Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij përpara të zgjedhurve dhe jo të zgjedhurve socialistë, solli disa detaje edhe për qeverinë e re që do të ngrihet për të drejtuar vendin gjatë katër viteve të ardhshme.
Rama tha se qeveria e re do të jetë gati në muajin shtator duke argumentuar se çdo hipotezë e hedhur në media bën pjesë tek llogjet e katundit mediatik.
“Po ndërkohë që dy konkurentët tanë janë në proceset e tyre të brendshme pas humbjeve në zgjedhje, prioriteti ynë në këtë fazë tranzicioni deri në formimin e qeverisë së re do të jetë nxjerrja e mësimeve të këtij mandati përmes një reflektimi shumë serioz.
Skuadra qeverisëse do të jetë gati vetëm në fillim të shtatorit dhe askush përveç meje nuk ka pse humbet kohë për këtë punë.
Gjithçka zjen dhe do të zjejë më tutje në kazanët e katundit mediatik është thjesht pjesë e llogjeve të atij katundi dhe asgjë më tepër.
Struktura dhe përbërja e qeverisë së re do të shpallet vetëm pas reflektimi ku hyjmë sot dhe deri në fund të gushtit kur do mblidhet asambleja jonë kombëtare.
Prandaj ju kërkoj të gjithëve të fokusohemi të ky proces shumë i rëndësishëm përgatitor për mandatin e ri dhe të nisim menjëherë në çdo qark dhe në çdo zonë administrative zgjedhore një tur dëgjimor me partinë dhe komunitetet zonë për zonë,” nënvizon Rama.