Me sytë nga Hamburgu

6 Korrik 2017, 21:07Blog TEMA

Nga Mimoza Kelmendi

Gjermania është nikoqirja e Samitit G-20 më 7- 8 korrik. Prej ditësh në Hamburgun me rreth 1,9 milionë banorë ku do të mbahet ky Samit, mediat na kanë ofruar pamje jo të këndshme nga protestat dhe përleshjet e njerëzve me policinë. Mijëra demonstrues protestojnë kundër këtij takimi të nivelit të lartë. Ata e shohin G-20 si burimin e të gjitha të këqiave, si strofkë të neoliberalizmit, përgjegjës për padrejtësinë në këtë botë, etjer. Por Globalizimi është një fakt me të cilin duhet të përballemi. Ai ka qenë dhe është i lidhur me ideologjinë e neoliberalizmit. Të prekur direkt nga globalizimi janë industritë e eksportit. Dhe pikërisht ato i kanë punët në vijë. Nuk është rastësi që eksporti gjerman lulëzon.

Sot polemizohet mbi mundësitë që i mbeten politikës. Dhe këtu është përsëri fjala nëse globalizimi llogaritet si fakt, apo ai i drejtohet politikës si armë e ideologjisë neoliberale. Globalizimi i tregut të kapitalit e detyron politikën të kontrollojë të gjitha masat ligjore që mund të frikësonin një investues. Askush nuk prodhon në një vend ku i duhet të ndeshet me një xhungël të padepërtueshme autoritetesh.Askush nuk e mohon faktin që hapësira e veprimit të politikës sidomos, ajo e shteteve nacionale tkurret nga globalizimi. Për këtë arsye Samitet G 20 (dikur G7,G8) shoqërohen me demonstrata të mëdha ku qindramijëra njërëz protestojnë ndër të tjera edhe për shkak të kërcënimit të kompanive të mëdha për t’u vendosur gjetkë, nëse politika nuk i plotëson dëshirat e tyre.

Ende nuk është e qartë, nëse G20 dhe që ndonjëherë quhet edhe si qeveria e ekonomisë botërore, mund të prodhojë më tepër se sa avull të nxehtë. Katalogu i masave është mbresëlënës, por problemet për zbatimin në realitet të tyre nuk mund të lihen mënjanë pa u vënë re. Njëri prej këtyre problemeve më të mëdha është ndarja e pabarabartë e mirëqënies në botë. Çdo ditë e më shumë po thellohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve. Ky hendek duhet të mbyllet. Ndryshe bota rrezikohet nga një destabilizim kudo në rritje, vlerësojnë ekspertët . Kritikat ndaj globalizimit duhet të merren seriozisht. Shumë vetë ndjehen të lënë pas nga zhvillimet globale e gjithnjë e më shumë janë të pushtuar nga ndjenja e padrejtësisë sociale. Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar po ashtu kontinentit afrikan në mënyrë që njerëzit aty të përfitojnë nga frytet e globalizimit.

Në punimet e Samitit të Hamburgut vendin kryesor do ta zërë lufta kundër terrorizmit dhe ndryshimi i klimës. Por edhe Brexit, apo kriza në Siri, saksionet kundër Rusisë dhe iniciativa “Compact with Africa” do të trajtohen gjërësisht nga pjesëmarrësit e Samitit. Rreth 5000 gazetarë nga 65 vende do të ndjekin nga afër këtë Forum të madh botëror. Dihet që G20 nuk është një pazar solidariteti, por interesash. Kjo u vu re në Samitin e kaluar me mangësinë e solidaritetit lidhur me çështjen e refugjatëve. G20 nuk është as edhe një shoqatë e të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Vlerat e përbashkëta këtu kanë pak vlerë. Në thelb bëhet fjalë për koordinim ekonomik – dhe për mbrojtje nga terrori.

Gjithësesi, një gjë është e sigurtë: Samiti G20 në Hamburg edhe këtë rradhë do të ketë një efekt të madh vetëm për faktin se krerët e shteteve më të fuqishme ekonomike(19 shtete dhe BE) do të jenë bashkë në një sallë duke diskutuar, bashkë dukë ngrënë dhe bashkë duke u argëtuar. Fundja pjesëmarrësit nuk kanë shumë ç’t’i thonë njëri-tjetrit, interesat ekonomike të shteteve janë shumë të ndara nga njëra-tjetra. Por Politika duhet të jetë aq e ndjeshme sa të dallojë se kur dhe ku nevojitet. Sepse në parim përgjegjësia e politikës është e pakufizuar. Ajo shtrihet përtej pushtetit të saj.

1 komente në “Me sytë nga Hamburgu”

  1. mirel says:

    E kuptojne njerezit cfare perfaqesojne keto lloj Samitesh. Vetem shqipot akoma nuk marrin ere se cfare behet. Investime thone, dhe hp jua fusin me koncesione.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje