Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, në mbledhjen e zhvilluar me Task-Forcën, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Rama, tha se policia ka evidentuar 5 grupe kriminale të struktuara, të cilave u njeh pasurinë, asetet, pasuritë dhe pritet finalizimi i operacioneve.
“Si rezultat i punës së bërë, monitorimit deri në skajin më fundor gjeografik nga toka e ajri, jemi në një situatë plotë kontrolli.
Të gjitha strukturat e shtetit vijojnë kontrollin në vendet ku mund të mbillen fidanë kanabisi, janë kryer 3700 kontrolle.
Synohet evidentimi dhe goditja e grupeve kriminale që synojnë të trafikojnë lëndën narkotike.
Janë angazhuar të gjitha forcat e policisë në kuadër të kësaj pune, për të dëmtuar asetet që janë krijuar nga shitja e trafikimi i lëndë narkotike.
Po hetohen 5 grupe të strukturuara kriminale, janë evidentuar pasuritë e asetet kudo që i kanë, shtëpi, truall, automjete, biznese.
Policia e Shtetit është e vendosur për ta finalizuar me sukses këtë betejë, si dhe të çojë përpara gjykimit ata zyrtarë që nuk kryejnë dertyrën si duhet,” tha Çako.