Pas mbarimit të ndeshjes me Skënderbeun, futbollistët e Partizanit kanë nisur pushimet, të cilat pritet të zgjasin rreth dy javë.
Një ditë pas transfertës së Korçës, Arbnor Fejzullahu, ka udhëtuar drejt Maqedonisë për të ndjekur derbin e skuadrave shqiptare në këtë vend, Shkëndija e Tetovës-Renova.
Mbrojtësi i Partizanit ka qenë i shoqëruar nga futbollisti i Kombëtares, Berat Gjimshiti.
Të dy lojtarët janë shokë të ngushtë nga Lugina e Preshevës dhe e kanë shfrytëzuar pushimin e tyre të shkurtër për të ndjekur derbin e skuadrave shqiptare në Maqedoni. Në përfundim të ndeshjes, të dy lojtarët kanë qenë në fokusin e mediave shqiptare dhe për gazetën “Lajmi” mbrojtësi i Partizanit ka pohuar se të kuqtë ishin ndërtuar për kampionë, por edhe vendi i dytë nuk konsiderohet dështim i madh.
“Normalisht, Partizani ishte për kampion, pasi i tillë ishte ndërtuar, por futbolli është i tillë. Besoj se sezonin tjetër do ta fitojmë titullin. Kësaj here, edhe vendi i dytë nuk ishte keq. Tani mendojmë për Europën, të shohim sa larg mund të shkojmë në Ligën e Europës. Në sezonin e ardhshëm, qëllimi ynë, siç e thashë edhe më lart, është titulli kampion”, deklaroi fillimisht mbrojtësi i Partizanit për gazetën “Lajmi”.
E PAPRITURA E KUKËSIT
Për Arbnor Fejzullahun, fitimi i titullit kampion nga Kukësi ishte diçka e papritur në Shqipëri. Sipas tij, pritshmëritë ishin që titulli të fitohej nga Partizani ose Skënderbeu, por në fund ndodhi ndryshe.
“Futbolldashësit shqiptarë nuk e kanë pritur që Kukësi të shpallej kampion. Të gjithë mendonin se do të triumfonte Partizani, ose Skënderbeu. Pra, ajo që bëri Kukësi ishte diçka e papritur në Shqipëri”, vijoi mbrojtësi i të kuqve, i cili ka folur edhe për dy lojtarët shqiptarë nga Maqedonia që dolën kampionë me verilindorët.
Ai pohoi se i ka shokë Izair Eminin dhe Nijas Lenën. “I njoh mirë të dy lojtarët shqiptarë të Maqedonisë që luajnë me Kukësin, Eminin dhe Lenën. Jemi takuar në Tiranë dhe kemi pirë kafe. I kam shokë dhe i njoh mirë”, tregoi Fejzullahu.