Apeli i Krimeve të Rënda rrëzon dënimin për ish-gjyqtarin e Sarandës

31 Maj 2017, 18:52Kronika TEMA

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda rrëzoi vendimin e dënimit për ish-gjyqtarin e Sarandës, Rasim Doda pas konstatimit të “shkeljeve proceduriale” dhe vendosi që çështja të shqyrtohej nga fillimi në shkallën e parë.

Në tetor 2016, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të shpallë fajtor dhe të dënojë me 4 vjet e 6 muaj burg ish-gjyqtarin e Sarandës, Rasim Doda, i akuzuar për veprën penale të korrupsionit pasiv. Por Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e rrëzoi këtë vendim të mërkurën, duke argumentuar se ishte marrë “në kushtet e shkeljeve proceduriale”.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, dosja e ish-gjyqtarit Doda duhet të rikthehet edhe njëherë për gjykim në shkallën e parë. Prishja e vendimit erdhi si rezultat i shkeljeve proceduriale, të konstatuara në shkallën e dytë të gjykimit.

Doda, i cili ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, u arrestua në qershor 2015, pasi u akuzua se kishte kërkuar 80 mijë euro rryshfet në këmbim të një vendimi gjyqësor. Ai u hetua më pas në gjendje të lirë dhe në fund të procesit gjyqësor, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 4 vjet e 6 muaj burg.

Doda u deklarua i pafajshëm gjatë procesit duke argumentuar se është viktimë e “një puçi nga brenda sistemit të drejtësisë”.

Sipas akuzës, gjatë një procesi civil për çështje pronësie mes qytetares Gjinovefa Shehu dhe kompanisë së ndërtimit të shtetasit Hasan Bushi, Doda akuzohet se pati ndaluar në rrugë Bushin dhe i kishte kërkuar rryshfet. Në një intervistë për BIRN, Bushi tha se nuk i dispononte këto para dhe e humbi gjyqin, por kreu kallëzim ndaj gjykatësit, i cili u arrestua më pas.

“Në këtë moment, i pandehuri Rasim Doda i ka bërë me shenjë me dorë për ndonjë lek, duke i bërë me shenjë në pëllëmbën e dorës që kallëzuesit i ka lënë të kuptonte së kërkonte shumën prej 80.000 euro”-përshkruhet ky episod në aktpadinë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Si provë të përfshirjes së gjyqtarit  në korrupsion, organi i akuzës ka dokumentuar edhe  komunikimet telefonike mes tij dhe Bushit, i cili i lutet gjyqtarit për një vendim të drejtë pasi nuk kishte para të paguante.

Gjatë gjykimit, Doda pretendoi se nuk ishte takuar me kallëzuesin e tij dhe hodhi poshtë akuzat se kishte kërkuar para në këmbim të vendimit gjyqësor.

Doda u akuzua gjithashtu nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private, falsifikime dokumentesh si dhe transferta të dyshimta.(BIRN)

2 komente në “Apeli i Krimeve të Rënda rrëzon dënimin për ish-gjyqtarin e Sarandës”

  1. KF says:

    Shume mire ka bere gjykata e Apelit qe ka prishur vendimin per denimin e nje gjyqtari shembullor si Rasim Doda, dhe kthimin per rigjykim, te cilit pushteti politik i beri puc per ta denuar sepse donte me cdo cmim te favorizonte nje biznesmen per te ndertuar ne token e tjetrit.

  2. DREJTESIA says:

    Ai ish Gjyqtar duhej denuar se dihet boterisht qe ka qene nder Gjyqtaret e korruptuar! Shume njerezve ne Sarande u ka pire gjakun! E drejta do vonoj po nuk do harroj!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje