Edi Rama përballë zdërhalljes tribale të andatarëve të politikës!

10 Korrik 2017, 18:14Blog TEMA

Nga Albert P. Nikolla

Rama i fitoi zgjedhjet dhe ky fakt sjell frymë e tharm proeuropian në  kulturën politike e në shoqërinë shqiptare. Mendoj se një ndër shkaqet e rëndësishme të fitores së Ramës ishte antitribalizmi i ligjërimit të tij politik në veçanti dhe i Partisë Socialiste në  përgjithësi.

Botëkuptimi kundër tribalizmit i Ramës është pjekur që kur ka qenë Ministër i Kulturës, por tharmin e ka pasur që në publicistikën e fillimviteve nëntëdhjetë. Papritesa e tij në këtë udhë kundër kësaj mendësie politike u vu re sidomos gjatë mandateve tejet të suksesshme si Kryetar Bashkie, kohë kur ai mbolli farën ideologjike të të bërit politikë sidomos te të rinjtë, të cilët ishin më të lirë prej zgjedhës tribale që ngërthen çdo shqiptar gati-gati pavetëdijshëm.

Humusi kulturor në të cilin u ndodh Rama brenda Partisë Socialiste ishte i përshtatshëm për nxitjen e ngarkesës ideologjike, pasi mbamendja e kësaj partie, përtej duhisë komuniste në tërësi, mbartte një përvojë ideologjike të lavdërueshme, të trashëguar prej qindra mijëra komunistëve të ndershëm që besuan me shpirt të pastër tek komunizimi si ideologji. Zhgënjimi prej ngjarjeve të nëntëdhjetës nuk e zhbën ngarkesën antropologjike e ideologjike të një përvoje jetësore kaq të thellë që përjetuan këta persona gjatë regjimit komunist.

Një shqyrtim i censhëm i përvojës politike që mjaft persona të ndershëm patën gjatë regjimit dëshmon se pasioni i tyre politik për të mirën e përbashkët nuk u zbeh nga tirania e diktaturës. Për këtë arsye Partia Socialiste pati fatin të ishte e vetmja parti e tranzicionit që të kishte realisht ngarkesë ideologjike në politikëbërjen e saj. Ky fat u ndihmua edhe nga mendësia bihude e tribale e partive të tjera politike, gjë që nxori edhe më fort në pah thatësirën e tyre ideologjike përballë Partisë Socialiste.

Ndërkohë, Partia Demokratike e cila e pati xixëllimin e vet ideologjik vetëm në pak muaj  pas themelimit të saj, i bishtnoi vrik e vrik ideologjisë, për t’u futur pa kthim në brazdën e tribalizmit menjëherë pas fitores së vitit 1992.

Papritesa e Ramës për t’u kapur fort te kjo verigë ideologjike e Partisë Socialiste e ndihmoi atë që ta zhvillonte më shumë linjën e mirëuruese ideologjike të kësaj partie. Shenjën e parë të kësaj mendësie Rama e dha menjëherë sa erdhi në pushtet në vitin 2013. Asokohe pata shkruar një artikull: “Vizita e Ramës si kapërcim i tribalizmit politik” (Mapo. 13 nëntor 2014), në të cilin nënvizoja rëndësinë e vizitës në Beograd që thyente tabunë me natyrë tribale: “me armikun nuk flitet”! Pa fund është kritikuar Rama nga analistët pranë opozitës për vizitat e tij të natyrshme me autoritetet e vendeve fqinje!

Po ashtu, pas fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit, Rama vazhdoi në linjën kundër tribalizmit: “çdo kryetar bashkie le ta lërë detyrën që sot nëse i dhimbset gjaku për të punësuar njerëzit e tij”; “Epopeja e familjarëve dhe kushërinjve në administratë do të mbarojë”. Tani nuk i mbetet tjetër veçse të eliminojë figurën groteske të “kryeplakut”, që është mishërimi më i  i tribales, është gjalma penguese e një konceptimi të ri politik në nivelin periferik të politikës. Nga sa jam informuar, figura e “kryeplakut” është e pranishme në Shqipëri dhe në Afganistan!

