Shehu sulmon Bashën: Reforma Zgjedhore të fillojë brenda partive, kryetarët janë kthyer në pronarë

20 Shtator 2017, 09:59Politika TEMA

Ndonëse pak kohë më parë kryetari i Partisë Demokratike e kandidoi për kryetar bashkie në Dibër, Sherefedin Shehun ka hedhur akuza jo vetëm ndaj Lulzim Bashës, por edhe ndaj dy drejtuesve të dy partive të tjera siç janë PS dhe LSI.

Kështu, përmes një statusi në rrjetet sociale, Shehu deklaroi se reforma zgjedhore duhet të fillojë brenda partive politike sidomos sa i takon atyre më të mëdha parlamentare, ndërsa ironizoi reformën zgjedhore të kërkuar nga këto parti, që të mos shtyhet edhe këtë herë për muajin e fundit të mandatit siç ka ndodhur gjatë këtyre 26 viteve.

“Reforma Zgjedhore duhet të fillojë brenda partive. Të gjitha partitë dhe sidomos ato që na përfaqësojnë në Parlament po i ankohen njëra-tjetrës për zgjedhje të padrejta, të pabarabarta dhe të pandershme.

Të 3 partitë e mëdha parlamentare janë vënë në garë për të treguar “virgjërinë” e tyre për zgjedhjet e njollosura dhe shqetësimin e madh për zgjedhje të vërteta. Megjithatë është mirë që po flitet në kohë për një sistem zgjedhjesh të besueshme dhe të shpresojmë që reforma nuk do të shtyhet për në muajin e fundit të mandatit siç ka ndodhur gjatë këtyre 26 viteve”, deklaroi ai.

Madje Shehu theksoi se dyshon tek serioziteti i kryetarëve të partive, ndërsa shtoi se reforma zgjedhore është më e nevojshme për zgjedhjet në parti. Sipas Shehut, si Rama, si Basha ashtu edhe Kryemadhi ndodhen sot në drejtimin e partive respektive për shkak të manipulimit dhe burokracive të instaluara nga vetë ata.

“Por, unë dyshoj në seriozitetin e Kryetarëve të partive, mbasi reforma zgjedhore është më e nevojshme për zgjedhjet në parti.

Rama u zgjodh Kryetar i PS-së në 2005-ën me pazare, u vetë-emërua në 2009-ën, nuk bëri fare zgjedhje në 2013-ën dhe me duartrokitjet e forta të kongresmenëve të tij mori vendimin për të mos bërë më zgjedhje në Parti.

Basha humbi thellë në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës dhe nuk guxoi të dorëhiqej, ndërkohë arriti një fitore të thellë në parti, vetëm 1 muaj pas një humbje të thellë.

Ndërsa LSI i emëron kryetarët e saj dhe vetëm brenda anëtarëve të familjes biologjike. Kështu bëjnë edhe kryetarët e partiçkave të tjera të cilët as nuk marrin mundimin të bëjnë zgjedhje.

Unë mendoj se më parë duhen demokratizuar partitë dhe më pas është me lehtë të demokratizohet shoqëria. Basha tha se problemi është politika, por për të reformuar politikën duhet filluar nga kryetarët e partive që sillen si pronarë të tyre dhe që janë të vetmit që prodhojnë politikë”, nënvizoi Shehu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje