Eleni Sourani, ambasadorja greke në Tiranë që nuk njeh axhendën e shefit të saj, Nikos Kotzias

20 Shtator 2016, 15:06Politika TEMA

Ambasadorja e re e Greqisë në Tiranë përjashton diskutimin për dy çështjet që mbajtën peng marrëdhëniet mes dy vendeve, zgjidhjen e çështjes çame dhe atë të kufinjve detar mes Shqipërisë dhe Greqisë

Ambasadorja e re e Greqisë në Shqipëri, duket se nuk ka informacion për axhëndën e shefit të saj, ministrit të jashtëm të greqisë, Nikos Kotzias. Në një intervistë për “Albanian Daily News”, ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani ka deklaruar qëndrimin e saj lidhur me çështjen e marrëveshjes së ujërave dhe atë të çështjes çame. Sipas saj, çështja çame nuk ekziston ndërsa ajo e ujërave është e zgjidhur që në vitin 2019.

Në të vërtetë të dy çështjet janë tashmë në axhendën e bisedimeve dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati konfirmoi gjatë vizitës së homologut të tij grek se çështja çame dhe ajo e marrëveshjes së kufinjve detarë, janë dy çështje të renditura në krye të axhendës së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Por ambasadorja e Greqisë, duket se nuk ka dijeni për axhendën e shefit të saj pasi ajo u shpreh në intervistë se: Më lejoni të vë në dukje se qytetarët e kujtdo vendi, që kanë pretendime pronësore në Greqi, mund t’i kërkojnë ato duke iu drejtuar gjykatave greke dhe sistemi gjyqësor grek, me të vërtetë i pavarur, do të prononcohet për çdo rast”, tha Sounari, në intervistë për “Albanian Daily Neës”.

Ajo që ka ndodhur, është se zonja ambasadore nuk është e njohur me bisedimet mes Bushatit dhe Kotzias, ku ministri i jashtëm shqiptar ka kërkuar saktësisht zgjidhjen e çështjes çame. Ja çfarë tha Bushati në konferencën e përbashkët për shtyp me homolugun Kotzias në qershor të këtij viti, vetëm katër muaj më parë.

“Besoj se isha i qartë kur fola për kompleksitetin e marrëdhënies mes dy vendeve tona për listën e çështjeve dhe për një lloj kategorizimi të çështjeve. Besoj gjithashtu se respektojmë pikëpamje të ndryshme që kemi me ministrin Kotzias për disa prej këtyre çështjeve. Nuk ka asnjë diskutim që Çështja Çame është pjesë e kapitullit të problemeve që rrjedhin nga Lufta e II Botërore. Jemi  ballkanas dhe është e qartë që të kemi lexime të ndryshme për këtë çështje ose të tjera.

Besoj se  është moment i mirë dhe më i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Nuk bëhet fjalë as për pretendime territoriale, sepse Shqipëria s’ka pretendime territoriale ndaj Greqisë. E respekton Greqinë si një vend dinjitoz. Por, qasja jonë për Çështjen Çame ka të bëjë me respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të shqiptarëve të çamërisë.

Flasim për një proces, ku çdo lloj pengese e karakterit diskriminues do të duhej të hiqej ndaj kësaj popullsie. Inspirojmë të ndërtojmë një shoqëri që bazohet tek e drejta dhe ku flasim për këtë nuk flasim për përgjegjësitë kolektive dhe për përgjegjësitë individuale, por për të drejtën e pronës, të lëvizjes së lirë e më gjerë. Besojmë se është e mundur të marrim shembull nga praktika të mira siç ishte ajo e e marrëdhënieve gjermano-franceze”, tha Bushati.

Duke i shtuar këtij fakti edhe tjetrin që ministria e jashtme greke organizon konferenca shkencore me temë çështjen çame, pavarësisht se cilat këndvështrime zënë vënd atje. Pra është fakt se çështja çame ekziston zyrtarisht për qeverinë greke.

Sa i përket marrëveshjes së kufinjve detar, zonja ambasadore është shprehur në interviste se: : “Lidhur me delmitimin e kufirit detar mes dy vendeve, do të doja të vija në dukje se kjo nuk është një çështje e pazgjidhur, përderisa ka një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2009, e cila u hartua me kujdes dhe bazuar në Konventat e OKB-së dhe ligjin e Detit dhe që në vështrimin tonë i shërben interesave të të dyja vendeve”, tha ambasadorja për marrëveshjene ujërave.

Ndërkohë që pakti detar Berisha-Karamanlis i firmosur nga ish-ministrat e jashtëm Basha dhe Bakojanis u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, që do të thotë është një marrëveshje pa asnjë vlerë për qeverinë shqiptare. Ndaj dhe ministri Bushati e ka përfshirë në axhendën e çështjeve të pazgjidhura mes dy vendeve.

2 komente në “Eleni Sourani, ambasadorja greke në Tiranë që nuk njeh axhendën e shefit të saj, Nikos Kotzias”

  1. evi says:

    Jemi te sigurte qe nuk eshte ia ka fut kot ministri yne?

  2. K9 says:

    Flasim per nje ambasadore me nje nivel diplomatik ordiner, pjese e nje institucioni ku edhe vete ministri le shume per te deshiruar per nga intelekti dhe kultura diplomatike. Megjithate gjithçka eshte brenda kuadrit te nje qeverie greke thellesisht ne krize dhe jashtezakonisht e dogmatizuar mes nje turlie idologjishe te ektremit te majte, te ekstremit te djathte, te shovinizmit grek dhe kultures fanatizmit religjoz.
    Deshtimi i politikes se imponimit dhe degradimi ne parafabrikatet ideologjike qe perdor qeveria greke, tashme deshmojne per qeverine shqiptare nje avantazh, qe po shfrytezohet me shpejtesi.
    Deklarata te tilla butaforike shfaqin thjesht dhe rendomte nje diplomaci ne krize. Diplomacia greke eshte ndofta institucioni me i deshtuar midis diplomacive te Ballkanit Perendimor, pasi thuajse nuk ka zgjidhur qofte dhe nje problem te vetem, sado ordiner ne raportet me fqinjet.
    Eshte ky nje realitet i hidhur per nje vend qe deri dje ushqente iluzjonet e nje fuqie rajonale, por qe ne vetvete nuk arrin te zgjidhe dot as probleme te rendomta me fqinjet me se shumti te fabrikuara nga kultura e meskinitetit te vete diplomacise greke, duke bere te mundur nderhyrjen e qeverive Perendimore.
    Kriza paradoksale e emrit te Maqedonise, qe tashme ka marre trajten e nje problemi qesharak nderkombetar, eshte ndofta rasti me unik dhe idiot, qe çdo qeveri me minimumin e respektit ndaj vetes, do te evitonte.
    Dhe ketu diplomacia shqiptare ja ka dale me se miri , se pari te diskretitoje perpara qeverive Perendimore paaftesine dhe inefiçencen e qeverise greke ne zgjidhjen e problemeve, fabrikimin dhe perdorimin e problemeve si mjet presioni dhe gjobvenie ne rrugen e integrimit te shteteve fqinje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje