Mbi 4 milionë civilë janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre për shkak të konflikteve dhe sulmeve të Shtetit Islamik deri tani.
Ky është përfundimi i arritur, që u bë publik nga ministri irakian i Emigracionit dhe Emigrantëve, Xhasim el-Xhaf.
Në një fjalim të mbajtur në forumin e 5-të të Universitetit Amerikan Sulejmanije, të qeverisë rajonale kurde të Irakut ai tha:
“Që nga shfaqja e DEASH-it e deri tani 4 milionë persona janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre, si emigrantë të brendshëm.
Në Irak ka pasur edhe kthime në shtëpitë e tyre pas rimarrjes së disa rajoneve nga ISIS. Deri tani janë kthyer në shtëpitë e tyre 1 milionë e 700 mijë persona. Kjo për ne është një zhvillim i rëndësishëm”.
Ndër të tjera ai shtoi se afërsisht 2 milionë e 300 mijë persona të cilët nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre përpiqen të jetojnë në shtëpitë e marra me qira me mundësitë e tyre apo nëpër qytetet çadra.