Ditari i Megi Pjeshkës: Kundër Komandant Legjionit, kemi gjeneral Kokëdhimën!

29 Mars 2017, 18:07Antena TEMA

Sot çadra ishte më e boshatisur dhe gjithë ditën kemi ndjekur lajmet në TV.

Ajo që na bëri përshtypje, ishte se dhe Franca u rreshtua kundër nesh.

Ata i dhanë dekoratën më të lartë të tyre, Edi Ramës.

Duke e bërë Edi Ramën, “Komandnat të Legjionit të Nderit”, Franca në fakt ka marrë qëndrim ndaj luftës sonë, kundër Edi Ramës.

Ata po qe se duhet t’i jepnin një dekoratë, i jepnin, se kanë plotë dekorata të larta.

Fakti që i dhanë dekoratën “Komandant”, do të thotë se bie era luftë dhe ata kanë caktuar komandatin e tyre Edi Ramën, kundër nesh.

U lidhëm urgjent me Lulin dhe ja shpjeguam situatën.

Ai u lidh me kryeministrin hungarez Orban, dhe ja shpjegoi situatën.

-Është sinjal lufte, i kishte thënë dhe ai. Merrni masa.

Luli na telefonoi dhe tha “do t’i përgjigjemi dhëmb për dhëmbë. Ai si mercenar i Francës, ne me djemtë e bijat tanë shqiptarë”.

Dhe pas disa orësh erdhi zgjidhja.

Ilir Meta ishte takuar me Koço Kokëdhimën dhe të dy ishin betuar që nuk e lënë PD të vetëm në këtë betejë.

Tani ngelet një takim tresh Luli- Meta- Koço, për të caktuar kush do jetë komandant në këtë front opozitar.

Kam besim që do gjejnë mirëkuptim.

Nga ana tjetër, dekorimi i Edi Ramës tregon dhe faktin se Franca nuk vlerëson vlerat e vërteta të shqiptarëve, por vlerat banale.

Gjatë takimit me kryeministrin hungarez Orban, Luli ja kishte ngritur dhe këtë shqetësim.

-Për shembull, kemi dy raste, i ka thënë Luli. Doktorin dhe Edi Ramën. Doktori ynë ka qenë në studime pasuniversitare në Francë, ka shoqëruar aty Hysni Kapon kur ishte sëmurë etj. Edi Rama ka qenë në Francë si refugjat. Përse nuk kanë dekoruar Doktorin, por Edi Ramën, që ka qenë aty si refugjat dhe e ka gjetur Fatos Nano pa bukë, pasi i tregoi Ben Blushi vendin ku flinte?

-Ke shumë të drejtë, i ka thënë Orban. E kam ngritur prej kohësh këtë çështje, që refugjatët janë të rrezikshëm, do ta shkatërrojnë Europën, do na marrin dhe punët, por nuk më kanë dëgjuar. Kam bërë dhe gardh për këtë punë, para Trumpit. Keni shumë të drejtë. Do t’iu mbështes në luftën tuaj.

Kjo na ngrohu pak zemrën në çadër.

Pas mbështetjes së Kokëdhimës, kjo e Orbanit ishte vendimtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje