PD merr në "pyetje" ministrat e Ramës, ja interpelancat e të enjtes. Debat në Kuvend për Vetting-un e 'Mbetjet'

25 Shtator 2017, 18:43Politika TEMA

Partia Demokratike do marrë në “pyetje” seancën e ardhshme të Kuvendit, disa prej ministrave kryesore të kabinetit “Rama 2”.

Ky ka qenë vendimi i marrë këtë të enjte nga grupi parlamentar demokrat. Mësohet se PD do kërkojë thërritjen në interpelancë të disa prej ministrave për çështjet më të nxehta të debatit politik aktualitetit.

Kjo ka qenë një nga nismat e paralajmëruara nga demokratët që në krye të herës, ndërsa do jetë interpelanca e parë për qeverinë e re.

Burime pranë PD bëjnë të ditur se një nga ministret është ajo e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla lidhur me problemet me Arsimin dhe ato për tekstet shkollore që vazhdojnë dhe këtë vit.

Ndërsa ministrat e tjerë të cilët do thërriten në interpelancë dhe degjesa janë ministri i Financave Arben Ahmetaj, ai i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ajo e Drejtësisë Etilda Gjonaj, i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri, i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi si dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

​Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi pasditen e kësaj të hëne që në seancën e Kuvendit të mbeshtesë kërkesat e paraqitur nga organet e Vettingut dhe të miratohen ashtu siç i kanë paraqitur, ndërsa paralajmërojnë debat të fortë për importin e mbetjeve.

Fillimisht demokratët kanë vendosur të mbështesin kërkesat e komisionerëve të Vettingut edhe pse ato u rrëzuan më herët nga komisioni i ligjeve. Ata kërkonin paga të larta deri në 1 milionë lekë në muaj si dhe benefice të tjera, për të ushtruar detyrën konform ligjeve.

Demokratët nga ana e tyre u shprehën në mbështetje të drejtuesve të organeve të Vettingut, ndërsa një qëndrim të tillë pritet ta mbajnë edhe gjatë seancës plenare të ditës së enjte.

Selia blu pritet të paraqesë në seancë amendamente për këtë çështje, ndërsa mbetet për t’u parë nëse maxhoranca do t’i marrë në shqyrtim ato.

Gjithashtu, demokratët do cekin gjatë diskutimeve në Kuvend edhe importin e mbetjeve. Sipas vendimit që është marrë sot në mbledhjen e grupit parlamentar, deputetët e opozitës do kërkojnë llogari për mosrespektimin e rregullores dhe vonesat me diskutimin e dekretit të Presidentit për rishqyrtimin e ligjit që parashikon importin e mbetjeve.

Ndërkohë, për një nga çështjet e cila gjithashtu do marrë vëmendje të gjerë nga politika, reforma zgjedhore, burime nga PD bënë të ditur se ka nisur puna për hartimin e platformës e cila do t’i dorëzohet Kuvendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje