Simon Rrumbullaku ka folur për transferimin e tij tek skuadra e Kukësit ku arriti të debutojë në miqësoren kundër Instabul Bashakshehir.
Mbrojtësi i krahut të majtë arriti që të marrë dhe pëlqimin e trajnerit Ernest Gjoka.
Në një prononcim për Supersport, Rrumbullaku u shpreh i lumtur për këtë trasferim duke thurur elozhe për klubin verilindor.
” Kukësi është një ekip i mirë, edhe pse kam vetëm pak ditë që jam bashkuar me skuadrën kam kuptuar që këtu punohet mirë. Stafi dhe futbollistët më kanë ndihmuar shumë për tu përshtatur. Shpresojmë të vazhdojmë kështu dhe të arrimë objektivat”.
Më tej Rrumbullaku shtoi se do të jap maksimumin që të jetë titullar në çdo takim me Kukësin.
” Do ta tregojë vetëm koha nëse do të jem titullar apo jo. Kam ardhur këtu për të punuar dhe për tu bërë një lojtar më i mirë. Të ndihmoj ekipin sa herë do të më jepet rasti. E rëndësishme është që skuadra te eci mirë”.
Në fund ai theksoi se gjatë periudhës që ka luajtur në kampionatin grek e ka ndjekur futbollin shqiptar i cili ka pësuar rritje vit pas viti.
“Unë kam qenë në Greqi por e ndiqja kampionatin shqiptar nga televizioni, niveli është rritur pasi kanë ardhur lojtarë shumë të mirë. Skuadrat shqiptare në vitet e fundit kanë bërë paraqitje shumë të mira edhe në Europë, jam i sigurtë që niveli do të vijë akoma edhe më shumë në rritje. Kukësi ka një ekip shumë të fortë, besoj se kjo skuadër i ka cilësitë për të bërë mirë në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë”.