Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, është përfolur si këshilltari i mundshëm i presidentit Donald Trump për çështjet e Lindjes së Mesme. Blair, i cili ka drejtuar Britaninë e Madhe gjatë viteve 1997-2007, është takuar me dhëndrin dhe njëkohësisht këshilltarin e Trumo, Jared Kushner, të mërkurën, raporton “The Mail”, sipas të cilës takimi ka zgjatur mëse 3 orë.
Sipas gazetës, Blair mund të marrë rolin e këshilltarit të presidentit Trump.
“Blair e ka pasur përzemër këtë punë dhe njerëzit pranë Trump-it po e marrin seriozisht”, shkruan gazeta.
Blair shihet si person i përshtatshëm për këtë rol, pasi mori përsipër rolin e të dërguarit të Kuartetit (BE, SHBA, Rusia dhe OKB) për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore mes Izraelit dhe Palestinës.
Por zyra e Blair-it e ka hedhur poshtë këtë hipotezë, duke e quajtur shkrimin një “shpikje”.
“Zoti Blair nuk është përpjekur të marrë këtë rol. Ai nuk ka diskutuar për këtë as me presidentin Trump dhe as me dikë nga stafi i tij. Ai ka punuar për procesin e paqes për 10 vjet me radhë. Do të vijojë ta bëjë këtë me inicitivën e tij personale”, thuhet në reagimin e zyrës së ish-kryeministrit.