Prokuroria do të kërkojë ekspertizën e Gjermanisë për të zbuluar lëndën që shkaktoi helmimin e 140 mbështetësve të PD-së.
Po ashtu ndryshe nga sa ishte referuar nga policia për ndotje të mjedisit, ngjarja do të hetohet për pengimin e subjekteve zgjedhore. Tirane- Prokuroria po shqyrton mundësinë për të dërguar në Gjermani prova të mbledhura në sheshin ku u helmuan 140 mbështetës së Partisë Demokratike.
Burimet kanë saktësuar se nëse ekspertiza realizohet në Shqipëri, kosto do të jetë tejet e lartë, ndaj nje formë më e mirë është menduar dërgimi i mostrave jashtë vendit.
Ndërkohë prokuroria mësohet se ka ngritur akuzën e pengimit të subjekteve zgjedhore, për këtë ngjarje.
Burime nga organi i akuzës së kryeqytetit kanë bërë me dije se ndryshe nga sa ishte referuar nga policia për ndotje të mjedisit, ngjarja do të hetohet për akuzën e caktuar nga prokuroria.
Një tjetër pistë që po hetohet është edhe ajo e konkurencës mes kompanive që ofrojnë shërbime për eventet, pas dyshimeve se mund të kemi të bëjmë edhe me një sabotim të kësaj natyre.
Gjithsesi hetuesit janë në pritje të analizave dhe ekspertimeve te tjera për të vijuar me pas me procedurat hetimore.
Ngjarja ndodhi mbremjen e 27 majit.
Më shumë se 140 pjesëmarrës në mitingun e opozitës, përfshirë dhe kreun e PD-së, Basha u paraqitën gjatë orëve të mëngjesit të së shtunës (28 maj 2017) në spitalin e Tiranës me shenja helmimi.
Që të gjithë kishin të njejtat simptoma si skuqje, kruarje dhe djegie të syve apo dhe irritim në fytyrë dhe ne pjesën e qafës. Disa prej tyre kanë shfaqur edhe vështirësi të lehta në frymëmmarrje. Vetëm një numër i vogël është mbajtur për kujdes të mëtejshëm, ndërsa pjesa tjetër ka lënë brenda një kohe të shkurtër spitalin.(Oranews)