Mushti jetësor i i suksesit politik antitribal të Ramës, që mesa duket do të vazhdojë edhe për dy legjislatura të tjera, ka qenë Tirana. Tirana, nisur edhe prej të dhënave demografike dhe përqendrimit universitar, nuk ofron humus të dobishëm për mendësinë tribale. Edhe Kryetari i ri i Bashkisë, Erion Veliaj, po ndjek të njëjtën linjë të suksesshme të Ramës dhe koordinimi i një pushteti lokal të Tiranës me një pushtet qendror tashmë krejt në duart e PS-së mund të bëjë që ngarkesa ideologjike e PS-së të vijojë të japë frytet e veta edhe për 8 vitet ardhshme.

M’anë tjetër, partitë e grupit të opozitës duket se nuk kanë gjetur ende asnjë verigë ideologjike për një fillim të ri në kulturën e tyre politike. As në pajën e tyre politike nuk munden me gjetë asgjë që t’i këndellë drejt ideologjikes. Mjafton të shikojmë garën për kryetar të PD-së, ku kundërshtarët e Bashës nuk kanë kurrfarë stërpikje ideologjike dhe janë gati të thonë: po erdhi Berisha në krye të Partisë, nuk duam garë fare! Ai e bashkon Partinë (nënkupto: fisin)! Me këto mendje butëloshe të andatarëve të politikës, rrjedhja e votave të PD-së do të vijojë paqësisht edhe në zgjedhjet e radhës.

Puna dhe historia i kanë sjellë Ramës përnjëmend mundësinë me u futë në histori për mirë në Shqipërinë e lodhur. Këto zgjedhje ishin trokllojra orëmirë e një shprese të re për çdo zelltar ndërtues që e do të mirën e përbashkët.

 

 

 

 

 

6 komente në “Edi Rama përballë zdërhalljes tribale të andatarëve të politikës!”

  1. optimizem per vendin says:

    Albert, mos fol dhe shkruaj drejte se nuk te duan !

  2. Irskral says:

    Nje kendveshtrim interessante, rrjedhim llogjike ivijes ideollogjike costante te P. S. dhe pervijimi i z. Rama.
    Complimentet me te mira! Respekt!

  3. Stefan Paloka says:

    Plotësisht dakord.

  4. alphade says:

    Socialistet,kupto komunistet, kane patur dhe kane nje idelogji te kristalizuar,
    jo domosdoshmerisht komuniste,por progresiste,e kahjes se majte te mode-
    ruar,jo ekstremiste te majte ,nenkupto komuniste ….Duke patur kete idelogji
    socialiste ka bere te mundur perqasjen e vete kryeministrit aktual tek kjo mase
    monolite ,kompakte e ngjizur me idelogjine socialiste te tipit europiane- perendi-
    more. Nuk eshte ,pra kryeministri aktual qe “aproach” socialiste tek “porta” e
    shtepise se tij,por e kunderta ishin socialistet qe i thane kryeministrit “bujrum”
    ne shtepine tone .Natyrisht perqasja mbetet reciproke :kryeminister-socialiste,
    dhe viceversa . Sidoqofte ,kryeministri aktual duhet te rishikoje qendrimin e tij
    ndaj kauzes socialiste : si LNCL, vleresimin e deshmoreve te Lufte NCL . moralisht
    dhe financiarisht,sidomos eshte fjala te deshmoret legjendare te kesaj lufte ,etj.etj.
    Mos kij frike nga dushmani,zoti kryeminister! Tashme Ai eshte shndrruar ne nje
    kerrme politike ! Me pare duhen vleresuar deshmoret e kombit dhe pastaj edhe
    te perndjekurit dhe jo e kunderta….!

  5. Arber Iliri says:

    Shkrim klas, gazeta, nese vazhdoni te qentoni shkrime te ketij niveli padyshim qe do te jene ne klasin e pare te gazetarise.

  6. shqiptar says:

    pjeserisht ke te drejte.je plotesisht servil si komunistet e enverit(besoj se kjo te kenaq)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje