Qyteti i Gjirokastrës është një nga destinacionet më të pëlqyera të turistëve të huaj që vizitojnë vendin tonë.
Vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti, objekti kryesor turistik i qyteti, Kalaja, është vizituar nga mbi 22 mijë turistë të huaj.
Krahasuar me një vit më parë, kjo shifër është 3500 më tepër, sipas specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare.
Këtu bëhet fjalë vetëm për vizitorët e huaj, duke përjashtuar ata vendas që janë më të shumtë në numër.
Turistët e huaj janë kryesisht nga vendet perëndimore, por këtë vit ndryshe nga herët e tjera, interes kanë shfaqur edhe turistët nga Europa Lindore si Polonia, Rusia, Hungaria, Ukraina apo dhe vende baltike, si dhe nga Amerika Jugore dhe ajo Qendrore si Meksika, Hondurasi etj. Interesi i tyre më tepër është drejt zonës muzeale dhe sigurisht, pjesë e axhendës së pandarë është kështjella e qytetit. Destinacioni më i preferuar është Kalaja dhe kjo vërtetohet edhe nga numri i biletave të shitura gjatë kësaj periudhe, rreth 22 mijë të tilla.
Por, pas nuk ngelet as banesa ku ka lindur ish-diktatori Enver Hoxha apo dhe banesa të tjera karakteristike apo të figurave historike, të cilat u janë nënshtruar kohëve të fundit rehabilitimit. Efekti ka qenë produktiv edhe për të ardhurat nga këto vizita në kalanë e qytetit. Plot 5 milionë lek të rinj përllogaritet efekti fitimprurës nga ardhja e turistëve në kështjellën e qytetit, pa llogaritur këtu edhe përfitimet që ka pasur biznesi në zonën muzeale.
Një turist danez i quajtur Marcus Col, i cili po vizitonte shtëpinë e ish-diktatorit Enver Hoxha, shprehet se Gjirokastra është një vend i rrallë në të gjithë hapësirën shqiptare që ka vizituar muajin e fundit. Sipas tij, rrallë gjen një vend të tillë, ku besimet fetare janë të pranishme dhe në harmoni të plotë. Veç kësaj, periudha e mëparshme e komunizmit, ka influencuar për të parë nga afër gjurmët e atij sistemi si burgu në kalanë e qytetit, banesa e ish-diktatorit Hoxha, si dhe objekte të tjera. Turisti danez, nuk lë pa përmendur edhe të gjithë kompleksin e objekteve muzeale në zonën historike të qytetit.
Sipas tij, këto objekte të rralla, nuk e kanë parë reklamimin në vendin ku ai vjen, pasi nëse do të kishte një promocion të tillë, numri i vizitorëve do të ishte akoma më i madh. Ky qytet ka një shtrirje të veçantë edhe përsa u përket banesave, pasi ato gjenden në pjesë të thepisura. “Ballkani është i çuditshëm dhe mjaft i pasur si me kulturë orientale, apo dhe me pasuri autoktone. Më shtyn që të rikthehem sërish, ndoshta në vjeshtë apo në pranverë, ku i dihet”, shprehet turisti danez.
Një vizitor anglez, i quajtur Andrew Davis, thotë se ka ngelur i mahnitur nga kalldrëmet, që sipas tij, përbëjnë pasuri të vyer e të paçmuar. “Nuk kam parë kombinim kaq të bukur mes gurëve të zinj dhe atyre të bardhë dhe me një simetri të jashtëzakonshme vendosjeje. Më ka bërë mjaft përshtypje kjo gjë, ndaj dhe impresioni im i parë është kjo rrugë apo këto rrugë të gurta” shprehet Davis. Veç kësaj, jam habitur me madhësinë e kështjellës së qytetit. Një qytet kaq i vogël, me një histori kaq të lashtë, si zor gjen në ndonjë vend tjetër të botës.
Më ka bërë mjaft përshtypje kështjella, gjatësia e saj dhe anekset që ka ajo. Në perëndim rrallë gjen kështjella të tilla kaq krenare dhe të vendosura në një pozicion të tillë të lartësuar. Të paktën unë nuk kam parë, sepse kam qenë në shumë vende të Europës dhe nuk më ka rastisur diçka e tillë” shton Davis. Turisti anglez, nuk lë pa vlerësuar edhe kulinarinë vendase, e cila sipas tij, është e orientuar nga lindja dhe me stil tërësisht mesdhetar. “Rrallë gjen produkte organike aty ku ne jetojmë, këtu janë të gjitha të krijuara nga natyra dhe jo të stimuluara, ndaj më pëlqen çdo gjë këtu te ju” përfundon Davis.
“Pas Kalasë, objekti më i vizituar është shtëpia e Enver Hoxhës”
Kreu i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, Albert Kasi, shprehet i impresionuar për numrin në rritje të turistëve të huaj që kanë zgjedhur Gjirokastrën si destinacion turistik në gjashtë mujorin e parë të 2017. Sipas Kasit, agjencitë turistike operojnë mjaft mirë në këtë drejtim, pasi turistët e huaj e njohin pak Gjirokastrën dhe guidat që janë botuar kohët e fundit, kanë qenë të kompletuara në anglisht për t’i orientuar se çfarë ofron qyteti.
“Në përgjithësi, turistët janë perëndimorë, por këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, edhe lindja e Europës ka zbarkuar më së shumti, pasi janë më të etur për të parë nga afër ato enigma dhe objekte të veçanta që paraqet Gjirokastra”, shprehet Kasi. Objektet që kanë më tepër interes janë Kështjella e Gjirokastrës, banesa e ishdiktatorit Enver Hoxha që ndodhet në lagjen Palorto, e pastaj banesat e Zekateve, Gurgait, Babametot, Babaramot, Angonatët, banesa e Eqerem Cabejit, e cila është në rigjenerim total, Pazari Karakteristik dhe objektet që gjenden në të, si dhe mjaft objekte të rëndësishme, që janë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Pjesë e axhendës janë edhe sitet arkeologjike në luginën e Drinos, ku janë dy të tilla, qyteti i Antigonesë dhe Teatri i Hadrianopolit.
“Në këto dy objekte, interesi ka qenë shumë i lartë në raport me vitin e kaluar. Turistët e huaj, janë të interesuar të mësojnë më tepër rreth historisë dhe trashëgimisë vendase dhe më mirë se gjurmët e kësaj trashëgimie që ka Gjirokastra, nuk ka. Këtë vit, fluksi i turistëve ka sjellë edhe rritjen e të ardhurave në objektet që paguhen, si në kështjellën e qytetit, ku pagesa është 200 lek. Nga kjo pagesë, janë përfituar rreth 5 milionë lek në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, vetëm nga vizitat e kryera në kështjellë”, përfundon Kasi.
Po leket tek shtepia muze e Kadarese kot i paskemi harxhuar?! Sa injorante turistet!
buumi i turisteve ka filluar dhe eshte rritur vetem me ardhjen ne pushtet te Edi Rames !
ne kohen e atij palles maloqe ,nuk bente njeri plan te shkelte vendin tone sepse vetem zjarre ,shkaterrime dhe vuajtje i ka sjelle ai mut muti njerezve te shkrete .