Thomas Strakosha nuk është i lumtur që e mbylli me humbje sezonin e tij të parë si protagonist në Serinë A, por gjithsesi është i kënaqur që ka marrë vlerësime për një edicion ku ai shfrytëzoi mundësitë që iu dhanë për të luajtur sa më rregullisht.
“Na vjen keq që u mundëm nga Krotone, pasi objektivi ynë ishte vendi i katërt. Kemi bërë një ndeshje të keqe dhe nuk e merituam fitoren. E kishim përgatitur mirë ndeshjen, por ata shfrytëzuan momentet tona negative në këtë duel. Kishin më shumë uri se ne dhe kjo nuk duhet të ndodhë në takimet e ardhshme”, tha Strakosha.
Megjithatë, paraqitja e mbrëmshme nuk mund të fshijë një sezon shumë pozitiv në të cilin ai u kurorëzua mes futbollistëve më premtues të Serisë A. “Për mua ky ishte një vit shumë i bukur. Pavarësisht disa ndeshjeve të këqija, e cilësoj një vit të mirë. Shpresojmë që në vitin tjetër të jetë edhe më i bukur”, tha Strakosha para mediave.
I pyetur se cili ishte momenti më i bukur i sezonit që sapo kishte mbyllur, për të nuk kishte dyshime.
“Derbi i fazës së dytë ndaj Romës (fitore 3-1). Është gjithmonë diçka e bukur kur arrin të fitosh në derbi. Pritja më e bukur ishte ajo ndaj Xhekos”, tregoi portieri shqiptar i cili në fund kishte edhe disa këshilla për të rinjtë.
“E vetmja gjë që mund t’u them është që të mos dorëzohen kurrë. Duhet gjithmonë të japin maksimumin. Edhe unë nuk luaja në vitin e kaluar. Ma dhanë mundësinë që të zbrisja në fushë dhe e shfrytëzova”, tha portieri i përfaqësuese shqiptare i cili me shumë mundësi do të jetë titullari i Lacios në sezonin e ardhshëm.