Parashikimet e sondazheve, vota dhe demokracia

21 Qershor 2017, 21:24Blog TEMA

Nga Ardiana Faja Toska*

Në fushatat elektorale të një rëndësie të veçantë  tundimi për të konsultuar qytetarët mbi preferencat elektorale është shumë i fortë. Kjo gjë po ndodh në Shqipëri edhe gjatë kësaj fushate elektorale për zgjedhjet parlamentare ku mediat televizive më të dëgjuara kanë nënshkruar kontrata me institute sondazhi duke pasqyruar rregullisht potencialin elektoral të partive. Argumentit të këtyre mediave se kjo është pjesë e misionit të tyre për të informuar publikun, i shtohet edhe disa arsye të tjera:

Arsyeja e parë ka  bëjë me reputacionin, publicitetin që i bëhet mediave : me anë të sondazheve mediat që kanë paguar institute sondazhi, bëjnë të flitet për to sepse sondazhet e publikuara prej tyre rrimerren nga gazeta, televizione , radio, agjenci lajmesh në Shqipëri, në trevat shqiptare Kosovë e Maqedoni pse jo edhe në nivel internacional,  të cilat citojnë median dhe institutin e sondazhit furnizues të të dhënave duke i ekspozuar triumfalisht nën prozhektorët e suksesit.

Arsyeja e dytë:  gazetarët rrisin influencën e tyre ndaj pushtetit politik, sepse me anë të sondazheve ato ndërhyjnë direkt në luftën politike dhe jo si dorë  e dytë. Duke porositur sondazhe dhe komentuar ato, gazetarët luajnë rolin e zëdhënësit shkencërisht të konfirmuar  të opinionit qytetar.

Peizazhi mediatik duket kaq i varur ndaj sondazheve sa të krijohet përshtypja se profecia e rezultateve të publikuara nga institutet e sondazhit do të validohet nga e gjithë shoqëria shqiptare me 25 qershor. Përqindjet e sondazheve  komunikohen duke përdorur kohën e tashme e cila të krijon përshtypjen e një të vërtete të pakundërshtueshme të tipit «u tha, u bë».

Të gjitha shoqëritë demokratike përdorin rregullisht sondazhin elektoral. Ai ka një peshë masive dhe është më i rëndësishmi nga të gjitha llojet e sondazheve të opinionit.   Pra të vesh në pikëpyetje sondazhet para është e barasvlershme me refuzimin e demokracisë sepse ato konsiderohen si shkencërisht të pranueshme dhe politikisht të legjitimuara.  Megjithëkëtë sukses të sondazheve, si një praktikë matëse efikase ose më saktë si matësi me i saktë i opinionit publik, instrumenti kritikohet ashpër dhe debatohet gjerësisht sidomos për sa i përket elementeve të mëposhtëm:

– Metodologjinë e përdorur : pyetësori i drejtohet një kampioni prej 1000 individësh i cili zakonisht kombinon kategoritë sociale (punëtorë, të papunë, kuadro të lartë, të mesëm), gjininë  (burra, gra), zonat gjeografike (fshat, qytet). Rreziku është kjo përzgjedhje e kampionit mund të jetë shumë heterogjene, gjë që ul shanset për të përcaktuar një tendencë domethënëse të votës së qytetarëve në përgjithësi.  Historia e të dehurit që kërkonte çelësat e humbur nën dritat e prozhektorëve jo se ato ndodheshin aty, por sepse kishte më shumë dritë e ilustron fare mirë këtë mangësi. Kështu sociologu, Charles Wright Mills flet për tendencën e përdorjes së metodave sasiore vetëm se ato ekzistojnë por jo sepse janë gjithmonë të përshtatshme për pasqyrimin e opinionit Kështu edhe sondazhet përdorin instrumentin matës për 1000 individë të pyetur, por opinioni i dhënë prej tyre se për cilën parti do të votojnë  nuk pasqyron domosdoshmërisht tendencën dominuese të votës. Kjo është një dinamikë e përgjithshme e shoqërive aktuale të cilat për të vlerësuar fenomenet kanë nevojë për instrument matës, pak rëndësi nëse ky s’është i saktë apo jo i përshtatshëm. Gjithashtu mënyra se si formulohen pyetjet mund të influencojë përgjigjet e individëve të pyetur  duke i  orientuar në favor të partisë politike që porositi i sondazhit do të mbrojë .

– Polemizohet  pretendimi i sondazheve për të shifruar opinione vërtetësia e të cilave as nuk është qartësuar as nuk është vënë në pikëpyetje. Sondazhet elektorale presupozojnë se individët e pyetur për cilën parti do të votojnë, kanë opinione solide, te stabilizuara, pa hezitime. Në këtë mënyre sondazhi, neutralizon kontradiktat potenciale që bart individi i pyetur, nuk diferencon nivelin e kompetencës së personave të pyetur, shkallën e  tyre të   angazhimit në dhënien e përgjigjes.

– Sondazhi rrezikon me shifrat e dhëna të thyejë termometrin por duke ndryshuar kështu temperaturën e të sëmurit. Kjo quhet « profecia auto-realizuese »  e sondazheve ” (self-fulfilling prophecy) të cilën e  shpjegon si vijon  sociologu amerikan Robert King Merton, i konsideruar si themeluesi i sociologjisë së shkencave:  «  një përcaktim i gabuar i situatës nga një person i besueshëm   provokon një sjellje e cila e shndërron përcaktimin e gabuar në të vërtetë ». Kështu trysnia e sondazheve që ritmojnë fushatat elektorale dhe magjia e përqindjeve mund ti japë më shumë legjitimitet partive të privilegjuara  nga përqindjet e larta të sondazheve.  Kjo tendencë mbetet për tu konfirmuar nga sjellja e elektoratit shqiptar në zgjedhjet e së dielës 25 qershor.

Por kritikat mbi sondazhet, metodat, efektet e tyre do të ishin të pjesshme nëse nuk do të  marrim parasysh një ndërveprim më të gjerë sidomos me partitë politike, mediat, politologët të cilët i japin sondazheve rol shoqëror esencial. Presidenti francez François Miterrand kandidat për herë të dytë në zgjedhjet presidenciale në Francë të vitit 1988, porosiste një sondazh në ditë pranë institutit me të cilin bashkëpunonte ekipi i tij.

Me gjithë këto të meta, sondazhi mbetet një element stabël i rëndësishëm i fushatës elektorale. Por ky produkt i gatshëm detyron secilin prej nesh të jetë i kujdesshëm në  leximin dhe interpretimin e dhënë prej tij duke mos e konsideruar si alfa dhe omega e zgjedhjeve:

1. Sondazhi është një pamje e pjesshme e opinionit dhe jo opinioni. Pierre Giacometi, ish drejtor i institutit te sondazhit Ipsos në Francë shprehet : « kampioni » i individëve të pyetur në sondazh ngjan me një maket avioni të cilin kur e shohim kemi përshtypjen se kemi parë një avion të vërtetë . Por ndryshe nga maketi, kampioni i individëve s’është kaq perfekt për arsyen e thjeshtë se ai ka një dimension social : shpeshherë qytetarët refuzojnë të përgjigjen, s’kanë kohë, pa e kristalizuar mendimin e tyre. përgjigjen shpejt e shpejt. Sondazhet janë pasqyrues të atyre individëve që pranojnë të marrin pjesë. Pra sondazhi s’është realiteti.»

2. Sondazhi është një mjet informacioni dhe si i tillë nuk duhet konsideruar si i pagabueshëm. Shifrat e publikuara nga sondazhet kanë interes të kufizuar. Prandaj dhe studiot televizive të mediave shqiptare ftojnë sociologë, gazetarë, politologë të shpjegojnë koherencën e shifrave dhe evolucionet e shprehura prej tyre. Sigurisht të ftuarit duhet të keni si parim një etikë profesionale strikte e cila s’është e lehtë sidomos në Shqipëri ku presioni i partive politike, pozitë dhe opozitë, ndaj medias është tepër i fortë.

3. Sondazhi s’është votë, ai kontribuon për të rritur përgjegjësinë individuale në zgjedhje. Sot nuk votohet qorrazi, votohet duke ditur se cilin raport forcash do influencosh.

Sondazhet me parashikimet e tyre nuk duhet të bëjnë zgjedhjet. Loja elektorale mbetet e hapur deri në fund. Në sferën demokratike të komunikimit ato duhen konsideruar më shumë si element informacioni se argument autoriteti. Nuk duhet harruar se në mes sondazhit dhe votës ka një kufi dhe në raportin e forcës mes tyre, fjalën e fundit në garën elektorale, konform me logjikën demokratike e ka vota sovrane e çdo qytetari, si shprehja më e lartë institucionale e vullnetit të popullit./dritare.net

*Diplomuar në Institutin e studimeve politike Grenoble-Francë

5 komente në “Parashikimet e sondazheve, vota dhe demokracia”

  1. Anika says:

    E nisa leximin me pertese, por e vazhdova me kenaqesi…me thithi perqasja ndaj tezes: ” sondazhi s’eshte realiteti”, dhe me stimuloi mendjen artikulimi dhe analiza e argumentave. Uroj qe analistet e studiove televizive te hapin mendjen e te permiresojne cilesine e mendimit kritik kur analizojne sondazhed e rolin e tyre ne procesin zgjedhor. U lodhem duke degjuar neper studio fraza fryra, te “grisura e te stisura” – alla google copy/paste…

  2. Tani says:

    Sqaruar si duhet per njerzit qe te mbrojne iki bindjet e tyre e jo ato te sondazhet …

  3. temp says:

    Te shikojme kesaj rradhe se sa te sakta kane qene sondazhet parazgjedhor. Ne shqiper problemi me kryesor eshte pikerisht ai i shtruar se pari, i kampionit te perzgjedhur. Nuk e di se sa kampioni i zgjedhur mbart ate qe ne shqiperi eshte me thelbesore, fisin. Ne shqiperi akoma ka vende ku votohet me fis (per fisin X, me fisin X, kundra fisit Y, per inat te fisit Y).

  4. Flori says:

    Kujdes nga sondazhet qe diktojne opinioni !

  5. roberti says:

    Paralajmerim i bere ne kohen e duhur …..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje