Prestigjiozja spanjolle “AS” i ka kushtuar vëmendje fitores së Atletikos së Madridit përballë Liverpulit në turneun “Audi Cup”. Në artikullin e dedikuar skuadrës spanjolle, media ka shkruar mbi pesë shtyllat pse duhet besuar tek ekipi i Simeones. Një prej tyre, është edhe emri i Keidi Bares:
“Keidi është një bast i Simeones. Ka grintë, karakter dhe nuk ndalet, por shtyn përpara drejt zonës së kundërshtarit duke mos zhgënjyer kurrë. Ka shënuar një gol dhe ‘El Çolo’ vazhdon që t’i japë minuta në dispozicion”, ka shkruar “AS.Com” për Baren si një nga pesë shtyllat pse duhet pasur besim tek Atletiko e këtij sezoni.
EUROSPORT
Triumfi i Atletikos së Madridit përballë Liverpulit në “Audi Cup” ka bërë jehonë në mediat europiane. Jo vetëm për faktin se ishte një finale, e cila ka gjithmonë vlerë, pavarësisht se për çfarë luhet, por edhe për mënyrën se si ia doli Simeone që të mposhtë Jurgen Klopin. Një prej mediave prestigjioze europiane që i ka kushtuar vëmendje kësaj përballjeje ka qenë “Eurosport”.
“Show i Bares, ja filozofia e duhur me të cilën ‘El Çolo’ fitoi përballjen me Klop”, ka qenë titulli i prestigjiozes europiane. Që në titull, kjo media tregon vlerat e mesfushorit kuqezi, duke e cilësuar si spektakël të tij paraqitjen, pavarësisht se luajti vetëm 45 minuta. Krahas analizës, ku nënvizohej se Simeone u injekton të rinjve mentalitetin e duhur për të treguar se meritojnë që të jenë në atë klub, “Eurosport” ka cilësuar si një pikë kryesore të fitores mesfushorin dhe kapitenin e Kombëtares U-21 të Shqipërisë.
“Shqiptari është vetëm 19 vjeç. Mirëpo, në paraqitjen e tij për vetëm 45 minuta tregon sikur është prej vitesh pjesë e skuadrës. Ka driblim, shpejtësinë e nevojshme dhe shpërthimet e nevojshme me lehtësi drejt qendrës ku ka shumë kundërshtarë përballë. Ishte më i miri për Atletikon në pjesën e parë. E sigurt që Keidi do të jetë në planet e ‘El Çolos’”, ka shkruar “Eurosport”, duke vënë Baren në qendër të suksesit të skuadrës spanjolle me të cilin Simeone ka triumfuar përballë Liverpulit të Klop.
Keto lajme na duhen per djemte tane qe shkelqejne dhe jo per ca qe e kane per turp te quhen shqiptare si Xhemajli me shoke.
na cate trapin se liverpulit te rezervave i boni gol