Fushata e foljeve… Ja ku ndahet Rama, Basha dhe Meta!

21 Qershor 2017, 17:51Blog TEMA

Nga Klevis Gjoni

Qasja e kësaj fushate elektorale te publiku është ajo e tre dimensioneve diametralisht të kundërta, përmes të cilës secila parti dhe lider kanë zgjedhur të komunikojnë.

Përtej mesazheve që secili lider përpiqet të transmetojë, një analizë unike e foljeve dhe fjalëve kyçe, të zhveshura nga çdo mesazh tjetër tregon shumë mbi retorikën dhe strategjinë e përdorur.

Në këtë analizë janë marrë në shqyrtim tre fjalime të secilit lider, ai i Bashës në mitingun e tij në Kavajë në 20 qershor, ai i Ramës në Shkodër në 17 qershor dhe fjalimi i Ilir Metës në mitingun e mbajtur nga LSI në Tiranë, në datën 15 qershor.

Lulzim Basha, gjykuar nga fakti që ka përdorur 13 herë foljen ul dhe 8 herë foljen rrit, duket se ka vendosur të përdorë një retorikë të thjeshtë, por njëherësh antagoniste. Për liderin e PD, zgjedhja është e qartë, e bardha ose e zeza, e mira ose e keqja. Zgjidhja për të është ulja e taksave (PD) apo rritja e tyre (PS), siç sipas tij vota për PD do të sjellë rritje të ekonomisë, ndërsa ajo e PS do të sjellë ulje.

Edi Rama, si Kryeministri në fuqi, përdori në Shkodër plot 18 herë foljen bëj në vetat dhe kohët e saj të ndryshme (e bëjmë, do ta bëjmë, vetëm ne e bejmë, kemi bërë, edhe shumë për të bërë). E megjithatë, përveç transmetimit të këtij mesazhi të lidhur me vazhdimësinë, Rama përdor edhe katër folje të tjera kyç, ngrej (13 herë), rris (9 herë), si dhe imagjinoj e transformoj nga katër herë. Mesa duket, fushata e Ramës ka përpunuar me kujdes një mesazh, në të cilin ndërthurret koncepti i shpresës (transformoj), me vizionin (imagjinoj) dhe vazhdimësinë (variantet e foljes bëj).

Së fundmi, Ilir Meta shfaqet shumë më luftarak në këtë fushatë, duke zgjedhur përdorimin e foljeve kyçe me ngjyrim shumë më të fortë emocional, si shkatërroj, godas apo luftoj. Një leksik që duket se ka si objektiv parësor “elektrizimin” e përkrahësve të tij, me qëllim maksimalizimin e votës së LSI.

Mesazhet e Metës, ndonëse shumë më të forta, nuk janë unikale në llojin e tyre. Strategjia e goditjes në rrafshin emocional dhe motivacional është një strategji e preferuar e forcave europiane që përpiqen të krijojnë imazhin e një partie “anti-establishment”, rasti i fundit ishte ai i Marine le Pen në Francë, e cila veçanërisht gjatë dy javëve të fundit të fushatës thurri një retorikë mediatike të fokusuar tek “një betejë për jetë a vdekje për shpëtimin e Francës”. Në këtë kuptim, fushata e LSI gjithashtu natyrshëm duket se fokusohet tek sulmet personale ndaj liderave të tjerë, si një mënyrë për të treguar se ndonëse është forcë e tretë, ajo ka forcën për të luftuar me armë të barabarta me dy të parët.

Tabela e mëposhtme, tregon foljet kyçe të përdorura nga secili lider në secilin fjalim të analizuar

Lulzim Basha

Foljet më të përdorura: Ul, rris

Folje të tjera kyçe: Marr, vazhdoj, mbjell, zgjedh, bashkoj

Edi Rama

Foljet më të përdorura: Bëj, ngrej, imagjinoj, transformoj

Folje të tjera kyçe: Ndryshoj, provoj, garantoj, premtoj, zbatoj, ndihmoj, fitoj, mendoj

Ilir Meta

Foljet më të përdorura: Luftoj, godas, them

Folje të tjera kyçe: Marr, përplas, tregoj, blej, fitoj, njoh, shpëtoj, shkatërroj, poshtëroj, degradoj, përçaj, pushtoj, zemërohem, mërzitem, turrem, pyes, ushtroj, habitem, shndërroj

3 komente në “Fushata e foljeve… Ja ku ndahet Rama, Basha dhe Meta!”

  1. Unë Lulin e kam Shok - Unë Liken do ta bëj prapë Shok says:

    Ndersa Emrat me te perdorur ne Fushate jane:
    UNË : TEPSIA
    LIKJA : ZARFI
    LULI : BYREKU

  2. shqip says:

    Dy te paret Jane nga Tirana . Dhe vete keta ne kryeqytet , i ben me te bute e me dialogues . Tjetri ashtu si dhe tjetri ( Saliu ), Kane zbritur nga mali . Dhe si pjese te komunikimit Kane forcen , dhunen . Me dy fjale ; qe kur kete vend e moren ne dore druvaret , ky terren per ta eshte ose tok e djegun , ose tok e xanun .

  3. Asus says:

    Analize interesante. Permes ketyre fjaleve mund te karakterizohet permbajtja e mesazhit te partive.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje