Genc Tomori bllokon Ekubanin: Fenerbahçe luajti si në Champions

13 Janar 2017, 12:57Sport TEMA
Genc Tomori bllokon Ekubanin: Fenerbahçe luajti si në Champions

Përfundimi i miqësores me Fenerbahçen bëri që Partizani të “dridhet”, pasi mund të humbiste shërbimet e sulmuesit Kaleb Ekuban në merkaton e janarit. Ndonëse ofertat janë të shumta për lojtarin që është në pronësi të italianëve të Kievos, drejtori i përgjithshëm i të kuqve, Genc Tomori, në një prononcim për “Panorama Sport” ka hequr alarmin. Tomori pohoi se Ekuban do të mbetet pjesë e Partizanit deri në fund të sezonit.

Nuk ka shanse që ne të humbasim shërbimet e Ekubanit në merkaton e janarit. Ndonëse kemi lumë ofertash për sulmuesin, ai do të jetë i Partizanit deri në fund të sezonit”, u shpreh drejtori Tomori për “Panorama Sport”.

Takimi me Fenerbahçen

Më pas, Tomori u shpreh edhe rreth ndeshjes së zhvilluar ndaj turqve. “Në 15 minutat e para u vumë nën presionin e Fenerbahçes. Nuk e prisnim një gjë të tillë pasi ishte miqësore, por duke qenë se luhej në një stadium me mbi 2-3 mijë tifozë, takimi i ngjante më shumë me një ndeshjeje zyrtare. Për shkak të vrullit të kundërshtarit dhe gabimeve tona në mbrojtje, pësuam dy gola të shpejtë.

Më pas e morëm veten, u futëm në lojë dhe gjatë pjesës së parë patëm edhe dy raste. Ndërsa në pjesën e dytë ishim më të plotë, ku patëm edhe mundësitë tona, kryesisht në fund të ndeshjes. Takimi mund të mbyllej edhe në shifrat 3-2, nëse Ekuban do të realizonte golin e dytë në fund. Duhet pranuar forca e kundërshtarit, por edhe miqësorja i ngjante një përballjeje zyrtare. Organizimi i këtij testi i ngjante një ndeshjeje të Ligës së Kampioneve.

Sigurisht, u kënaqëm nga kjo ndeshje, pasi nuk është e lehtë të luash ndaj Fenerbahçes, e cila është edhe në vëmendjen e mediave në Turqi. Nga kjo sfidë, ne patëm mundësi që të reklamonim klubin dhe veten. Në tribunën qendrore pati një interesim të madh edhe nga menaxherë të ndryshëm, pasi luante një klub i madh si Fenerbahçe, por edhe Partizani, si ekip që ka marrë pjesë në verë në Champions, e shtonte vëmendjen.

Pra, kishte informim të hollësishëm për të dy ekipet dhe për lojtarët që ngjallin interes nga klube të ndryshme. Pëlqime pati nga menaxherët e pranishëm edhe për lojtarët tanë, por gjithçka mbeti në përgjithësi. Konkretisht, ne si klub nuk kemi marrë asnjë ofertë zyrtare”, u shpreh Genc Tomori.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje