danimarka, Hollanda etj që shihnin Londrën si udhëheqëse në kufizimin e natyrës së BE-së si Supershtet, në ambicjen e tregut të lirë, etj. Një numër vendesh të Europës Lindore e kanë parë Britaninë e Madhe si një aleat të rëndësishëm gjeostrategjik që kuptonte rrezikun nga Rusia, që shtonte animin pro-amerikan në BE etj.
Rritja e nacionalizmit dhe euroskepticizmit në këto vende është gjithashtu i dukshëm. E vetmja gjë që i mban është varfëria. Ato përfitojnë nga BE më shumë sesa kontribuojnë.
Dalja e MB-së nga blloku do të rëndojë edhe në kurrizin e vendeve më të pasura të bashkimit që kontribuojnë në tregun e përbashkët.
Në Francë rrezikohet që të fuqizohet Fronti Nacional. Në Spanjë, partitë që po sfidojnë elitat e donin Britaninë brenda si presion ndaj Brukselit. Tani nuk e di se si mund të transformohen pikëpamjet e tyre.
Në Itali, një parti antielitare mori në dorë Romën. Në Greqi, krahu më radikal i Syrizës në pushtet foli për Grexit kur Brexit ishte ende një shaka.
Është sigurisht shumë herët për të pasur garanci në cilindo nga këto skenare. Por BE doli, dera u hap, tabuja u thye.
E krijuar në gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore, me besimin se vetëm bashkëpunimi duke injoruar nacionalizmin do të varroste përgjithmonë tmerrin e gjakderdhjes më të madhe në histori, BE ka pësuar goditjen e parë të rëndë.
Shumë përpara se britanikët të vendosnin daljen nga BE, fantazmat e vjetra kishin dalë nga librat e historisë. Tani nxijnë më qartë.
Ndoshta më mirë për të gjitha palët?
Megjithë kërcënimet e mëdha se çfarë do t’u ndodhte britanikëve po të dilnin nga BE dhe frika se çfarë do të ndodhte me BE-në po të hapej dera nga largimi i një vendi, ka mundësi që shkëputja të jetë një ndryshim pozitiv.
Kriza greke, si një skaj i problemeve me Euron, kriza e refugjatëve dhe problemet e sigurisë në kufijtë lindorë, negociatat ndërkombëtare të tregëtisë me fuqitë botërore të gjitha nënvizojnë diçka: BE do të ishte shumë më efektive nëse do të ishte më shumë si një lloj Shtetet e Bashkuara të Europës, një lloj federalizmi të ngjashëm me atë amerikan. Në mos atë atëhere një formë tjetër më hierarkike se kjo që është sot.
Njëfarësoj, ambicja europiane për më shumë bashkim do të ishte gjithnjë në konflikt me ambicjen britanike për më shumë mëvetësi.
Në fund të fundit, në dy dekadat e fundit, Londra është përpjekur të sabotojë të gjitha zhvillimet e mëdha të BE-së. Refuzoi të merrte pjesë në Schengen, refuzoi të futej në Eurozonë dhe së fundi ka marrë garanci të mëdha se do të përjashtohej nga vendime të ardhshme më centralizuese.
Pa Britaninë, BE mund të thyejë rezistencën e vendeve me pikëpamje të ngjashme (në mos të bëjë të largohen edhe nja-dy).
Nga ana tjetër, ëndrra për një Mbretëri të Bashkuar që tregëton më vete me Kamëuellthin, me Amerikën etj, tani mund të bëhet realitet. Me të mirat dhe të këqiat e saj.
Këto mbeten sigurisht të gjitha fantazi, në këtë moment.
Tregjet të pamëshirshme: Stërlina britanike humbet 10% të vlerës
Kush ka stërlina ka filluar t’i konvertojë që dje në dollarë dhe monedha të tjera.
Disa kanë thënë prej kohësh që në Londër shitja e stërlinës ka ditë në mos javë që ndodh, po gjatë kësaj nate ka qenë e stuhishme.
Monedha britanike ka humbur 10% të vlerës së saj karshi Dollarit Amerikan. Kjo është humbja më e madhe në histori e monedhës që kur u bë e konvertueshme në treg. Stogjet britanike do të humbasin vlerën e tyre gjithashtu.
Miliona britanikë janë zgjuar më të varfër sot për shkak të kësaj vote.
Largimtarët këmbëngulin se tregjet do të stabilizohen përsëri, po shumë do të varet se si do ta administrojnë britanikët tranzicionin.
Edhe optimistët e largimit e merrnin të mirëqënë që disa vende pune do të humbasin e disa industri mund të mos jenë më kurrë njësoj.
Çfarë do të thotë për shqiptarët?
Çfarë do të thotë për shqiptarët?
Kjo do të marrë më mirë përgjigje kur të zbulohet se çfarë do të thotë vërtet për BE-në.
Mirëpo, nuk mund të mos vëmë re ironinë që një vend sapo vendosi të largohet nga Bashkimi në të cilin kemi më shumë se 25 vjet që përpiqemi të futemi.
Ky bashkim ka ndryshuar shumë që kur e nisëm që të shkonim aty. Po me politikanët që zgjedhim ne shqiptarët kush e di se kur bëhemi mbarë për t’u futur. Pjesa kur mund të na mëshironin ka skaduar. Europa ka dallgë ngopjeje tani.
Edhe nëse Shqipëria do të përmbushte një ditë kushtet e anëtarësimit a do ta kërcënonte me veto Mbretëria e Bashkuar për të kënaqur euroskeptikët në politikën e saj?
Imagjino që një nga argumentet që përdorën Largimtarët është që BE-ja po anëtarëson tani vendet si Shqipëria!
Pala që donte të mbetej në BE përdorte kundër-argumnetin që po dolëm do të bëhemi si Shqipëria.
Të jep një ide të imazhit që ka vendi ynë në vende me skepticizëm të lartë për projektin europian. Ndoshta në këtë sens mund të jetë më mirë për shqiptarët.
Nga ana tjetër, ikja britanike mund të dëmtojë rëndë imazhin e BE-së duke dobësuar ndikimin e saj, lartësinë e saj morale. Politikanët shqiptarë kanë gjetur gjithmonë justifikime për t’u bërë bisht kushteve të anëtarësimit.
Tani do ta kenë më të lehtë.
Ata që kanë rezistuar më shumë demokratizimin e mëtejshëm të vendit tani do të kenë më shumë municion kundër BE-së.
Në planin kombëtar e gjeostrategjik, kjo ikje është një lloj minikatastrofe.
Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi më proamerikan në BE. Shqipëria ndan të njëjtën sentiment dhe në këtë kuptim kjo ikje nuk është mirë për ne. Mbretëria e Bashkuar e ka shtyrë BE-në fuqimisht që të njohë e plotë Kosovën e që të jetë më e angazhuar në Ballkan. Aleate e madhe në Bruksel e Strasburg, ashtu si do të vijojë të mbetet, shpresojmë në OKB.
Pastaj shikoni listën e njerëzve që uronin që Brexit të ndodhte: Vladimir Putin, Fronti Nacional (thellësisht antishqiptar) në Francë, nacionalistët ekstremë në mbarë Europën.
Një problem tjetër janë shqiptarët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Çfarë do të ndodhë me ta. Në shumë vende të Europës Lindore ka pasur debate se cili do të jetë fati i bashkatdhetarëve në ishujt britanikë. Në Shqipëri nuk është folur.
Do të flitet për të gjitha këto në ditët e javët e ardhshme. Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme mbarëeuropiane dhe shqiptarët do të preken gjithashtu prej saj në një mënyrë apo një tjetër. Reflektimi për këtë nuk mbyllet këtu. Vetëm sa kemi filluar.
Arsyet e këtij rezultati janë të shumta, po fajësohet në veçanti theksimi i dallimeve të jashtëzakonshme në mirëqënien në shoqëri, të pasurit që janë pasuruar ndërsa të varfërit që varfërohen më tej. Kufizimi i mundësive e mbi të gjitha shkëputja e elitës dhe klasës politike nga populli.
Kur populli përmbys në këtë mënyrë, qoftë pozitive apo vetëshkatërruese, vizionin e një klase politike si ajo britanike, ai ka shumëfish arsye për të rishikuar vlerën e një klase politike si ajo shqiptare. Ndoshta me këtë mendim më shkon më mbarë ta mbyll, ndërsa një ditë e re ka aguar në Shqipëri, Britani dhe Europë.
1000 here me mire eropa perpara>>> dhe shyqyr qe dole prej europes anglia per ne shqiptaret qe nuk e kemi mesuar mire se kush eshte armiku me i rrezikshem qe e ka bo shqiperine copa copa eshte anglia
fare muti rrace e degjenruar shyqyr qe doli kucedra nga europa ato dalin ne do te hym
Po pra, meqe na e futi anglia hajde te behemi me BE-ne. Per inat te sime vjerre …..
… Po pra, meqe na e futi anglia hajde te behemi me BE-ne. Per inat te sime vjerre …..
Europa e Bankiereve duhet te shperbehet dhe do te shperbehet, dhe bashke me te te zhduken te gjithe qelbesirat politikane, sidomos ne Shqiperi. Populli Anglez foli dhe e kthehu sovranitetin e vjedhur nepermjet mashtrimit, aty ku i takon te jete.
Artikull i qarte,dhe i pranueshem.Me kaosin qe po shikojme ne evrope dhe me gjere,tregon per nje kaos politike dhe ekonomik ne demokracine kapitaliste.Te pasurit,qe jane me te forte,po sfidojne pa meshire te varferit.Fakt eshte se kriza ekonoike dhe politike,po ndane e perçane vendet, ne vend qe te bashkohen.Kjo ndarje dhe perçarje,rrenimi ekonomik i popujve,papuesia,SJELLJA ARROGANTE e pronarve ndaj ponetoreve, duke mos i dhen pagen per punen qe bene, po hapet rruga per te shkuar te TEORIA SHKENCORE E KOMUNIZMIT TE KARL MARKSIT,per nje sistem pa shtypje dhe shfytezim te njeriut nga njeriu.Sote ne po shikojme daljen e Anglis nga BE,neser edhe vendet euroskeptike,mund te bejne si Anglia,pakenaqesia e njerzimit ne bote,qe shfrytezohen nga klasa e pasur,padrejtesit me menyren e jeteses (ca si ne parajse,ca ne varferi),padrejtesit me gjykatat e prokororet,lufta e pameshirsheme e krahut te djathte kundra te majtes,tregon,dhe koha kerkon nevojen e nje revolucioni,apo kryengritje te armatosur,pere te kaluar ne nje sistem tjeter,me te drejte,me human,me te begat,SOCIALIZMI. Mendoj se ardhmja i perket socializmit. Socializmi,nuk eshte ai qe paraqesin disa si te deshtuar,sjell varferi etj, nuk eshte e vertet,pasi ai sistem u sabotua nga fuqit e medha kapitaliste,pasi ishte rendi me i begat dhe me i perparuari ne bote.
lufta per pushtet brenda konservatoreve e coi britanine ne kete dalje nga ba eshte nje ngjarje e tmerrshme per demokracine paqen e lirine jo vetem ne kontinent mos te harrojme se masat manipulohen nga individ e grupime politike sic ndodhi ne gjermani .itali e tani ne angli dhe e dime se ku perfundoje Europa .kush e ka Jetuar e jeton ne europen e lirise se njeriut e ndjen rrezikun se u kanoset .levizja e lire e njerezeve e mallrave e kulturave – e cdo gjeje ne te mire te njerezeve apo drejtesia sociale sherbimi shendetesor siguria publike ushtrimi pa pengesa i lirive e te drejtave te njerezeve pa dallime per keto e shume te tjera ha Glen te jesh Pro Euriopian mendoj se shpejt anglezeve do tu mungoje europa