DOSSIER: “Shkrimtari, Namik Mane, bir beu nga Çamëria, të mos pranohet në Lidhjen e Shkrimtarëve”

15 Korrik 2017, 09:08Dossier TEMA
DOSSIER: “Shkrimtari, Namik Mane, bir beu nga Çamëria, të

Ekskluzive : Libri i Kaloçit “Shkrimtarët dhe artistët…”, publikon raport-informacionin e vitit 1967 të sekretarit partisë të rrethit të Durrësit, Jorgji Sota, për Komitetin Qëndror të PPSH-së, ku ai ankohet se pa miratimin e “shokëve të partisë së Durrësit”, ishin pranuar kandidatë të Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve, persona nga “familje të deklasuara dhe armiq të popullit”, si; Namik Mane, Gavril Priftuli dhe Dhimitër Harallambi?!

Nga Dashnor Kaloçi

Edhe pse në rrethana dhe kushte të caktuara, në periudha kohore të ndryshme, hera herës Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, apo më saktë ata që ishin në krye të saj dhe e drejtonin atë, tregoheshin disi liberal duke “mbyllur një sy” ndaj anëtarëve apo kandidatëve të saj, apo atyre shkrimtarëve dhe artistëve të rinj që aspironin të bëheshin anëtarë të Lidhjes, por që kishin “probleme biografike”. Dhe deri nga vitit 1973 ku në krye të Lidhjes ishte Dhimitër Shuteriqi, një numër i jo i pakët shkrimtarësh dhe artistësh që kishin mjaft problem biografike, arritën që jo vetëm të botonin nw shtypin periodik, deri dhe libra, apo tw interpretonin në skena, por edhe të pranoheshin si kandidatë dhe anëtarë të Lidhjes. Si p.sh. Dhori Qirjazi, Robert Ndrenika, Roza Xhuxha (Anagnosti),Bilal Xhaferri, Sherri Mita, Namik Mane, etj. Dhe kjo gë edhe në saj të natyrës liberale të kreut të Lidhjes së asaj kohe, Shuteriqit, që jo vetëm nuk shquhej për militant partiak, por përkundrazi, inkurajonte dhe përkrahëte shkrimtarët artistë e rinj që kishin “njolla në biografi” apo dhe fare të “deklasuar”,

(Gjë për të cilën udhëheqja e lartë e PPSH-së, edhe e shkarkoi atë, pasi e kishte paralajmëruar disa herë, madje duke i kërkuar që ai të bënte “një revolucion” në Lidhje). Një ndër ata shkrimtarë të rinj që edhe pse pati “probleme të mëdha në biografi”, ka qenë edhe Namik Mane, me banim në rrethin e Durrësit dhe me origjinë nga Çamëria, i njohur ndryshe dhe si shoku më i ngushtë i Bilal Xhaferrit, bshkëpatriot i tij dhe gjithashtu shkrimtar problematik nga ana biografike. Por megjithë ndihmën e madhe nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve që arriti ta zgjidhte deri kandidat të saj, organet partiake dhe shtetërore të rrethit të Durrësit, që e luftonin vazhdimisht, edhe në këtë rast “u treguan vigjëlentë” dhe nuk ishin dakord me anëtarësimin e tij në Lidhje. Lidhur me këtë bën fjalë edhe dokumenti që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim, ku sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, Jorgji Sota, (mbulonte artin, kulturë dhe propagandën), informon direkt Komitetin Qëndror të PPSH-së (letra i është dërguar në dorë Ramiz Alisë), jo vetëm për të dhënat biografike të Manes, por duke u ankuar se përse bëhej ajo gjë, pra, pranimi i tij si kandidat i Lidhjes së Shkrimtarëve, pa u pyetur organet partiake dhe shtetërore të Durrësit. Po kështu në këtë dokument, krahas Manes, sekretari i partisë i Durrësit, ankohet edhe për dy artistë të tjerë po nga ai rreth, që janë pranuar si kandidatë të Lidhjes, siç ishte piktori i njohur dhe i talentuar durrsak, Gavril Priftuli, (që më pas pati një karrierë të shkëlqyer si piktor) që akuzohej “për vepra moderniste” si dhe për skulptorin e talentuar Dhimitër Harallambi, që punonte si mësues.

…………………………………………………………………………………………………………………………………………………

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE DURRES Më 24.IV.1967

KOMITETI I PARTISE Ekz. Nr.1

DURRES

Nr. 211 Prot.

KOMITETIT QENDROR TE P.P. SHQIPERISE

(Grupit të Edukimit)

TIRANE

Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë kohët e fundit janë zgjedhur edhe nga rrethi jonë edhe 9 kandidatë e anëtarë të Lidhjes.

Lidhur me këtë problem ne kemi dy vërejtje:

1.Së pari, ne jemi të medimit që kandidaturat përpara se të paraqiten për aprovim, dhet që t’i nënshtrohen një diskutimi në rrethet artistike, që janë ngritur dhe funksionojnë si në të gjithë rrethet, ashtu edhe në rrethin tonë. Në rastin konkret ne jemi të mendimit që të paktën të merrej mendimi i organeve të partisë dhe të pushtetit në rreth. Të rinj me talent ka shumë, por më parë duhej bërë dallimi, d.m.th. nuk është e domosdoshëme që të pranohet në Lidhje një i ri, megjithëse mund të kete prodhimtari të mirë, por që nga biografia e prindërve dhe e fisit, ndoshta dhe të pikpamjeve të tij, të afirmohet pa dhënë prova se ai është shkëputur nga pikpamjet e huaja, të vetat ose të prindërve të tij.

2.Konkretisht ne nuk jemi për zgjedhjen e këtyre dy njerëzve:

3.a) Namik Mane, punëtor elektricist në NISH Ushqimore Durrës. Është me origjinë djal beu nga Çamëria. Dy xhaxhallarë e tij janë dënuar si armiqtë pushtetit popullor (njëri pushkatuar si armik).

4.b) Dhimitër Harallambi, mësues, vjen nga një familjee varfër, por ka një vëlla të arratisur dhe një në burg për arsye politike.

5.c) Gavril Priftuli, mësues, në piktura e tij ka nuanca të modernizmit.

Para disa muajsh, Shtëpia Botonjëse “Naim Frashëri”, kërkonte të dhëna për Namik Manen, nëse mund të botohej një vëllim i tij me vjersha. Ne i dhamë të dhëna duke i lënë ata që të vendosnin nëse duhej botuar. Drejtorija e asaj ndërrmarrje nuk vendosi botimin, dhe i ka thënë që të pyetet në Durrës për arsyet.

Pa u përfunduar çështja e botimit të vëllimit, ai u zgjodh kandidat i Lidhjes. Në këtë rast u vunë në pozitë të vështirë si organet e rrethit, ashtu dhe Shtëpia Botonjëse, dhe vetë Lidhja e Shkrimtarëve. Kjo ndodhi sepse ne nuk na pyetën.

SEKRETARI I PARE I KOMITETIT TE PARTISE RRETHIT

(Jorgji Sota)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje