Stërmundimi me rinumërimin nuk ka lidhje me zgjedhjet

13 Korrik 2017, 21:25Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Rinumërimi i votave në 64 kuti në Tiranë, ndryshoi me 5 vota rezultatin për mandatin e Shpëtim Idrizit, duke mos bërë të mundur të jetë deputet në parlament. Kjo me sa duket ka nxitur një kërkesë të re për rinumërim total të Tiranës. Ndoshta do të ketë dhe kërkesa të tjera për të hapur kuti të veçanta apo zona të caktuara edhe nga parti të tjera. Duket se tani lidhet më shumë me një përpjekje politike për ta zvarritur rezultatin e zgjedhjeve përtej 24 korrikut, se sa me ndonjë pritshmëri për zgjedhjet.

Procesi i rinumërimit  dëshmoi shkujdesje të numëruesve ndaj votave të partive të vogla, me një shpërndarje statistikore, që vërtitet rreth realitetit, por që dëshmon se kemi ende punë me përgjegjshmërinë dhe sidomos saktësinë e administratës së votuesve.

Por nga ana tjetër, Shpëtim Idrizi nuk është i vetmi që humbet me mbi tridhjetë vota. Partia Socialiste ka dorëzuar Bashkinë e Kavajës, pa kërkuar as rinumërim me më pak se tridhjetë vota, dhe kjo, për të respektuar itnegritetin e procesit.

Shtyrja e daljes së rezultatit të zgjedhjeve, nuk lidhet pra me integritetin e zgjedhjeve, por  me problemet e opozitës së re.

Ajo lidhet me faktin që dy drejtusit real opozitarë, Ilir Meta dhe Lulzim Basha, kanë më të rëndësishme zgjedhjet e tyre me 22 dhe 24 korrik, se zgjedhjet e 25 qershorit. Pa përfunduar kurorëzimi i tyre në krye të partive, mos prisni të ketë rezultat të zgjedhjeve kombëtare. Procesi do zvarritet me ankimime banale, thjesht për të fituar kohë.

Pasi Basha të zgjidhet kryetar i PD dhe Meta të shkojë në Presidencë, atyre u nevojitet një kauzë e përbaljtes së zgjedhjeve, për të ngjizur një bashkim mes tyre.

Pas kësaj, do të jetë më e lehtë retorika e zgjedhjeve të vjedhura për të shërbyer si kauzë bashkimi mes LSI dhe PD, pasi kanë rritur pritshëmrinë para zgjedhjeve që do ishin fituese.

Pra zgjedhjet nuk po ankimohen dhe as po zvarriten se kanë problem reale, por se duhet të përdoren për të ngjizur një aleancë të opozitës së re dhe të autosugjestionojnë opozitën.

Nga mënyra se si po shkon gara në PD dhe nga ndarja që po thellohet mes palëve, Lulzim Basha do të përfundojë siç thoshte Pollo dikur për Berishën, si “kryetar i fraksionit të vulës” dhe kjo do ta bëjë atë, detyrimisht një skllav të LSI, në rrugën drejt pushtetit. Aleanca strategjike e tij me LSI, është jo vetëm e pashmangshme, por dhe si e vetmja zgjidhje për të mbijetuar politikisht me një parti gjithnjë e më të vogël në të ardhmen.

Grupi tjetër ose do të vazhdojë luftën kundër tij, ose do të prodhojnë diçka të re, që do ta dërrmojë dhe më keq atë. Kjo nuk e ndryshon objektivin e Bashës, por mund të ndryshojë vetëm rezultatin e tij.

Ndaj, edhe pse zgjedhjet duket qartë që janë të përfunduara, procesi i zvarritjes do të tejkalojë datat 22 dhe 24 korrik, ashtu siç pritej qysh në fillim. Pasi Meta të konfirmohet president, Basha kryetar i fraksionit të vulës dhe Rama kryeministër, do të qetësohemi dhe nga kjo lodhje e kotë nëpër vapë e KQZ.

Nuk është betejë për 74 mandatet e Ramës, por për të mbajtur të bashkuar mandatet e opozitës së re.

4 komente në “Stërmundimi me rinumërimin nuk ka lidhje me zgjedhjet”

  1. spartaku says:

    E drejte,Ata do bashkohen si ujqer dhe hiena kundra Rames,me shpifje e baltosje.Fitorja e Rames dhe e ps-te me 74 mandate,i ka terbuar Bashen,dhe sidomos Meten.Sovrani duhet te mbroje voten dhe qeverine e tij.

  2. Dibrani says:

    Qarku Tirane nga 7 kuti 40 vota per LIBRA te vjedhura nga komisionieret e PS- PD

    Cfar i thua kesaj o Mero,…..Ta kthejm vendin ne Diktature
    Imagjino sa jan vjedhur ne te gjith qarkun Tirane dhe gjith vendit
    Kjo ishte marrveshja me Rama – Basha vjedhje vote te vegjelve ,…Diktatur

    Zeri opozitar te shuhet ,..te degjojme vetem Ramen qe thot kemi kapacitet per plerat,…dhe mbetjet Spitalore hidhen ne lumej,..kjo eshte analiza jote o Mero

    Apo vjedhja e 5 votave te PDIU per 64 kuti nuk perben fakt,.. per kontrollim te te gjith qarkut Tiranes

    Kur PDIU nga 37 vota qe i duheshin kalon ne 32 dhe shanset rriten dhe me shum per mandat
    Kjo eshte vjedhje Mero qofte dhe nje vote

    Apo per padrejtesin e KQZ dhe komisionereve duke i nxjerr te pa-vleshme votat e PDIU vetem se nuk e kishin ber kryq,..por kishin ven nje pik te dukshme qe indikonte vullnetin e qytetarit

    Turp o Mero je nje Gazetar i Rregjimit ,..dhe kundra aspiratave Demokratike te Shqiperise.

    Ti nuk po e ndihmon Shqiperin me gazetarin tende por po e mbyll ne Diktatur

  3. artan says:

    Po burgun per Meten dhe Bashen e ke llogaritur z. Mero?

  4. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    Perplasja e PD-LSI do vazhdoj dhe ne opozite,ku LSI do perpiqet te jete minoranca lidere.
    Nuk do jete cudi kur vajza e Ilirit do “zgjidhet” kryetare e LRI !
    Destabiliteti qe ka perfshire PD,po shfrytezohet nga LSI per te qene force e pare ne opozite,me vone ne pushtet.
    Por veshtire se i shpeton “ujkut plak”,perplasja Berisha- Meta do jete jo tolerante,per jete a vdekje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje