De Biasi eksperimenton, vetëm mbrojtja nuk ndryshon

2 Shtator 2016, 19:29Sport TEMA

Garanci dhe dilema përpara Maqedonisë. Në stërvitjen e paradites, seanca e vetme e parashikuar për këtë të premte, Kombëtarja shqiptare është përqendruar te puna taktike. Trajneri Gianni De Biasi ka eksperimentuar pothuajse gjatë gjithë kohës me rreshtimin e skuadrës dhe emrat e lojtarëve, që ndryshonin vazhdimisht pozicionet në fushën e lojës.

E paprekur nga drejtuesi i stolit kuqezi mbetej porta, me Etrit Berishën që është titullari i padiskutueshëm dhe mbrojtja, me katërshen e repartit difensiv që duket e pandryshuar. Elseid Hysaj në krahun e djathtë, Gjimshiti përkrah Mavrajt në qendër dhe Ansi Agolli që rikthehet në krahun e majtë, pasi u la pushim nga stafi teknik në miqësoren ndaj Marokut.

Stërvitja e zhvilluar në ambientet e stadiumit Selman Stërmasi zgjati 90 minuta, me lojtarët kuqezi që fillimisht punuan të ndarë në grupe, ndërsa më pas u zhvillua një ndeshje testuese brenda grupit. Pikërisht në lojën e kontrollit, De Biasi nuk i ka kursyer eksperimentet, duke u përqendruar te rreshtimi i skuadrës në fushë, për të qenë taktikisht perfekt ndaj Maqedonisë dhe asgjë të mos i lihet rastësisë në debutimin e Kombëtares në kualifikueset e Botërorit 2018.

Gjatë testit, trajneri ka bërë ndryshime të vazhdueshme në mesfushë dhe në sulm, ku titullarët e miqësores me Marokun në këto reparte u rreshtuan përballë titullarëve të mbrojtjes. Për të gjetur golin ndaj Maqedonisë nevojitet volum i madh loje në mesfushë, vertikalizime dhe dalje të shpejta nga krahët. Kjo është arsyeja përse trajneri De Biasi po shqyrton të gjitha alternativat që ka në dispozicion, për ta nisur Grupin G kualifikues me fitore./ SS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje