Interesimi i klubeve angleze për Elseid Hysajn duket gjithnjë e më i madh.
Mançester Junajtid dhe Çelsi kanë dërguar vazhdimisht vëzhgues në ndeshjet e Napolit për të parë në veprim mbrojtësin, por me sa duket, janë londienzët e Antonio Kontes ata që janë shumë më afër mbrojtësit të djathtë.
Sipas “Talksport”, radios të njohur sportive angleze, Hysaj është një prej alternativave më të mundshme për të zënë vendin e mbrojtësit të djathtë në rreshtimin e Çelsit në sezonin e ardhshëm.
Antonio Konte ka përdorur Viktor Moses në këtë rol gjatë këtij sezoni, me rezultate mjaft pozitive, por ka nevojë për një futbollist tipik për këtë rol në edicionin e ardhshëm, shkruan “Panorama Sport”.
“Çelsi, bashkë me Arsenalin dhe Mançester Junajtid, janë përmendur edhe më parë në garën për mbrojtësin e djathtë shqiptar. Ai është vetëm 23 vjeç, por ka që tani 160 ndeshje në futbollin Italian si dhe ka qenë kapiten i Kombëtares së tij, që tregon se është i pjekur sa duhet për një lëvizje në kampionatin anglez.
Ndoshta ndërhyrjet e tij janë disi të pakujdesshme, meqë ka marrë 7 kartonë të verdhë këtë sezon, por atij i pëlqen të dalë para dhe të ndihmojë shokun e skuadrës që ka në krah, Kajehon.
Edhe ndaj Juventusit, gjatë fundjavës, ai u shfaq duke dribluar në zonën e rreptësisë”, shkruhet në portalin e radios më të madhe sportive në Angli.
Alternativat e tjera që po monitoron Çelsi janë Sedrik Soares i Sauthempton, Zheremi Toljan i Hofenhaim, Andrea Konti i Atalantës, Nelson Semedo i Befikës dhe Davide Zapakosta i Torinos.
Dy futbollistët italianë janë përmendur shpesh si zëvendësues të mundshëm të Hysajt te Napoli nëse ai vendos të largohet nga kjo skuadër.