Nevoja për një grup parlamentar me pushtet

9 Gusht 2017, 21:02Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Dorëzimi i mandatit të deputetit në shkëmbim të postit të ministrit, dëmtoi fuqinë e grupit parlamentar socialist dhe dobësoi peshën politike të ministrave. Skema e cila u përdor nga Edi Rama, për të stimuluar deputetët përtej vijës së kuqe në garën elektorale të 2013, pra për t’u dhënë shans të gjithëve të mendonin se do bëheshin deputetë, në fakt nuk solli asgjë të mirë.

Efekti i parë negativ ishte se grupi parlamentar socialist u zbraz nga figurat më me peshë që kishte dhe pesha e debatit në parlament kaloi tek dy deputetë me profil agresiv politik, Erjon Braçe dhe Taulant Balla. Në rrethana të tjera, po të mos ishte Berisha, i cili ishte gjahu i duhur për këta dy skifterë, e majta do të ishte tejet e varfër për nga debatuesit në Kuvend. Deputetët e futur në Kuvend për shkak të ikjes ë ministrave, ishin përgjithësisht të dobët, dhe nuk lanë asnjë gjurmë në debatin parlamentar, ndërsa profili i grupit parlamentar u varfërua.

Por edhe vet ministrat që lanë mandatet e deputetit, duke u bërë ministra, ndjeheshin më të pasigurt dhe të pambrojtur si ministra. Falë dhe zilive që ngjallen brenda shumicave në këto raste, ish- ministrat pa mandat, ishin të pasigurtë në debatet përballë kundërshtarëve, edhe për shkak të mungesës së mbështetjes që u vinte nga grupi.

Mospërfshirja e grupit të socialistëve në debatet për qeverinë në mbështetje të ministrave, ka qenë e pazakontë, dhe peshën e debatit e kanë mbajtur dy- tri deputetë, dhe retorika e Ramës, që e personalizonte gjithçka me Berishën.

Nga ana tjetër, shkëputja e ministrave nga grupi i shkëputi ata edhe nga zona elektorale, çka u vërejt në zgjedhjet e 2017-s, ku ish- ministrat ishin më të sulmuarit në zonat ku kanë qenë deputetë, për shkak se shumcia e tyre, i shkëputën lidhjet me ato zona.

Efekti final i kësaj lëvizje, ishte që të gjitha palët u dobësuan, si ministrat, ish- deputetët, dhe vetë grupi parlamentar.

Në fund të mandatit u arrit në një situatë që askush nuk ishte më autoritar në bazë dhe falë lëvizjes në kohë të Edi Ramës, që çoi kandidatët e rinj gjashtë muaj para të punonin në zona, u mbushën boshllëqet e një lëvizje, e cila zhduku profilin politik të grupit parlamentar të PS-së.

Nëse kjo skemë përsëritet, do të jetë një energji e humbur për shumicën, pasi ky parlament, edhe pse PS ka shumicën, do të jetë një parlament i vështirë për të.

Ky është një mandat ku pesha kryesore duhet t’i jepet grupit parlamentar dhe deputetëve politik të tij. Kjo jo vetëm se do të ketë një opozitë agresive bipolare përballë, por dhe se debati politik në parlament, ka nevojë për zëra të artikuluar, të cilët të kenë dhe mandatin e deputetit, dhe atë të ministrit.

Eksperimentet me njerëz teknikë në qeveri, duhet të marrin fund, pasi për 27 vite kanë rezultuar dështim. I vetmi perjashtim është kur rekruton një personalitet publik që është bërë vetë i tillë dhe ka fuqinë të prodhojë politikë. Rastet e tjera janë dështim.Teknicienët mund të bëhen pjesë e administratës së lartë, por nuk duhen përzier me qeverinë dhe parlamentin. Qeveria dhe parlamenti janë vende që prodhojnë politikë dhe jo vegla pune.

Ky parlament do të jetë sprovë e një beteje reale politike, ku ata që janë bërë deputetë kot, do përballen me rrezikun të bëhen figura qesharake, dhe ata që do t’i shamngen debatit publik, do të dalin nga politika. Është e para herë që shumica është një ngjyrëshe, e mjaftueshme në dukje, por e rrezikuar nëse sterilizohet nga politika. Është mandati kur do të provohet nëse kemi politikanë apo thjeshtë deputetë rrogtarë. Dhe nëse nuk kemi politikanë në shumicën e re, ose nëse nuk i mbështesim ata, Edi Rama mund të mos ja dalë dot, edhe pse duket sikur i ka të gjitha gjërat në dorë. Në dorë ka vetëm fatin që ka fituar zgjedhjet, por nëse nuk rrit autoritetin e deputetëve, dhe t’i bëjë ata ta ndiejnë pushtetin si të tyre dhe jo të ca grave dhe burrave që njeh Edi Rama, mund të përballet me surpriza te hidhura.

5 komente në “Nevoja për një grup parlamentar me pushtet”

  1. Cuni zef dedes politikan klasi says:

    Heu bre Meroha po ndjen rrezikun dhe po tregon di te shpetojne deputetet…kush do beje opozite e politke atje or…Lyli, apo Grida…apo cuni i Fahri pacepilafit apo Monika qe e di i madh e i vogel qe vetem me vjedhje e abuzime eshte mbajtur…Mos i qaj hallin as PS as deputeteve te saj e aq me pak as Edi Rames i Mero geologu

  2. shvejk says:

    Mero ,zgjedhjet Rama nuk I fitoi per fat ,I fitoi sepse populli pa te ai alternativen me te mire. Nje keshille do te ta jepja dhe une , shtriji kembet sa ke jorganin . Mos mendo se Rama apo PS kane nevoje per keshillat e tua se si ta ndertojne qeverine apo grupin parlamentar. Po te mos ishin te suksesshem legjislacionin e kaluar nuk mund ti fitonin zgjedhjet sivjet. Interesante eshte pyetja se me ke ekip do besh tifozllek ti o Mero keto 4 vite. Pasi me Salin u konsumove , me Ramen ste doli gje , ndoshta kesaj rradhe po I luan bishtin Metes. ..P.S.shiko mundesine te mos ma censurosh komentin.

  3. TNT says:

    Hahahhahaha kater vjet durrove Mero, u zhgenjeve edhe ti. Ben Blushi tani ???

  4. albamich says:

    ????? edhe deputet edhe ministra ???? , e paska mor malli Meron per kohen e Enverit, atehere nuk kishin tepsi se ja kpushte koken xhaxhi??, ndersa kto 23 vjet Deputete qe ishin ministra kishin tepsi dhe kusi, ndersa tani qe Meroja don qe deputete te jete dhe minister , Ata nuk do kene kusi, por do kene kazan se do mbrojne vjedhjet me ligjet qe do ti bojn po kto “deputetoministra” me shumicen parlamentare qe kane….. ????????? Reforma parlamentare duhet te vazhdoj te eci perpara dhe jo teekthehet mbrapa , o, z.Mero

  5. kleptofagos says:

    Seriozisht e ke, o Mero?
    Me mandat ose pa mandat, si mund te kene pushtet lepujt e futur neper lista nga kryetaret e klaneve?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje