Përse duhet t’i jemi mirënjohës Lulzim Bashës?!

6 Maj 2017, 09:18Politika TEMA

Nga Altin Ketro

Ka një entuziazëm fëmijëror në radhët e Partisë Demokratike pas vendimit të kryeministrit Rama për të tërhequr kandidatin e tij nga zgjedhjet e datës 7 maj në Kavajë. Më i ngazëllyeri u duk kryetari Basha, të cilën e shfaqi në fjalën që mbajti në çadër. Ky vendim i Ramës gjeti të papërgatitur gjithkënd, përfshi edhe kandidatin Shehi. Natyrisht, ai ishte një vendim që ai nuk e mori ashtu kuturu dhe kuptohet që ka patur dakordësinë e faktorit ndërkombëtar, nisur kjo edhe nga deklaratat e tyre fill pas konferencës së tij për shtyp.

Kryeministri Rama e ndau në dy pjesë këtë vendimmarrje.

Së pari, ai shtroi mundësinë e një situate destabilizuese që ekzistonte prej opozitës e cila kish nisur një organizim luftarak të sajin enkas për këto zgjedhje. Po ta vëresh, Lulzim Basha kish zgjedhur si pjesë e organizimit të protestës në Kavajë deputetë problematikë si Edi Paloka dhe Flamur Noka. Duke qenë individë që s’e kanë ndjenjën e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë, që kërkojnë doemos sherrin edhe aty ku s’ekziston, ka qenë pjesë e strategjisë së PD-së për të gjetur çfarëdolloj shkaku për t’i ndezur fitilin barutit të protestës me qëllim që ta nxirrnin atë jashtë kontrollit. Bie fjala, Flamur Noka ishte më problematiku gjatë zgjedhjeve në Dibër ku lëvizte i armatosur dhe nuk i ndalonte postblloqeve të policisë. E kërkonte me ngulm sherrin që t’i prishte ato zgjedhje, por s’iu dha për asnjë moment mundësia. Pikërisht situata të tilla provokuese do inskenoheshin me qëllim që PD të ngrinte një kauz të re për të justifikuar pastaj shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare dhe krijimin e të ashtuquajturës “qeveri teknike”.

Së dyti, më këtë tërheqje, kryeministri i ofroi opozitës një mundësi të fundit për të reflektuar deri më datë 7 maj, për të marrë vendim për t’u futur në zgjedhje. Natyrisht kjo është një përpjekje e kotë, sepse me ç’u pa në çadër, Basha tani as që ka ndërmend të futet në zgjedhje. Këto tërheqje taktike të Ramës, i cili nga njëra anë nuk dëshiron ta bëjë fushë beteje një qytet të fituar si Kavaja dhe nga ana tjetër do që t’i japë një dorë shpëtimi opozitës, Lulzim Basha i konsideroi si shenjë dobësie dhe si të tilla dëshiron t’ia shesë edhe elektoratit të vet. Më vjen të qesh ngaherë kur Basha e akuzon Ramën se bën çmos për të mos e lënë pushtetin. Qesh sepse po të niseshim me mentalitetin e Bashës, Edi Rama duhet ta kish bërë lumë gjaku Tiranën kur i rrëmbyen ditën për diell, drejtpërdrejt në televizion, postit e kryetarit të bashkisë Tiranë që për mua është më i rëndësishmi pas atij të kryeministrit për nga fuqia dhe pesha që zë.

Nga ajo që shoh, më rezulton se Partisë Demokratike nuk i ka mbetur asnjë alternative tjetër veç krijimit të situatave të rrëmujës. Lulzim Basha, i inspiruar prej Berishës, i ka hyrë kësaj rruge dhe do tentojë sërish me mënyra të tjera për të krijuar përshtjellime. Natyrisht, ai loz me ndjesitë e një elektorati opozitar që kanë parë se si partia e tyre është bërë kashtë e koqe qysh pas zgjedhjeve vendore të vitit 2011 dhe të vetmen mendësi që ata injektojnë tek ata që të besojnë se do rikthehen në pushtet janë trazirat e mundshme, praktikisht përballja me qeverinë. Por këtë përballje ata nuk e dëshirojnë tek kutia e votimit, ku çdo shqiptar t’i japë secilit hakun, por tek dhuna fizike e provokuar nga incidente të vogla mbi të cilën qimen ta bëjnë tra. Se ja, kjo është ajo opozitë që dy muaj më parë na trullosi se këtu kishin hyrë mijëra kontenierë me mbetje radioaktive që do na shfarosnin si popull; se kjo opozitë kishte fakte e prova që do i bënte publike brenda një jave, etj. etj., por kaluan javë të tëra dhe ato akuza avulluan sikur të bëhej fjalë për ndonjë qese mbeturinash që secili prej nesh hedh rëndom çdo mëngjes në kazan. Ato ishin akuza që jo rastësisht u importuan nga Maqedonia, pikërisht nga ai shtet të cilin Basha e merr si model të zgjidhjes së krizës.

Gjithsesi, unë bashkohem me mendimin e shëndoshë të atyre që i japin të drejtë kryeministrit për këtë lëvizje që bëri. Le ta lëmë Lulzim Bashën ta rrejë mendja se korri fitoren e parë e pas kësaj do i vinë në tavolinë edhe të tjerat. Ai është mësuar t’u gëzohet këtyre lloj “fitoreve” pa përballje. Në të kundërtën e tij, Edi Rama u gëzohet vetëm përballjeve në zgjedhje, kur e mund drejtpërdrejt kundërshtarin. Është një kënaqësi edhe për Partinë Socialiste, kur e mund edhe ajo Partinë Demokratike. Fatkeqësisht, kësaj here, nuk do e ndjejmë këtë lloj kënaqësie. Por, nuk duhet të mërzitemi, sepse do shijojmë një kënaqësi edhe më të madhe të cilën po na e bën dhuratë vetë Lulzim Basha. Kënaqësinë që në Kuvendin e ardhshëm nuk do të kemi më prezent Sali Berishën dhe një takëm kapsollash politikë, të cilët me ato situata që krijuan gjatë legjislaturës 2013 – 2017, e shkatërruan jetën parlamentare, duke ia ulur autoritetin në sytë e popullit, institucionit më të lartë legjislativ. Ishin ato diskutime agresive plot fyerje e shpifje, gjuha e vrazhdë ku fjala “kriminel” përdorej pa teklif në çdo fjali, ajo që e ktheu atë Kuvend në Kuvendin më të neveritshëm të këtyre 27 viteve demokraci. Qoftë edhe për këtë shërbim të madh e historik që po i bën Shqipërisë dhe popullit shqiptar, më duhet që, për herë të parë e të fundit, t’i jem mirënjohës Lulzim Bashës.

6 komente në “Përse duhet t’i jemi mirënjohës Lulzim Bashës?!”

  1. mali says:

    Bukur Altin, duhet vleresuar edhe i keqi kur ben nje te mire.

  2. N. says:

    Do ishte mire qe te shporreshin fare keta pseudo demokrate qe nuk kane fuqi te bindin njerezit ti votojne dhe krijojne vetem rremuja. Uroj shume qe parti e reja ti zevendesojne ne rolin e opozites duke u votuar nga populli, qe ta kuptojne njehere e mire qe nuk i duan me as demokratet e vertete (kjo u pa nga fjala e Bregut, Topallit etj). Te vetmit qe mund ti ndjekin akoma jane ajo pjese e shoqerise qe eshte si ata, hajdut e rrugace.

  3. Shkodrani says:

    Jam dakort me c,do fjale e ne c,do pik e presje te artikull shkruesit , por ne artikull ka harru te shkruaj se djali i Shiqeres nga Vucidoli e Luli i vockerr kan lyer duart me gjak SHQIPTARESH , Saliu mbas pushtimit Turk eshte fatkeqsia me e madhe e Shqiptarve , eshte KAVIA me e ndyre qe ka nxjerr ky komb , i pagufshin ne femijet e mbesat e nipat e tyre dhimbjet qe i krijuan ketij populli , e pagufshin aty ku ju dhemb me shume , ne ne Shkoder themi nje fjal te urte , Zoti paft e paguft !

  4. Ivan i madh says:

    Sikur i dashuri jot k/ministeri Rama po flet e deklaron se po ben shtet e ngrene policine. Po per ke po ngre shtet per te vendosur rend e qetesi per qytetaret e thjeshte qe me nje te rene bilbilit te policit qendron ne vend apo per te gjithe pa dallim se kush e cili eshte. Shtet eshte ai qe i ve fre te fortit e shkeleseve te ligjit qe miku jot se ben dot se e ka friken ne palce per te folur brockulla para qytetareve po ja kalon dhe mikut te tij. Berishes. Na permendet Dibren ku ishin punonjesit e rendit te bllokonin kete bandit dhe te rekrurtuar te Udb F. Noken qe si bindeshe forcave te policise e bridhte si cub pse si zbatoi ligjin per aq sa i takon te policise per te tjerat le te mbante pergjegjesi prokuroria dhe gjykatesit. Po te ishte qytetar i thjeshte ishte mare zvare dhe pa i dhene asnje shpjegim ky eshte shteti qe do ndertoje dhe do ngrere policine miku jot Rama. Po me sa duket kjo politike po bie ere te qelbur derisa te behet epidemi qe do e pesoje populli si per here.

  5. DETARI [email protected] says:

    Zgjedhjet e Kavajes do te behen ne 18 Qershor bashke me ato te pergjitheshmet .

    Shkrimi eshte mese i goditur dhe megjithmend Luli me banden antishqiptare do te na mungojne shume……………………,,,,,,i kishim ne vend te …..Portokallise……….

  6. BB says:

    Drejtesia nuk eshte as e pavarur, eshte ne doren e qoftelargut per rrjedhoje zbatimi i ligjit ngelet i paralizuar, per rjedhoje papergjeshmeria dhe te qenit me te “forte” se ligji shpreh psikologjine e atyre qe nuk hyne ne zgjedhje. Kjo drejtesi mafioze i ka lidhur duart organeve shteterore e qeverise, ne vend qe te merret me faktorin destabilizues qe rrezikon ne veprime antikushtetuese, Prandaj duhet vetingu . Asnji mbi ligjin. Mund te vonoje disi , por fundi eshte i pashmangshem per ata qe e shkelen ate me te dyja kembet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje